25 July 2013

Dehje vjeshte...

Ishin ndoshta rrezet e fundit të diellit për këtë ditë, tek ecja më përkëdhelnin fytyrën dhe në kaçurrelat e mia ngatërroheshin. Dukeshin si karfica me ngjyra vjeshte që më thureshin në flokë.
Më pëlqen të humbas kur shëtis, asnjëherë nuk bëj plan se nga do të shkoj. Unë thjeshtë dal dhe janë këmbët ato që më drejtojnë ndërkohë që unë dashurohem me pamjen e vjeshtës dhe tetorit të artë gjithmonë e më shumë. Si një fëmijë i vogël që hidhet në pellgjet e vogla me ujë vetëm nga kënaqësia e të ''kërcyerit'' të ujit përpjetë, unë ndjek grumbujt me gjethe në cepat e trotuarit veç nga dëshira për t'i shkelur dhe dëgjuar kërcitjen e ëmbël të gjetheve.

Shpesh duke ecur mbledh edhe një tufë gjethesh shumëngjyrëshe në dorë dhe e dehur eci duke i parë herë pas here.
Duke ecur me mendimet e heshtura në respekt të bukurisë së natyrës e dehjes sime, shikoj që jam në derën e kafenesë së preferuar. Këmbët e dinë ku më çojnë, e kanë mësuar këtë rrugë përmendësh, në fillim kurora me pemë, kërcitjet e gjetheve, gjethe-tufat shumëngjyrëshe në duar dhe qershia mbi tortë; kafeja ime ulur në tavolinën e ëndërrimeve dhe mendimeve pa zë (nëse e gjeja të lirë).
Sa hyj në derën e kafenesë së preferuar, sytë shkojnë tek tavolina e cepit, ajo me dritaren e madhe me pamje nga parku pranë, ku gjendej dhe një kënd lojrash për fëmijë.

Ishte e lirë.
Nxitoj me hapa të shpejtë për t'iu afruar tavolinës sime, sikur dikush tjetër në po atë moment të kishte të njëjtin mendim me mua për t'u ulur atje. Një buzëqeshje kamarieres që e kuptoi, doja kafen time të zakonshme me qumësht.
Ulem në tavolinën time të preferuar dhe duke u rregulluar që të jem sa më rehatshëm, shikoj kamarieren që sjellë kafen.

Buzëqesh, sa e shpejt...
Afroj tabakanë e argjendtë me lule të gdhendura nëpër cepa(kështu e servirin kafen këtu), ku ndodhej filxhani im plot me kafe të zezë të shtrydhur, një filxhan më i vogël, ngjan si një ibrik shumë i vogël i mbushur me qumësht dhe një pjatë e vogël kafeje me disa kubikë sheqeri.
Hedh qumështin në filxhan dhe duke e trazuar, sytë më shkojnë në parkun pranë. Në një stol ishte ulur një grua e veshur me një pallto ngjyrë jeshile dhe pranë kishte një karrocë fëmijësh, të cilën e tundte herë pas here, që i ''zoti'' karrocës të mos qante.

Duke mos i shkëputur sytë nga dritarja pi një gllënjkë kafe.

Në karrocë flinte një vogëlush, e dallova menjëherë çfarë ishte, sepse kishte veshur rroba në ngjyrë bojëqielli (besytnia që djemtë vishen me bojëqielli dhe vajzat me rozë) që mbante gishtin e madh në gojë në vend të kapëses biberon... -''Do të bëhet thuthuq!'' mendova (kështu thoshte gjyshja ime, megjithëse për mua nuk ishte e vërtetë, jam thuthuqe edhe pa huqin e mësipërm).

