31 March 2013

NDAL!

Ç'pret ende!
Çfarë të mundon akoma?
Përse e mban me zor të qeshurën?
Pse nuk i bashkohesh diellit në shkëlqim me dritën e zemrës tënde?
Çfarë të ndalon të buzëqeshësh me shpirt?
A nuk e ndjen shpirtin të gufojë nga ndjenjat pozitive?
Nuk e ndjen se frymëzimi po rikthehet?
Nuk e dëgjon melodinë e re që po fillon të marrë jetë?

Hape derën le të hyjnë ngjyrat me radhë!
Hapi krahët dhe përqafoje ditën e re, të pret ta vizatosh.
Ke një histori të papërfunduar, mos harro je ti autorja e ditës tënde, e kryeveprës tënde, jetës.
Mos lejo të përfundojë pa luajtur ti rolin kryesor.
Skena të përket ty!

Urdhëro penelin e ri! :)

Tabloja jote nuk ka përfunduar ende. Ajo sapo ka nisur.
Shumë gri paske hedhur, merr në dorë penelin.
Të tjera ngjyra kanë ardhur për vizitë.
Një tablo të re mbi tablonë e nisur ngjyrose.

Ke në dorë një buqetë ndjenjash.
Shtroji dhe jepi jetë tablosë tënde.
Shtroji dhe jepi ndjenja historisë tënde.
Diellin ngjyrose, skuqe, bëje të të dashurojë, dashuroje edhe ti.
Fshiji pakëz retë, zbardhi dhe jepi qiellit blunë e thellë.
Largoje stuhinë në tablo me një lëvizje të lehtë me penel.
Largoje stuhinë në shpirt me një dëshirë të re të futur në sirtar, me një ëndërr të re që gdhende e do e thurësh derisa ta realizosh.
Lejoje veten të shijojë heshtjen dhe grinë, lejojë të shlplodhet, të qajë dhe të ndihet e dobët, por mos e humb.
Jepi dorën në momentin e fundit dhe nxirre sërisht në jetë.
Kujtoji vetes herë pas here sa e bukur është kur buzëqesh!
Kujtoji se duhet të ndjejë rrezatimin e diellit dhe bashkë me të në duet të shkëlqej për jetën, dashurinë, ëndrrat dhe dëshirat e saja.
Kujtoji vetes gjithmonë të mos dorëzohet, të luftojë, të luftojë gjithmonë pavarsisht rezultatit.
Mbi gjithçka mos harro të ëndërrosh, të kapesh pas një qëllimi dhe pas një dëshire dhe të ushqesh ndjenjën e fitores.

Mëso t'i thuash vetes NDAL, kur e sheh që grija po të pushton!
E ke ti penelin në dorë, edhe paletën me ngjyra.
Ngjyrose ditën tënde si të të pëlqejë më shumë. :)


© Erjola Kola  [08.06.2012]

23 March 2013

Pasqyra

Qëndron në këmbë përpara pasqyrës.
Një statujë me shikim të mistershëm, dyshues.
E ngrirë, e pafjalë thuajse e pafrymë lëviz veçse bebet e syve si një radar që studion çdo cep të qënies së saj, që deshifron edhe ato mendimet e fshehura pas heshtjes së gjatë.
Një shtrembërim, një mbledhje buzësh, një buzëqeshje e hidhur... dhe ul sytë.

Nuk ishte ky imazhi i vetes që ajo njihte.

Shtrëngonte fort duart në anët e pasqyrës dhe ngurronte të ngrinte sytë.
Mijëra mendime vraponin rreth e rrotull shpirtit të saj. Mijëra fytyra, imazhe të qarta e të zbehta turbullonin ujërat e qeta të kujtimeve. Shumë fjalë të shkruara e të thëna parakalonin në paradën e paftuar të së shkuarës. Nën melodinë e këngëve kujtesë të kohëve të ndryshkura luftonte të gjente arsyen e kthimit të saj në botën e fjalëve.

Sytë ende ishin ulur.

Një gomë nuk mjaftonte të fshinte copëza të padëshiruara, muaj e ndoshta vite kujtimesh gri.
As valëvitja e dorës nuk i largonte retë e zymta të heshtjes që e kishte pllakosur shpirtin e saj.
E as buzëqeshja e hidhur që tashmë i drejtonte dyshemesë, ku sytë ngulitshëm ishin fisuar.
As thyerja e pasqyrës nuk do e ndryshonte atë imazh të ciflosur që i kishte ngelur shpirtit të saj të lodhur nga betejat e shumta.
Askush nuk mund të bënte ndryshimin, nëse ajo nuk e donte!
***
Ajo e dinte mjaft mirë, që gjithçka është në dorën e saj, edhe më e vogla dridhje, edhe më e rrëmbyeshmja çarje për të sjellë ngjyrat.
Tërmeti më i fuqishëm ishte ajo vetë, ajo vetë e kthente përmbys ditën e saj dhe vinte rregull në raftin me libra ''jetë''.
E dinte më mirë se kushdo, që ngjyrat i ka në shpirt, në çdo qelizë, në çdo frymëmarrje.
Muzika e shpirtit të saj me nota të larta këndon e vallzon gjithmonë, por që ka ditë kur ajo vetë ia ul zërin muzikës që në heshtje të mendonte të gjente një tjetër melodi.
E ndiente që e ka diellin në shpirt, atë diell që i shpërthen në mijëra rreze drite me buzëqeshjen e saj.
Ndonjëherë është thjeshtë dëshira për të heshur, për të qarë, për të qenë gri.
Thjeshtë do të jesh ndryshe.
Është ajo dëshira për të mos qenë ti, ai ''ti'' që njohin të gjithë.
Atëherë je thjeshtë dikush që i lejon vetes që të jetë gri, i lodhur, pa fuqi, i dorëzuar.
Dhe ke frikë të shohësh veten në pasqyrë se mos nuk e njeh më!

*****
Është e çuditshme si mundet një bisedë me veten, një vendosje në peshore e ''Mundem'' dhe ''Nuk Mundem'' të të lehtësojë rëndesën e shpirtit dhe të të bëj të shohësh sesi bota fillon e merr ngjyra.
Është e çuditshme si mund të flasësh me shpirtin në të njëjtën gjuhë me të dhë të qëndrosh e fortë të mos e lëndosh më shumë.

E lejon veten të qash, të mërzitesh, të mbytesh në gri e pesimizëm, të të rrëmbejë malli dhe hidhërimi, por në fund: ''I ngre sytë e sheh veten në pasqyrë me një buzëqeshje!''
Askush nuk është më i fortë se TI dhe veç ti mund të ndryshosh ç'të duash me ngjyrat e ditës tënde dhe kapitujt e librit tënd jetë.
Sepse ti dhe veç ti vuan, qan, gëzon dhe qesh me të! :)

© Erjola Kola [ 15.06.2012]

Piktura: Lady-in-the-mirror - Perry Rubenstein.