17 July 2013

Fytyrëhënëzat.

Duke shkuar për në fshatin e tij përtej kodrës e zuri nata në hyrjen e një pylli. Errësira e nata e errët, degët e pemëve të gërshetuara e bënë të humbas orientimin edhe u gjend në një pllajë pa jetë e bimësi. Ish i uritur trimi, po nuk gjeti gjë përreth për të shuar urinë e etjen e tij të madhe.
Hëna në qiell i shkëlqeu fuqishëm e atij iu duk sikur i tha që ta ndiqte. Iu bind e duke e ndjekur me sy, papritur e papandehur u gjend në një fshat.


E quanin fshati i fytyrëhënëzave.

Emrin thonë e kish marrë nga bukuria e vashave, fytyrë rrumbullake e faqebardha si hëna pesëmbëdhjetëshe. Ky fshat ishte ndërtuar mbi një shkëmb. Një shkëmb i thepisur që pasqyrohej në sipërfaqen e detit dhe me dallgët grindej keq, sa ato gjithë inat përplaseshin me furi mbi shkëmbin tekanjoz.
Të gjithë djemtë e rinj të fshatit ishin të martuar, e të gjithë në krahë kishin vasha hënëza, e të gjitha familjet kishin vetëm djem trashëgimtarë, asnjë vashëz.

Vashat janë të qiellit e të diellit, thuhej.

E mirëpritën udhëtarin, e ushqyen, i dhanë për të pirë i ofruan strehë për të fjetur e shplodhur. Gjithçka i falën udhëtarit, veç sekretin e fshatit të hënëzave askush nuk ia tregoi. Ai pyeste, shikonte hënëzat në sy e merrte veç buzëqeshje mirësie pa asnjë fjalë.
Dëgjoi në fshat që ish nata e hënës. Askush nuk i shpjegoi ç'ish kjo natë, ndaj mori rrugën për të arritur në majën e shkëmbit atje, ku mund të fliste vetë me hënën, e yjet.
Nuk kuptonte, e donte të dinte. Ç' ish ky fshat i çuditshëm? Kur vasha nuk kishte, nga dolën këto fytyrë rrumbullake që zbukuronin fshatin. Këto mendonte trimi përgjatë rrugës për në majën e shkëmbit.
Kur flet me zemër e shpirt e gjithë gjithësia hesht të dëgjon, përgjigjet dhe jeton me ty. I bindur që hëna do i kthente përgjigje pyetjeve që i digjnin në shpirt, ngjit shkëmbin nxitimthi. Në pikën më të lartë të tij, në mesnatë hëna dhe trimi u panë në sy.
I ulur në gjunjë me duart e lidhura grusht lutës, i përgjërohet hënës që ajo t'i flasë. Ish rrumbullake, e bardhë, e kristaltë, e brishtë si hënëzat e fshatit. Ishte e plotë.

''Më fol moj Hënë, brengën e shpirtit tim a e ndjen? Folmë Hënë, se përgjigjet pyetjeve të mia vetëm ti ua gjen. Të lutem moj hënë, këtu i gjunjëzuar para teje, unë trimi i gjendur rastësisht kësaj ane, kur udhën e humba ti dhe drita jote më sollën këtu. Tani më tutje nuk shkoj dot se më ngeli shpirti në fshat e pyetjet më djegin xhanë... Folmë o e bardhë, folmë...''

