24 February 2013

E dashur...

Përse i ke varur turiçkat sot?
Çfarë të mundon që syçkat shkëlqimin të kanë humbur?
Po buzët përse vallë i paske rrudhur?
Pa më thuaj, çfarë reje gri të qenka shtrënguar mbi shpatulla?
A thua se gjithë peshën e botës ti e mban dhe e vuan kaq shumë këtë gjë?
Nga cila stuhi po ruhesh dhe strehëz në çdo zemër kërkon?
Në ndjekje të çdo rrahje zemre e përmalluar vrapon,
në kërkim të një shprese, të pak mbështetje, të shumë përkushtimi
dhe nga dashuria, lumturia të pushtohesh shpreson.

A e ndjen që ajri aromë tjetër ka?
Mos u lodh së vrapuari.
Jo mos u ndal së kërkuari.

Ngrihu, shkunde grinë nga shpatullat dhe vishu me pranverë.
Çeli sytë me lulëzim manushaqesh dhe buzët me trëndafila qëndisi.
Krahëve petale shumë-ngjyrëshe mbështillu
dhe këngën e zogjve në zemër forcë gdhënde.

Pranvera rilindi!

Lulëzo edhe ti më çdo gjethe, ndriço me çdo rreze dielli, kërce me çdo dallëndyshe,
merr ngjyrat e lumturisë në çdo lule.
Kurorë thur në flokë fluturat loznjare dhe mos harro pranvera erdhi.
Harroje grinë, retë, shiun, acarin dhe dimrin.
Lëri mënjanë mundimet, problemet dhe hallet.
Përqafohu me jetën dhe pushtohu dashurish.
Lejoje pranverën të të ndriçojë zemrën dhe shpirtin.
Lejoje buzëqeshjen dhe optimizmin jetën të të ngjyrosin.
Ngrihu dhe vazhdo rrugën tënde
... mos harro është pranverë.

Lejoje dashurinë e shpresën të ringjallet me pranverën...


19 February 2013

Ik.

E mbylli atë kapitull.
I vuri një gur përsipër.
Një gur të fortë, të aftë të rëndojë mbi kujtim që ai të mos dalë më.
Të gjakoset në cepat e thepisur, në dashtë të rikthehet.

E burgosi kapitullin, veç ty jo.

Ty të la zemra jashtë.
Ty nuk të kyçi dot në burgun e harresës.
Si një shpirt i dënuar të përndjekësh mendimet e saj, shkëput fragmente të së shkuarës së largme dhe në sy ia ndriçon.
Dëshiron të ringjallet shkëndija e humbur e syve të saj, e shuar prej kujtimeve, ende të gjalla.
Mos u bëj merak, as ajo nuk ka harruar, thjeshtë nuk do t'i kujtoj ato; e aq më pak Ty.
Madje edhe ty do të fusë në birucën e errët të fshirjes nga kujtesa.

Dëshiron t'iu fshihet syve të tu.
Buzëqeshjes tënde t'ia kthej shpinën.
Fjalët e tua të përplasen me murin e heshtjes dhe veç tinguj të stonuar e memec të ngelin, e ajo të shurdhohet, të mos dëgjojë më!

Boll i trondite jetën.
Mjaft më me dridhjet nga shikimet e tua.
Mbaruan rrahjet e zemrës nga ëmbëlsia e fjalëve.

Ik kujtim!

Nuk e kupton që nuk të do, jo më!
E ka mbyllur kujtimin në shpellën e harresës.
Zemrën jashtë e la, të plagosur.
Me melhem të ëmbël plagën do ia fshijë që gjurmë më të mos i mbesin.

Ik edhe ti tani.
Zemra, as ajo nuk rreh më për ty.
Vec për kujtimin e asaj që ti ishe për të.
Veç për të dridhet ende.
Veç për sytë tronditet ende.
Veç për buzëqeshjen qan.
Veç për kujtimin e asaj që ti ishe për të; ende digjet mall.

Ama kujtimin tënd, e fshiu!


© Erjola Kola ~ 18/02/2013

Në vend të lamtumirës - Pirro Çako

02 February 2013

Skicë pranverore.

Mbyllur në lëvozhgën time, si një trumcak i frikësuar strukem thellë në fundin e shpirtit tim. Erë e fortë sot, më tund themelet e ëndrrave me kaq mundim të qëndisura. Qiell i egër gri, që shoh nga muret e mi më frikëson mendimet e ëmbla dhe fryma ngrin në ajrin e acartë.
Trumcaku ''unë'' dridhshëm dëshiron të çaj muret që larg realitetit e mbajnë.
E ndjen në ajër ka një aromë tjetër.
Një çukitje këtu, një çukitje atje.
Një përplasje me muret... një krisje.
Zgjas një dorë, zgjas një krahë, drita sytë më ndriçon dhe buzët me diellin puthen.

Është pranverë.

Shpirti e ndjeu, kërkoi me çdo grimcë fuqie të çaj muret e errëta të frikës dhe heshtjes e me dritën e aromën e rilindjes, e lulëzimi njësh të bëhej.
Copëzat e shpirtit të burgosur në dimrin e acartë njëra tjerën më dashuri përqafonin.
Me pranverën rilindi jeta, natyra, njerëzia dhe unë.
Hap krahët, qiellin te përqafoj, të ndjej në çdo qelizë dritën, aromën, jetën.
Jeta shpërtheu sythave të dashurisë, me çeljen e luleve të reja, shpirti ngjyra të reja përqafoi dhe ëndrrave të vjetra aromën e rilindjes ju spërkati.
Në ajër e ndjej frymën e re optimiste, e ndjej në shpirt dritën, e ndjej në buzë magjinë, lindjen e një buzëqeshje.
E ëmbla stinë e re dëshirën për jetë dhe shpresë më ngjalli.
Të kërcej me flladin ledhatues dhe me petale lulesh flokët të qëndis, trupin drita e jetës ma ndriçon dhe ngjyrat e dashurisë sytë më ndezin.

Një ditë e rë plot ngjyra jetën po përqafon, unë me buzëqeshjen në buzë dhe dritën në zemër rrugës sime të re, të lulëzuar po shkoj.


© Erjola Kola