02 February 2013

Skicë pranverore.

Mbyllur në lëvozhgën time, si një trumcak i frikësuar strukem thellë në fundin e shpirtit tim. Erë e fortë sot, më tund themelet e ëndrrave me kaq mundim të qëndisura. Qiell i egër gri, që shoh nga muret e mi më frikëson mendimet e ëmbla dhe fryma ngrin në ajrin e acartë.
Trumcaku ''unë'' dridhshëm dëshiron të çaj muret që larg realitetit e mbajnë.
E ndjen në ajër ka një aromë tjetër.
Një çukitje këtu, një çukitje atje.
Një përplasje me muret... një krisje.
Zgjas një dorë, zgjas një krahë, drita sytë më ndriçon dhe buzët me diellin puthen.

Është pranverë.

Shpirti e ndjeu, kërkoi me çdo grimcë fuqie të çaj muret e errëta të frikës dhe heshtjes e me dritën e aromën e rilindjes, e lulëzimi njësh të bëhej.
Copëzat e shpirtit të burgosur në dimrin e acartë njëra tjerën më dashuri përqafonin.
Me pranverën rilindi jeta, natyra, njerëzia dhe unë.
Hap krahët, qiellin te përqafoj, të ndjej në çdo qelizë dritën, aromën, jetën.
Jeta shpërtheu sythave të dashurisë, me çeljen e luleve të reja, shpirti ngjyra të reja përqafoi dhe ëndrrave të vjetra aromën e rilindjes ju spërkati.
Në ajër e ndjej frymën e re optimiste, e ndjej në shpirt dritën, e ndjej në buzë magjinë, lindjen e një buzëqeshje.
E ëmbla stinë e re dëshirën për jetë dhe shpresë më ngjalli.
Të kërcej me flladin ledhatues dhe me petale lulesh flokët të qëndis, trupin drita e jetës ma ndriçon dhe ngjyrat e dashurisë sytë më ndezin.

Një ditë e rë plot ngjyra jetën po përqafon, unë me buzëqeshjen në buzë dhe dritën në zemër rrugës sime të re, të lulëzuar po shkoj.


© Erjola Kola

No comments:

Post a Comment