19 March 2015

Më lër të fle...

Rrezja e diellit përkëdheli qerpikët në sytë e përgjumur për të më zgjuar...

(një natë më parë)
Ishte një natë e gjatë, shumë e gjatë dhe pa gjumë.
Një nga ato netët kur numëron sekondë më sekondë në pritje të lindjes së diëllit.
Një natë aq e zhurmshme, kur ty të mbyt qetësia, heshtja dhe vetmia në përpëlitje frike.
Një natë as e ulur, as e shtrirë e përqafuar me dridhjet e një shpirti të përgjysmuar.
Kaq gri dhe të frikshme dëgjoheshin zërat e njerëzve që ktheheshin në mëngjes në shtëpi.
Ndërkohë... akrepat e orës kërcenin një tango të ngadaltë... drejt zbardhjes së ditës.

(dita erdhi)
Mëngjesi më gjeti të zgjuar.
Rrezet e diellit vetëm sa më kujtuan që dita e re zbardhi, e mua po më priste.
Një mbyllje sysh për dikë, sillte natën. Çelja e syve, ndizte dritën... :)
Çfarë është jeta? 
Mendime lëmsh, që të shoqërojnë në netët e vetmisë dhe frikës së madhe.
Tmerri që të mbulon në natën e zezë dhe numërimi i sekondave... me dëshirën të ketë një tjetër zbardhje drite.
Me dëshirën të të përkëdhelen sërisht qerpikët dhe buzët me ngrohtësinë e puthjeve diellore të zgjohen.
Pagjumësia e frikshme, përpëlitjet e një shpirti bosh!

Dashuria e madhe për ditën...
Kjo është jeta, dritë, ditë, ngjyra, dashuri... jetë.
Jeta është buzëqeshje, bardhësi... ështe e vetmja jona mrekulli e dhuruar.
Në netët gri arrijmë ta shohim në fundin e tunelit dritën tonë të shpresës, mrekullinë tonë jetë që na thërret.
Me thonj shtrënguar fort pas dritës doo e përballoj natën... sado e errët ardhtë ajo.

(prapë natë)
Dielli e braktisi qiellin, errësira do mbretërojë sërisht...
Të lutem ji e bardhë sonte...
Lejomë të ëndërroj dhe mëngjesi të më zgjojë mes përqafimeve të ngrohta diellore.
Më lër të fle...


©Erjola Kola (fillimviti 2013)

Piktura: Sleepy Night by Lp-dream





10 March 2015

Unë jam dritë...

Sa shumë fjalë për t'u shkruar.
Sa shumë kohë paskam heshtur.
Gjithmonë ka një fillim për të nisur një histori.
E imja nisi tani, pas një heshtje të gjatë e me një dëshirë të madhe të mposhtë heshtjen dhe mendimet negative që më marrin frymën.
Nuk i trembem heshtjes më shumë sesa fjalës sime.
Fjalës së menduar.
Asaj që flet thellë-thellë nga shpirti dhe më merr shpirtin me dridhjen e frikës që më fut.
Arsye s'kam.
As nuk e gjej një arsye.
E megjithatë nëse flas, flas me fjalë të rënda.
Fjalë që rëndojnë në shpirt, e prishin ekuilibrat.
Sa frikë. Apo sa çudi.
Në sfond dëgjohen tingujt e ëmbël e qetësues të një video meditimi.
Unë vazhdoj të shkruaj.
Pas çdo gërme ndjej qetësinë që shpërndahet në qelizat e mia.
Pas çdo fjale ndjej lehtësim.
U shkruajt një paragraf.
Një peshë e rëndë u shkri në supet e mia.
Dhe unë mund të marrë frymë sërisht.
Të marrë frymë në paqe lirisht.
Vazhdoj të dëgjoj pa reshtur.
Në mendje qarkullojnë të tjera mendime.
Shikoj të tjera ngjarje që heqin vellon që i kishte mbuluar dhe fillojnë të bëhen të dukshme.
Janë mendime të qarta, të pastra, të forta.
Janë ndjenja të qeta, në paqe, të sigurta.
Jam unë në to.
E vërteta unë.
Ajo që nuk fshihet pas perdeve.
Ajo që nuk i trembet shiut.
Ajo që sheh diellin ngado.
Ajo jam unë.
Pa vello.
Pa mjegull.
Pa errësirë.
Pa frikë.
A e kuptove?
Pas vellos, pas perdes, pas frikës atje gjendem unë... e vërteta unë.
Më kërko.
Ma zgjat dorën.
Jam duke ecur në tunelin e errësirës.
Duke ecur e çjerrë në shkurret e frikës.
E lodhur, por e vendosur.
E shoh atje në fund të tunelit dritën.
E shoh dhe fjalët kanë ndryshuar.
I ndjej më të forta.
I ndjej më pozitive.
E sheh unë ia dola.
Dola në dritë.
E mposhta errësirën e u mbusha me dritë.
Tani nuk kam më frikë.
Unë jam dritë.

©Erjola Kola - dikur në muajt e 2014

02 March 2015

Ajo nata.

Zbriti nata e me pëlhurën e saj të hirtë, e mbuloi qytetin, i veshi botës mantelin e qetësisë.
Heshtja ra anë e mbanë.
Qyteti iu dorëzua tundimit mbështjellës së natës.
Qyteti i mbylli sytë në botën e ëndrrave të fillojë një udhëtim të ri.

Njerëzit frymën e ndalën e yjet përshendetën. 
Yjet u ndezën edhe sot, si çdo natë. 


Edhe hëna doli sot për shëtitjen e saj të përnatshme në zemrat e poetëve, e pajisur me pluhurin e saj magjepsës... e si çdo natë vargje t'reja frymëzon, për çdo ëndërr e çdo çast.

Duket kjo natë si e njëjta natë, si çdo natë,... por është ajo natë.

Ajo natë, ku muzikës së notave, një tjetër melodi zemre vendin i ka zënë.
Emocione t'mbledhura grushtë... e dridhje të mbysin fjalët, heshtja ...ah as heshtja nuk flet.

Sytë, po sytë flasin, gjithmonë flasin.
Ata sytë e tu llafazanë. :)))
Zërin tënd nuk e dëgjon sot, zërin tënd e dëgjojmë ne prej kohësh.
Dëgjoje edhe ti! :)

Ule ulërimën e frikës, tunde dorën drejt hapsirave, largo ndjenjat e këqia, fshij kujtimet dhe ajrin e mbrëmjes së sapolindur, duaje, shijoje, dashuroje.

Përqafoje hënën, yjet mbaji dëshmitar, heshjtes jepi fjalë, emocioneve jepu jetë.
Sot është ajo nata.
Duaje dhe shkruaje.
Duaje dhe kujtoje.
Thjeshtë duaje!

Ps. Është ajo nata, lërë shpirtin të flasë! :)


© Erjola Kola