20 December 2014

''Një ëngjëll për Sofinë.''

Flakët e zjarrit bubulak kërcenin në oxhakun e veshur me rroba festive. Degëza bredhi, drita shumëngjyrëshe dhe çorapet e kuqe të varura i jepnin hijeshi e një pamje të ngrohtë dhomës. Mbi oxhak, në parmakun e tij kishte korniza fotografish. Edhe mbi to ishin ngjitur fjongo dhe xixa të denja për të përfaqësuar festat e fundvitit. Përbri oxhakut qëndronte një kolltuk lëkundës. Ishte ulur aty, mbuluar këmbët me një kuvertë të kuqe, ndër krye mbante shaminë e saj të bardhë dhe në buzë i ishte pikturuar buzëqeshja më e ëmbël e mundshme. E përqëndruar në punën e saj i shkëpuste herë pas here sytë e i gëzohej zjarrit që dridhej e përdridhej në vatër a thua sikur të donte pakëz vëmendje e ndonjë buzëqeshje nga ajo.
Në duar mbante pesë shtiza të vogla edhe ishte duke thurrur një palë çorape me kujdesin më të madh. I kishte stolisur me fjongo, me dredhka e lulka. Ishin të kuqe ndaj me siguri ishin për një vajzë. Në krahun e kolltukut kishte mbështetur një palë çorapka të tjera blu të përfunduara.

Sa shumë dashuri kishte në sytë e saj. Sa shumë ëmbëlsi e sa shumë durim. Këto e shumë të tjera po mendoja kur e pashë. Ajo nuk më shihte mua.

Ajo nuk e dinte që në atë dhomë isha edhe unë. Në netët e Krishtlindjeve shkoja gjithmonë mysafire në ndonjë familje. E shijoja kaq shumë darkën e Krishtlindjes, por më shumë shijoja dashurinë e mirësinë që pushtonte çdo sofër. Duke parë e admiruar gjyshen e ulur në kolltuk u ndjeva më afër kësaj familjeje.

A thua se kisha qënë këtu më parë?

U tremba kur dëgjova derën të hapej furishëm e dy vogëlushë të hidheshin duke e mbuluar në puthje e përqafime atë. E dëgjoja sesi zemra i gufonte nga gëzimi. Ishte kaq e lumtur.
Diçka e fuqishme më shtyu që të ulesha këmbëkryq pikërisht në sofrën e kësaj familje sot në Natën e Shenjtë. E kisha zakon të përvitshëm, doja edhe unë të kaloja të paktën Krishtlindjen në familje. Më besoni jeta e një Zane nuk është dhe aq e lehtë.

- ''Nëna, o nëna erdhëm ne. Duam përrallën. Duam vazhdimin.'' - u dëgjuan të thonin në kor vogëlushët. Ishin një djalë edhe një vajzë, binjakë të dy. Ngjanin shumë dhe mbanin veshur të njëjtën bluzë edhe pse me ngjyra të ndryshme. U ulën në këmbët e gjyshes, e as që i vunë re prindërit që shkuan në kuzhinë të mbaronin përgatitjet për darkën e madhe të festës. Gjyshja pasi e ndjeu shpirtin t'i mbushej me kaq shumë jetë iu puthi doçkat dhe nisi të tregojë përrallën.

Gjyshja ua tregoi nipërve e unë miq po ua tregoj juve, ju tregojani miqve tuaj...

- ''Do t'iu tregojë për Natën e Shenjtë të Sofisë... dhe nisi...
- Mundimshëm i hapi syçkat e kaltër atë mëngjes Sofia. U drodh e përdrodh disa herë në krevat, u rrotullua llastueshëm dhe ngriti duart të përqafonte mamin që ishte ulur në cepin e krevatit të saj.

Sofia ishte një vajzë pesë vjeçare me flokët e arta e sytë e kaltër. Rrezet e arta të diellit i përkëdhelnin sytë e vogëlushja ende nuk ishte zgjuar plotësisht.