Një tjetër gllënjkë kafe dhe sytë e mi duke ndjekur sytë e gruas me pallto jeshile, zbulojnë edhe një vajzë të vogël kaçurrelse, që kishte braktisur këndin e lojërave dhe ishte hedhur në nje grumbull me gjethe aty pranë. Ajo hidhej e mbështillej me gjethe, rrotullohej në to derisa humbiste fare dhe mund të dalloje veç sytë e saj të qeshur e dëgjoje zërin e saj gazmor tek gugaste e kënaqur.

Kur u ngrit dhe doli nga grumbulli i gjetheve duke u shkundur, kuptoi që gjethet i ishin ngatërruar keq në flokë dhe me zor po i largonte prej andej. E nervozuar filloi të shukte fort këmbët në tokë duke u hedhur sa majtas djathtas që të rrëzoheshin edhe ngatërrestaret e fundit nga floku i saj i gjatë.

E ëma e shikonte e buzëqeshur edhe unë po qeshja me këtë pamje gazmore, duke mos hequr filxhanin tim të kafes nga dora, ndërsa vogëlushja kishte mbledhur buzët dhe i dridheshin a thua do të shpërthente në lot nga momenti në moment.
Me buzët varur dhe vetullat e vrenjtura shikonte nga e ëma me sy të kristaltë.
Nëna e saj duke e parandjerë stuhinë ngrihet, merr karrocën e i afrohet vogëlushes.

Ulet në gjunjë përpara saj edhe ja heq një nga një gjethet kokëforta që nuk iknin nga kaçurrelat e buta të vogëlushes, duke e puthur ne faqe e në flokë. Vajza mblidhte herë pas here buzët dhe shikonte rrotull, a kishte njeri që po e vështronte. Kur hidhte sytë vërdallë buzëqeshte, se ajo ishte vajzë e rritur dhe nuk qante. Mami, po po ajo e kishte fajin që po e përkëdhelte e puthte ndërsa i largonte gjethet nga flokët., ajo ishte çupë e madhe, nuk donte.

Pasi e ëma e pastron vajza fillon të hidhet sërisht dhe të tre nisin të largohen nga parku.

Vazhdoj të pi kafen time ndërkohë që ndiqja me sy siluetën e gruas që shtynte karrocën dhe vogëlushes që kërcente sa andej këtej dhe seç i tregonte së ëmës që e ndiqte vetëm me një buzëqeshje të habitur.

Kushedi ndonjë nga pyetjet tejet të sikletshme -Pse?.

Duke ndjekur ato me sy, shikoj filxhanin tim të kafesë që ishte boshuar. E shtyj tutje tabanë e argjentë dhe mbi të vendos lekët që duhet të paguaj.
Ngrihem, vesh pallton, hedh çantën në krahë dhe duke lidhur shallin pasi përshendetem me kamarieren, dal në derë. Këmbët më cojnë tek i njëjti grumbull gjethesh si vogëlushen dhe filloj i shtyj sa të dëgjoj kërcitjen e ëmbël të vjeshtës.
Më pëlqen, më pëlqen muzika e vjeshtës... ndërkohë mbrëmja ka hedhur një mantel gri mbi pemë dhe qiellin po e mbulojnë re shiu.
Është vjeshtë... errësohet shpejtë dhe stuhitë e shiut vijnë kur të duan.
Shtrëngohem fort pas palltos, e dehur me vjeshtë nxitoj hapat drejt shtëpisë sime.
Tashmë në garë, kush është më i shpejtë unë, apo shiu.

© Erjola Kola 

Piktura nga: Aulona Goxhaj  - ''Dashuri Vjeshte''

17 July 2013

Fytyrëhënëzat.

Duke shkuar për në fshatin e tij përtej kodrës e zuri nata në hyrjen e një pylli. Errësira e nata e errët, degët e pemëve të gërshetuara e bënë të humbas orientimin edhe u gjend në një pllajë pa jetë e bimësi. Ish i uritur trimi, po nuk gjeti gjë përreth për të shuar urinë e etjen e tij të madhe.
Hëna në qiell i shkëlqeu fuqishëm e atij iu duk sikur i tha që ta ndiqte. Iu bind e duke e ndjekur me sy, papritur e papandehur u gjend në një fshat.