U ul trimi këmbëkryq të shikonte hënën në sy, besonte ngaqë ajo i shpëtoi jetën pak orë më parë dhe e udhëhoqi në këtë fshat, sot do i fliste e tregonte përgjigjet e pse-ve që i gërryenin shpirtin.
Kaluan orë të tëra e hëna asnjë fjalë nuk i foli. E ndërkohë që ajo nuk ia ndante syrin e argjendtë fshatit që nga pafundësia e qiellit, një dorë iu mbështet mbi sup dhe e detyroi të tërhiqej për ta parë drejt e në sy, atë që e shqetësoi këtë mbrëmje misteresh. U tërhoq pas dhe ç'të shikonte, përpara syve qëndronte ''E bukura e Dheut'', vajza më e bukur që jetonte në tokë. U mahnit nga bukuria e saj, e fjalët i ngecën në fyt. U ngrit në këmbë për të respektuar bukurinë e mirësinë që i pushtuan sytë e shpirtin, e më dot nuk mund të fliste. Por, ''E Bukura e Dheut'' dinte çdo gjë. I dha dorën dhe e ftoi të uleshin në tokë. Trimi e vështronte i mahnitur me sy plot me pyetje, ajo nuk e la të priste më gjatë dhe vazhdoi:

''Këtu trim je në fshatin e fytyrëhënëzave. Në fshatin e vashave të bukura, fytyrë rrumbullake si Hëna 15 ditëshe. U çudite që nuk pe asnjë vashë. U çudite nga dilnin këto mrekulli. Është e thjeshtë trim. Kur një djalë mbush moshën për t'u martuar, si të gjithë paraardhësit e tij ai ngjitet në majën e këtij shkëmbi. Në natën e hënës, hëna është e plotë e bukur dhe e shndritshme, e tregon gjithë fytyrën e buzëqeshjen e saj, djemtë të magjepsur i thurrin asaj vargje e i lusin të martohet me ta. Ajo lodron në qiell me yjet, fshihet herë pas here pas reve e kur faqja e saj puthet me ujin e kaltër të detit ajo shndërrohet në një vashëz të re. Një vashëz shtatëselvi e fytyrëhënëz, e bardhë, e qeshur e plot hijeshi. Djali lëshohet me vrap ta arrijë vashën në breg dhe nën mbrojtjen e yjeve e qiellit i premtojnë njëri-tjetrit dashuri. Qielli e dielli i lënë të largohen me premtimin që fëmija i tyre i parë i përket atyre. Ajo është gjithmonë vajzë, e gjithmonë i kthehet qiellit. Ajo është hëna e re. Ajo hënë që lind çdo 15 ditë, e plotë, e bukur, e rrumbullaktë e plot dritë. E ajo vazhdon shëtitjen e saj qiejve, derisa djaloshi i saj në majën e shkëmbit vargje zemre do t'i pëshpërisë. E pas saj një tjetër hënë do e marrë vendin e saj, e pas saj një tjetër, një tjetër, një tjetër... ''

Trimi i menduar kishte ulur kokën e kur dëshironte ta pyeste më tepër të ''Bukurën e Dheut'' për këtë histori magjike, vuri re që ajo kishte ikur. Ai dhe hëna ishin vetëm, e ajo po e shihte në sy. I mrekulluar pas saj, iu përul bukurisë dhe e la zemrën të flasë...

**Legjenda tregon që trimi nuk u kthye më kurrë në fshatin e tij, ai u martua me një fytyrëhënëz dhe bija e tij e parë ish hëna më e bukur dhe e shndritshme që ato anë kishin parë ndonjëherë. Ish bijë dashurie, ajo hënë e re...



©Erjola Kola (botuar në numrin e kësaj jave të Gazetës Nacional! )

Piktura ''Bijat e Hënës'' e frymëzuar nga kjo përrallë, e realizuar mrekullisht bukur nga mikja ime Aulona Goxhaj

2 comments:

  1. eh kush nuk i pelqen perrallat ....e mrekullueshme :) bravo (e)

    ReplyDelete
  2. Ahhh sa me pelqeu edhe kjo. Tamam perralle. Jo si keto perrallat qe u lezojme tani femijeve. Kjo eshte si ato qe na lezonte mami cdo nate ne oren 7 kur na iknin dritat! Mezi prisnim te iknin dritat ndersa tani femijet merziten po ndodhi nje gje e tille se ska inernet. Bravo :-) tani avash avash mblidhi te gjitha qe te mund ti kemi ne liber Perrallat e buzeqeshjes.

    ReplyDelete