U bë viti i pestë që Sofia priste Babagjyshin e Vitit te Ri në dhomën e një spitali. Një dhomë me mure të bardhë, çarçafë të bardhë, një batanije rozë dhe në një cep karrigia jeshile ku ulej nëna e saj. Sa herë e frikësonte kjo dhomë e akullt i hidhte sytë andej nga cepi ku ulej nëna e saj, merrte gjithmonë një buzëqeshje dhe nuk kishte më frikë. Kur nëna buzëqesh, nuk ke më frikë. Kur nëna të buzëqesh, ti e di që gjithçka do të shkojë mirë.
Nëna thurrte çorape që vogëlushja t'i vishte në dimër dhe të mos ndjente ftohtë. I kishte premtuar që do t'ia mësonte edhe asaj sesi thurreshin çorapkat ashtu me pesë shtiza me shumë durim, me shumë dashuri dhe dilnin aq të bukura.

Sofia i donte shumë përrallat dhe nëna i tregonte çdo ditë një përrallë të re. Një herë me një princ, një herë me një princeshë e shumë herë të tjera me Babagjysh të Vitit të Ri. Këto ditë i tregonte ëndrra me një ëngjëll që do të vinte nga larg për t'i sjellë asaj një dhuratë të mrekullueshme.

E vogëlushja ëndërronte, ëndërronte pas çdo përralle e jetonte disa orë të bukura në botën e princave e princeshave.
Ishte data 24 dhjetor dhe Sofia e dinte shumë mirë që mëngjesin e ditës tjetër një mal me dhurata do të vendoseshin në fundin e krevatit të saj e ajo duke u mbajtur ke krahu i babit do t'i hapte një nga një. Ishte gjëja që pëlqente më shumë dhe mezi priste mëngjesin. Darka ishte shumë e errët.

Mami i kishte thënë që sot dikush do t'i vinte për vizitë e ajo duhej të bëhej gati. U vesh shpejt e shpejt, nëna i krehu flokët, ia bëri gërshet dhe i vendosi një kordele të madhe, të kuqe. Ndërkohë që pinte gotën e madhe me qumësht dikush trokiti në derën e dhomës së saj.
Nëna mbajti frymën. Më në fund erdhi!

Një ëngjëll i veshur me të bardha hapi derën dhe u afrua i dha dorën vogëlushes, e më pas nënës së saj. Sofia hapi sytë e çuditur që ëngjëlli i ëndrrës, ëngjëlli i përrallës qëndronte tani përpara saj.

Ai u përkul mbi shtratin e vogëlushes dhe i tha:
''Sofi këtë vit dhuratat do t'i hapësh nën pemën e Vitit të Ri në shtëpinë tënde.'' U kthye nga nëna dhe me një fytyrë të qeshur e plot mirësi i thotë : - ''Shpëtoi zonjë. Sofia ia doli mbanë. Quajeni mrekulli apo çfarë të doni, por vogëlushja nuk rrezikon më. Maratona e saj pesë vjeçare mbyllet këtu, sot, tani.''
Nëna u përlot dhe u hodh të përqafonte Sofinë që ende shikonte e çuditur përreth. Ende s'e besonte që do të zgjohej në një tjetër shtrat, në një tjetër dhomë.
Atë pasdite Sofia u kthye në shtëpinë e saj dhe një festë e madhe e priste. Festuan, kënduan, kërcyen të gjithë e vonë shkuan të flenë. Sofia nuk harroi të ulej në krevatin e saj e të falenderonte ëngjëllin e bardhë që i solli lajmin e kthimit në shtëpi. Nëna i tha që e quanin Doktor Arditi.''

