Qëndron në këmbë përpara pasqyrës.
Një statujë me shikim të mistershëm, dyshues.
E ngrirë, e pafjalë thuajse e pafrymë lëviz veçse bebet e syve si një radar që studion çdo cep të qënies së saj, që deshifron edhe ato mendimet e fshehura pas heshtjes së gjatë.
Një shtrembërim, një mbledhje buzësh, një buzëqeshje e hidhur... dhe ul sytë.
Nuk ishte ky imazhi i vetes që ajo njihte.
Shtrëngonte fort duart në anët e pasqyrës dhe ngurronte të ngrinte sytë.
Mijëra mendime vraponin rreth e rrotull shpirtit të saj. Mijëra fytyra, imazhe të qarta e të zbehta turbullonin ujërat e qeta të kujtimeve. Shumë fjalë të shkruara e të thëna parakalonin në paradën e paftuar të së shkuarës. Nën melodinë e këngëve kujtesë të kohëve të ndryshkura luftonte të gjente arsyen e kthimit të saj në botën e fjalëve.
Sytë ende ishin ulur.
Një gomë nuk mjaftonte të fshinte copëza të padëshiruara, muaj e ndoshta vite kujtimesh gri.
As valëvitja e dorës nuk i largonte retë e zymta të heshtjes që e kishte pllakosur shpirtin e saj.
E as buzëqeshja e hidhur që tashmë i drejtonte dyshemesë, ku sytë ngulitshëm ishin fisuar.
As thyerja e pasqyrës nuk do e ndryshonte atë imazh të ciflosur që i kishte ngelur shpirtit të saj të lodhur nga betejat e shumta.
Askush nuk mund të bënte ndryshimin, nëse ajo nuk e donte!
***
Ajo e dinte mjaft mirë, që gjithçka është në dorën e saj, edhe më e vogla dridhje, edhe më e rrëmbyeshmja çarje për të sjellë ngjyrat.
Tërmeti më i fuqishëm ishte ajo vetë, ajo vetë e kthente përmbys ditën e saj dhe vinte rregull në raftin me libra ''jetë''.
E dinte më mirë se kushdo, që ngjyrat i ka në shpirt, në çdo qelizë, në çdo frymëmarrje.
Muzika e shpirtit të saj me nota të larta këndon e vallzon gjithmonë, por që ka ditë kur ajo vetë ia ul zërin muzikës që në heshtje të mendonte të gjente një tjetër melodi.
E ndiente që e ka diellin në shpirt, atë diell që i shpërthen në mijëra rreze drite me buzëqeshjen e saj.
Ndonjëherë është thjeshtë dëshira për të heshur, për të qarë, për të qenë gri.
Thjeshtë do të jesh ndryshe.
Është ajo dëshira për të mos qenë ti, ai ''ti'' që njohin të gjithë.
Atëherë je thjeshtë dikush që i lejon vetes që të jetë gri, i lodhur, pa fuqi, i dorëzuar.
Dhe ke frikë të shohësh veten në pasqyrë se mos nuk e njeh më!
*****
Është e çuditshme si mundet një bisedë me veten, një vendosje në peshore e ''Mundem'' dhe ''Nuk Mundem'' të të lehtësojë rëndesën e shpirtit dhe të të bëj të shohësh sesi bota fillon e merr ngjyra.
Është e çuditshme si mund të flasësh me shpirtin në të njëjtën gjuhë me të dhë të qëndrosh e fortë të mos e lëndosh më shumë.
E lejon veten të qash, të mërzitesh, të mbytesh në gri e pesimizëm, të të rrëmbejë malli dhe hidhërimi, por në fund: ''I ngre sytë e sheh veten në pasqyrë me një buzëqeshje!''
Askush nuk është më i fortë se TI dhe veç ti mund të ndryshosh ç'të duash me ngjyrat e ditës tënde dhe kapitujt e librit tënd jetë.
Sepse ti dhe veç ti vuan, qan, gëzon dhe qesh me të! :)
© Erjola Kola [ 15.06.2012]
Piktura: Lady-in-the-mirror - Perry Rubenstein.
No comments:
Post a Comment