Çfarë të mundon që syçkat shkëlqimin të kanë humbur?
Po buzët përse vallë i paske rrudhur?
Pa më thuaj, çfarë reje gri të qenka shtrënguar mbi shpatulla?
A thua se gjithë peshën e botës ti e mban dhe e vuan kaq shumë këtë gjë?
Nga cila stuhi po ruhesh dhe strehëz në çdo zemër kërkon?
Në ndjekje të çdo rrahje zemre e përmalluar vrapon,
në kërkim të një shprese, të pak mbështetje, të shumë përkushtimi
dhe nga dashuria, lumturia të pushtohesh shpreson.
A e ndjen që ajri aromë tjetër ka?
Mos u lodh së vrapuari.
Jo mos u ndal së kërkuari.
Ngrihu, shkunde grinë nga shpatullat dhe vishu me pranverë.
Çeli sytë me lulëzim manushaqesh dhe buzët me trëndafila qëndisi.
Krahëve petale shumë-ngjyrëshe mbështillu
dhe këngën e zogjve në zemër forcë gdhënde.
Pranvera rilindi!
Lulëzo edhe ti më çdo gjethe, ndriço me çdo rreze dielli, kërce me çdo dallëndyshe,
merr ngjyrat e lumturisë në çdo lule.
Kurorë thur në flokë fluturat loznjare dhe mos harro pranvera erdhi.
Harroje grinë, retë, shiun, acarin dhe dimrin.
Lëri mënjanë mundimet, problemet dhe hallet.
Përqafohu me jetën dhe pushtohu dashurish.
Lejoje pranverën të të ndriçojë zemrën dhe shpirtin.
Lejoje buzëqeshjen dhe optimizmin jetën të të ngjyrosin.
Ngrihu dhe vazhdo rrugën tënde
... mos harro është pranverë.
Lejoje dashurinë e shpresën të ringjallet me pranverën...
No comments:
Post a Comment