Fëmijët dhe unë kishim lotë ndër sy. Sa e bukur, vogëlushja Sofi kishte marrë dhuratën më të madhe në Natën e Shenjtë. Nuk na la kohë as të mendoheshim e gjyshja vazhdoi tregimin:

''Sofia ishte shumë e lumtur bijtë e mi. Ajo qau shumë në vitet e para të jetës. Kaloi shumë vitë në dhomën e bardhë të spitalit e njihte për miq vetëm infermieret e doktorët që e vizitonin. Madje as nga gjilpërat nuk kishte më frikë. Por ja në një natë si sot, shumë vite më parë Sofia u ul me familjen e saj në tavolinë dhe për herë të parë hëngrën darkë bashkë në shtëpinë e tyre. Ndaj është kaq e rëndësishme të jesh bashkë në këtë natë të veçantë. Sofia nuk u sëmurë më asnjëherë. Ëngjëlli e bëri mrekullinë, i solli asaj një jetë të re. Ajo shkoi në shkollë, u bë doktoreshë dhe për vite me radhë shëroi shumë fëmijë e ndihmoi që ata të ktheheshin në familjet e tyre. Sofia u martua e lindi një djalë. Djali i saj i fali një nip e një mbesë. Dy binjakë të bukur që i falnin kaq shumë jetë e dashuri. Ata uleshin në këmbët e saj e prisnin të dëgjonin përrallat e saj... Madje edhe në netë si kjo sot, të veçanta për të... të Shenjta për të tjerët...''

Nuk e lashë gjyshen të mbaronte, por plot mendime dola nga dhoma.

Unë e kuptova, gjyshja e kishte emrin Sofi... e ajo ishte fëmija e mrekullisë. Fëmija që priste për vite me radhë mrekullinë e ëngjëllit të bardhë.

E gjeta mrekullinë që kërkoja këto Krishtlindje,...

A e dini miq, unë besoj në mrekulli... besoj se ne të gjithë çdo ditë mund të bëjmë një mrekulli të vogël.
Le ta nisim duke dhuruar sa më shumë mirësi e buzëqeshje... Ka kaq shumë njerëz atje jashtë që kanë kaq nevojë.
Mos e harroni në Krishtlindje gjithmonë ndodh një mrekulli, ndoshta nesër e ke radhën ti.
Mos resht së shpresuari.
Gëzuar.

© Erjola Kola (14.12.2014)


Ps. Ideja për këtë përrallë ka lindur nga biseda me një miken time, që të kujtohemi të gjithë që në ditët e fundvitit jo të gjithë vogëlushët mund të festojnë e gëzojnë pranë famijeve të tyre.
Ka shumë fëmijë që luftojnë aty jashtë duke pritur ëngjëllin e lajmit të mirë.
Kjo përrallë iu dedikohet të gjithë këtyre luftëtarëve të vegjël.

13 September 2014

Petalka

''- O, ooo, mos, mos se do bie...'' - foli një zë i frikësuar, që mesa duket asnjë nuk e dëgjoi. Vogëlushja vazhdonte të përpiqej të këpuste lulen e bukur për t'ia dhuruar gjyshes së saj që e vështronte me sy të dashuruar e plot përkujdesje e ulur në njërin nga stolat e parkut.
''- Mos lulen, bija e nënës. Mos e këput, pasdite në petalet e luleve ulet dhe fle E Bukura e Dheut. Mos ia prish gjumin.'' - qeshi ëmbël gjyshja dhe i puthi me dashuri doçkat e vogla. Manjola, mbante emrin e një lule, e i adhuronte ato, por më shumë pëlqente historitë që nëna i tregonte për lulet, zanat e luleve, edhe për Të Bukurën e Dheut.
U larguan të dyja përdore ndërkohë u ndje sërisht zëri nga petalja e lules: ''- Më quajti Të Bukurën e Dheut... Hihihi hahaha faleminderit o nëna, po unë jam vetëm një zanë e vockël, zana e luleve.''
E quanin Petalkë e siç e kuptuat nuk është E Bukura e Dheut, por zana çamarroke që kujdeset për lulet. Çdo pasdite i pëlqente të ulej në lulet shumëngjyrëshe të parkut në periferi të qytetit, përmbi petalet e buta me të cilat ishte e detyruar të ndante emrin. I pëlqente ky vend, kaq i qetë, kaq i bukur (e kishte bekuar vetë ajo, me pluhurin e saj magjik), por më shumë, më shumë i pëlqente të vinte aty sepse vinin shumë gjyshe me nipërit e mbesat. Gjyshet janë kaq të mira, e dinë kaaaaaq shumë histori të bukura, sa Petalka jonë nuk i ndahej më këtij parku, e as gjysheve.
Çdo pasdite vinte edhe Manjola, vogëlushja 3 vjeçare me kordelen e kuqe ndër flokë përdore me gjyshen e saj, nëna Zana quhej ajo. E ky emër i pëlqente Petalkës, sepse ndante diçka edhe me nënën, edhe me Manjolën ishte edhe zanë edhe lule.