E quanin fshati i fytyrëhënëzave.

Emrin thonë e kish marrë nga bukuria e vashave, fytyrë rrumbullake e faqebardha si hëna pesëmbëdhjetëshe. Ky fshat ishte ndërtuar mbi një shkëmb. Një shkëmb i thepisur që pasqyrohej në sipërfaqen e detit dhe me dallgët grindej keq, sa ato gjithë inat përplaseshin me furi mbi shkëmbin tekanjoz.
Të gjithë djemtë e rinj të fshatit ishin të martuar, e të gjithë në krahë kishin vasha hënëza, e të gjitha familjet kishin vetëm djem trashëgimtarë, asnjë vashëz.

Vashat janë të qiellit e të diellit, thuhej.

E mirëpritën udhëtarin, e ushqyen, i dhanë për të pirë i ofruan strehë për të fjetur e shplodhur. Gjithçka i falën udhëtarit, veç sekretin e fshatit të hënëzave askush nuk ia tregoi. Ai pyeste, shikonte hënëzat në sy e merrte veç buzëqeshje mirësie pa asnjë fjalë.
Dëgjoi në fshat që ish nata e hënës. Askush nuk i shpjegoi ç'ish kjo natë, ndaj mori rrugën për të arritur në majën e shkëmbit atje, ku mund të fliste vetë me hënën, e yjet.
Nuk kuptonte, e donte të dinte. Ç' ish ky fshat i çuditshëm? Kur vasha nuk kishte, nga dolën këto fytyrë rrumbullake që zbukuronin fshatin. Këto mendonte trimi përgjatë rrugës për në majën e shkëmbit.
Kur flet me zemër e shpirt e gjithë gjithësia hesht të dëgjon, përgjigjet dhe jeton me ty. I bindur që hëna do i kthente përgjigje pyetjeve që i digjnin në shpirt, ngjit shkëmbin nxitimthi. Në pikën më të lartë të tij, në mesnatë hëna dhe trimi u panë në sy.
I ulur në gjunjë me duart e lidhura grusht lutës, i përgjërohet hënës që ajo t'i flasë. Ish rrumbullake, e bardhë, e kristaltë, e brishtë si hënëzat e fshatit. Ishte e plotë.

''Më fol moj Hënë, brengën e shpirtit tim a e ndjen? Folmë Hënë, se përgjigjet pyetjeve të mia vetëm ti ua gjen. Të lutem moj hënë, këtu i gjunjëzuar para teje, unë trimi i gjendur rastësisht kësaj ane, kur udhën e humba ti dhe drita jote më sollën këtu. Tani më tutje nuk shkoj dot se më ngeli shpirti në fshat e pyetjet më djegin xhanë... Folmë o e bardhë, folmë...''

U ul trimi këmbëkryq të shikonte hënën në sy, besonte ngaqë ajo i shpëtoi jetën pak orë më parë dhe e udhëhoqi në këtë fshat, sot do i fliste e tregonte përgjigjet e pse-ve që i gërryenin shpirtin.
Kaluan orë të tëra e hëna asnjë fjalë nuk i foli. E ndërkohë që ajo nuk ia ndante syrin e argjendtë fshatit që nga pafundësia e qiellit, një dorë iu mbështet mbi sup dhe e detyroi të tërhiqej për ta parë drejt e në sy, atë që e shqetësoi këtë mbrëmje misteresh. U tërhoq pas dhe ç'të shikonte, përpara syve qëndronte ''E bukura e Dheut'', vajza më e bukur që jetonte në tokë. U mahnit nga bukuria e saj, e fjalët i ngecën në fyt. U ngrit në këmbë për të respektuar bukurinë e mirësinë që i pushtuan sytë e shpirtin, e më dot nuk mund të fliste. Por, ''E Bukura e Dheut'' dinte çdo gjë. I dha dorën dhe e ftoi të uleshin në tokë. Trimi e vështronte i mahnitur me sy plot me pyetje, ajo nuk e la të priste më gjatë dhe vazhdoi:

''Këtu trim je në fshatin e fytyrëhënëzave. Në fshatin e vashave të bukura, fytyrë rrumbullake si Hëna 15 ditëshe. U çudite që nuk pe asnjë vashë. U çudite nga dilnin këto mrekulli. Është e thjeshtë trim. Kur një djalë mbush moshën për t'u martuar, si të gjithë paraardhësit e tij ai ngjitet në majën e këtij shkëmbi. Në natën e hënës, hëna është e plotë e bukur dhe e shndritshme, e tregon gjithë fytyrën e buzëqeshjen e saj, djemtë të magjepsur i thurrin asaj vargje e i lusin të martohet me ta. Ajo lodron në qiell me yjet, fshihet herë pas here pas reve e kur faqja e saj puthet me ujin e kaltër të detit ajo shndërrohet në një vashëz të re. Një vashëz shtatëselvi e fytyrëhënëz, e bardhë, e qeshur e plot hijeshi. Djali lëshohet me vrap ta arrijë vashën në breg dhe nën mbrojtjen e yjeve e qiellit i premtojnë njëri-tjetrit dashuri. Qielli e dielli i lënë të largohen me premtimin që fëmija i tyre i parë i përket atyre. Ajo është gjithmonë vajzë, e gjithmonë i kthehet qiellit. Ajo është hëna e re. Ajo hënë që lind çdo 15 ditë, e plotë, e bukur, e rrumbullaktë e plot dritë. E ajo vazhdon shëtitjen e saj qiejve, derisa djaloshi i saj në majën e shkëmbit vargje zemre do t'i pëshpërisë. E pas saj një tjetër hënë do e marrë vendin e saj, e pas saj një tjetër, një tjetër, një tjetër... ''

Trimi i menduar kishte ulur kokën e kur dëshironte ta pyeste më tepër të ''Bukurën e Dheut'' për këtë histori magjike, vuri re që ajo kishte ikur. Ai dhe hëna ishin vetëm, e ajo po e shihte në sy. I mrekulluar pas saj, iu përul bukurisë dhe e la zemrën të flasë...

**Legjenda tregon që trimi nuk u kthye më kurrë në fshatin e tij, ai u martua me një fytyrëhënëz dhe bija e tij e parë ish hëna më e bukur dhe e shndritshme që ato anë kishin parë ndonjëherë. Ish bijë dashurie, ajo hënë e re...



©Erjola Kola (botuar në numrin e kësaj jave të Gazetës Nacional! )

Piktura ''Bijat e Hënës'' e frymëzuar nga kjo përrallë, e realizuar mrekullisht bukur nga mikja ime Aulona Goxhaj

01 July 2013

U bë kohë...

U bë kohë që nuk pyes: "Pse unë?"; "Pse mua?".
U bë kohë që nuk më interesojnë më arsyet, por vetëm pasojat.
U bë kohë që mirëpres gjithçka në ditën time.
U bë kohë që nuk kundërshtoj të ndodhurën, por luftoj ta mposht atë.
U bë kohë që notoj kundër rrymës të dalë në sipërfaqe.
U bë kohë që ajri im vishet me të tjera ngjyra.
U bë kohë që bota ime harroi të ankohet.
U bë kohë që kam përqafuar buzëqeshjen, optimizmin dhe jetën.
U bë kohë, që jam kjo, UNË !
U mësova me të gjitha, veçse një lëvozhgë s'e përtyp dot.
Me vetminë nuk do mësohesha dot...
Ndaj besoj që nuk jam asnjëherë vetëm, qoftë me mendim, dikush është me mua!
Gjithmonë!!!


© Erjola Kola (fillimviti 2012)