Atje në tokën e largët, në atë kopshtin me lule, diku atje në mesin e tij, qëndronte ajo krenare , kryelartë dhe e pamposhtur ''Pema e Jetës''.
Gjethet e çelura, i jepnin hijeshi, një pranverë e begatë dukej këtë vit, plot gjelbërim dhe sythe të freskët që të shihnin dritën e jetës prisnin.
Nën rrezet e diellit zgjaste pema gjethet e saj dhe me hijeshi e mbushte këtë kopsht të braktisur nga çdo frymë njeriu.
Dikur tregon gojëdhëna në këtë kopësht të bukur, një kuçedër e tmerrshme kishte mbërritur dhe për muaj të tërë kishte mbretëruar nën kurrizin e pemës, e luleve, e gjelbërimit.
Për muaj të tërë luftonte pema me çdo grimcë të saj të mbijetonte... të mos dorëzohej, të mos mposhtej ajo kishte rrënjët e forta.
Muaj të tërë kaluar betejash, grrisjesh, thonjsh, gjaku e lotësh derisa një ditë, në tokën e largët dielli nisi të ndriçojë sërisht.
Një ditë papritur, vendosi edhe kuçedra të largohej dhe jeta u rikthye në kopësht më e gjallë se më parë.
Kuçedra e dinte rrugën dhe mund të kthehej prapë, ajo gjithmonë kthehej atje ku kishte qenë njëherë!
Pema e lumtur sa nuk fluturonte në shkëlqimin e saj, tundej e shkundej me çdo përkëdhelje të erës.
Tundej e përqafonte flladin e çdo mëngjesi, tundej dhe ju tregonte zogjve sesi ajo arriti të mposhte kuçedrën.
Tregonte e tregonte, sa e donte jetën, e sa fort i kishte ngulur rrënjët në zemrën e tokës.
Zogjtë qëndronin, e dëgjonin dhe në degët e saj i gjente nata e i pushtonin ëndrrat.
Sikur të mundte të kërcente me to, për to, por pema nuk mundej, ajo nuk lëvizte dot, vetëm krahët e saj degë drejt qiellit shpërndante e lumturohej kur zogjtë e prisnin me hare.
Kaloi kohë, e pema me zogjtë ende gëzohej për jetën e falur, ajo ishte mirënjohëse, që dielli i lindi prapë në jetën e saj, gëzohej me çdo cicërim e melodi të ëmbël që i dedikohej, e luante e bëhej pjesë e lojrave duke buzëqeshur e përqafuar dashurinë dhe mirësinë.
Pema kishte plot dashuri në zemër, në gjethet vishej me hare e gjelbërim dhe dhurontë lule kujtdo që çelësin magjik të zemrës së saj gjente.
Thonë që kuçedra nuk u duk më asaj ane... për shumë kohë...
Pema as nuk e priste më, i gëzohej miqësisë së saj me zogjtë... por … pranvera mbaroi shpejt... e po aq shpejt erdhi dimri.... e akoma më shpejt zogjtë e braktisën pemën.
Ajo ngeli vetëm!
Thonë që atë vit shumë stuhi pati.
Thonë që atë vit pemës shumë degë ju thyen.
Thonë që ate vit dikush vaje dëgjonte çdo natë nga toka e largët.
Thonë që atë vit edhe dimri nuk zgjati shumë.
Pranvera i hapi sytë shpejt dhe nisi me mall pemën të puthte... I pa ''dëmet'' që dimri kishte lënë dhe me dashurinë e një nëne çdo plagë ja shëroi.
Pema u kthye në jetë!
Në degët e saj të tjerë miq qëndronin dhe të tjera melodi dëgjonte ajo.
Ajo vazhdoi si gjithmonë të falte dashuri e mirësi, vazhdoi t'i buzëqeshte plot optimizëm çdo rrezeje... ajo vazhdoi të jetonte.
Gojëdhëna thotë që e quajnë ''Pema e Jetës'' sepse ajo e do jetën, i ka ngulur fort rrënjët në tokë dhe me apo pa zogj, me apo pa pranverë do të qëndrojë aty.... në kopshtin me lule të tokës së largët.
© Erjola Kola
Piktura nga Marjorie @Devianart.com
No comments:
Post a Comment