Po shumë pak e dinë që Petalka ndante edhe më shumë me gjyshe Zanën. Petalka kishte aftësinë të bëhej e dukshme për një fëmijë të vogël, të fliste me të e t'i mësonte shumë e shumë gjëra. Të bëhej shoqja e tij e ngushtë dhe këshilluesja e mbajtësja e sekreteve të rëndësishme fëminore. Edhe gjyshe Zana dikur, kur ishte fëmijë vinte në këtë park të luante. Edhe atë e sillte gjyshja e saj, edhe ajo donte të këpuste lulet derisa një ditë Petalka iu shfaq e shtrirë mbi petalet e një lule të kuqe.
Zana e vogël nuk u tremb, por u mahnit dhe donte ta prekte e ta shikonte nga afër atë magji. Petalka nisi t'i fliste për veten, për dashurinë e saj për lulet e sidomos për përkujdesjet e saj për çdo lule, çdo pemë e çdo petale përgjatë gjithë pranverës. Ajo i jepte jetë natyrës, bashkë me motrat e vëllezërit e saj shpërndaheshin kudo nëpër lule, fluturonin e lulëzonin gjithçka përreth me pluhurin e tyre magjik.

Gjyshe Zana e mbante mend këtë ngjarje si një ëndërr fëmijërie, megjithatë Manjolkës sonë të vogël i thoshte të mos këpuste lulet, gjithmonë me frikën se do të dëmtohej ndonjë zanë e vockël që pushonte përmbi petale. Por, kurrë s'do e kishte menduar se përmbi petale, pushonte ende ajo mikja e saj e fëmijërisë Petalka çamarroke. Një ditë të bukur nëna Zana dhe Manjola ishin ulur në stolin pranë pemës nga kishte marrë emrin vogëlushja dhe po bisedonin mjaft seriozisht. Kjo i pëlqeu shumë Petalkës, e cila vendosi të pushonte në lulet e manjolës atë pasdite. Donte të dëgjonte miken e saj të zemrës nëna Zanën. Manjola e vogël po e shikonte dhe ndiqte në çdo lëvizje fytyre gjyshen e saj e cila po i tregonte një tjetër përrallë me zana e me lule. Petalka qeshte se i kujtoheshin që ato nuk ishin trillime e ëndrra të gjyshes, ishin aventurat e tyre, ishte jeta e saj e vërtetë. Por kur rritemi gjithçka që kemi jetuar e përjetuar s'e shohim më si pjesë të reales, e mbajmë mend si nëpër mjegull, si një përrallë, si një ëndërr. Kështu dhe gjyshe Zana nuk e mbante mend se Zana e përrallës së saj ishte vetë ajo. Manjola e vogël u ngrit në këmbë e qëndroi përpara pemës me emrin e saj.

