30 November 2013

Qetësia e natës.

Qetësia dhe heshtja ranë si nata, errësuan qiellin, i shuan yjet, më pushtuan mua.
Më mbuloi reja gri.
Nata shpatullave më hodhi mantelin e saj të ftohtë.
Ndjej ftohtë.
Shumë ftohtë dhe një heshtje mbytëse, një qetësi të qetë.
Yjet e shuar një nga një fshiheshin ku të mundnin, pas një reje a pas një peme.

Nuk ka as hënë.
Mungon drita sot.

Natë e errët.
Natë e heshtur.
Natë e përgjumur.
Natë e ftohtë.

Natë!

Me zjarrin e një shpirti të qetë, duta ta ndez këtë natë, jetë t'i jap..., por ajo hesht.
Është ajo më e heshtura natë.
Ëndrrat do t'i japin ngjyrë asaj.
Ëndrrat do e ngjallin natën, plot ndjenja.
Ëndrra do e shkëpusë shpirtin nga realiteti.
Do harrojë ftohtësinë, grinë, heshtjen dhe qetësinë.
Do kujtohet të jetojë, edhe në dimër, si në vjeshtë...

E ndërkohë... gjethja e fundit e vjeshtës … ra....!!!

© Erjola Kola

22 November 2013

Një vjeshtë... pa ty.

Është e para vjeshtë pa ty.

E ndjen?

Erdhi e artë si çdo vit.

Erdhi plot madhështi si përhera.

Vjeshta erdhi, ti jo.

Ti jo!

Nuk erdhe si çdo vit.

Ti humbe nëpër stinë.

Mbete diku mes harresës dhe kujtimit.

Unë jo!

Eca.

Kalova pranverën.

Përkula kryet mbi verë dhe përqafuar me mall iu fala vjeshtës.

Tani jam e vjeshtës.

Numërova gjethe më gjethe mungesën tënde.

Qava bashkë me vjeshtën në çdo pikë shiu.

Ndriçova me të në çdo rreze dielli.

Shkëlqeva me gjithë ngjyrat e saj.

E bukur vjeshta, më zbukuroi dhe mua.

Ajo më fali jetë.

Unë jetë i fala asaj.

Jetuam të dyja... plot dy muaj.

Unë me vjeshtën.

Ajo me mua.

Të dyja pa ty!

Është nëntor.

Frymëmarrja e fundit e vjeshtës për këtë vit.

Do të shkojë dhe ajo.

Unë jo!

Unë jam këtu përherë.

Në çdo stinë.

Jam këtu...

Gjithmonë...

E vetmja buzëqeshje.



©Erjola Kola