''- Lule të bukura manjola...''- tha vogëlushja dhe u afrua një dege që derdhej gjer në tokë donte të përkëdhelte patjetër një lule. U ngrit në gishtat e këmbës si një balerinë e vërtetë dhe me majat e gishtave përkëdheli lehtë një lule që i buzëqeshte nga dega më e ulët e pemës. Një e qeshur e ëmbël u dëgjua, buzëqeshja kur dikush të gudulis. Manjola pa njëherë rreth e rrotull, po nuk dalloi asgjë. Edhe gjyshe Zana ishte diku më tutje po bisedonte me nënat e tjera. U zgjat edhe njëherë në majat e gishtave dhe ripreku të njëjtën lule. U dëgjua e njëjta buzëqeshje dhe u panë dy syçka jeshilë që po shikonin me shumë ëmbëlsi Manjolën. Çuditërisht as Manjola nuk u tremb, ashtu sikundër gjyshja e saj vite më parë. I buzëqeshi zanës së vogël dhe shumë e lumtur i tha: ''- Oh, një zanë. E dija unë që këtu kishte zana.'' Fjali kjo e thënë me fjalët e mëdha të një 3 vjeçareje. Petalka nuk humbi kohë dhe u prezantua, ashtu denjësisht siç i takonte një zane lulesh. Manjola u ul në tokë dhe duatrokiste kur shihte kërcimin e Petalkës. Ajo kërcente me gjethet, me petalet, me erën dhe i tregonte Manjolës për jetën e një zane.

''- Unë jam zana e luleve. Ajo që çdo pranverë zgjohet nga gjumi i dimrit dhe vjen e ulet lule më lule. Ashtu siç të zgjon ty nëna çdo mëngjes, ashtu zgjoj edhe unë lulet me puthje e ledhatime. A e di ti sa dashuri na falin lulet? Pranvera është stina më e dashur për mua, po këtë e di ti se kot nuk jam zana e luleve unë.'' Petalka fliste dhe Manjola habitej e gëzohej, përplaste duart. Gjyshe Zana e shihte nga larg dhe i gëzohej gëzimit të padukshëm të Manjolës. Thellë-thellë edhe ajo e kuptonte atë që po ndodhte. Manjola i premtoi shoqes së saj që do të vinte gjithmonë, gjithmonë në këtë park që ato të luanin e gëzoheshin bashkë. Çdo ditë e njëjta gjë, i njëjti ritual, Manjola sapo hynte në rrugicën e parkut vraponte drejt manjolës së bukur afronte duart drejt luleve dhe priste që syçkat jeshilë të Petalkës t'i buzëqeshnin.

Uleshin të dyja në barin e mbushur plot e përplotë me lule dele, thurrnin kurora e tregonin histori e përralla. Manjola i tregonte përrallat që i thoshte gjyshja, e Petalka i tregonte për vëllezërit e motrat e saj.

Ditët kalonin ngadalë - ngadalë dhe pranvera i la vendin verës, e ngadalë - ngadalë vera u preh në krahët e vjeshtës e kjo e fundit iu dorëzua dimrit.
Manjola i kaloi pushimet e verës në plazh bashkë me gjyshen e saj të dashur Zanën dhe prindërit e saj. Petalka nuk pushonte as në verë, qëndronte në park e freskonte me vesë lulet trimoshe që luftonin dhe ato me vapën verore. Në shtator, Manjola u regjistrua në kopsht. Ishte gocë e rritur tashmë, për pak ditë bënte 4 vjeçe. Petalka në vjeshtë fluturonte me gjethet e pemëve dhe i ndihmonte të binin butë në tokë. Fluturonte sa andej këtej dhe puthte çdo pemë e i uronte të pushonin të qeta në dimër, sepse në pranverë ajo prapë do t'i zgjonte me puthje e me lule. Cicërimat e zogjve do të ndiheshin sërisht, edhe cicërimat e fëmijëve do t'i jepnin parkut të njëjtën gjallëri e lumturi.

Ishte një stinë e bukur pranvera që kaloi, Petalka njohu një tjetër mikeshë të vogël, ashtu siç ndodhte çdo vit. Manjolën nuk do e harronte, edhe pse vogëlushja nuk kthehej më në atë park. Ishte e sigurt, që ajo nuk jetonte më në atë qytet, e kushedi sa do ishte mërzitur që nuk e puthi dot për herë të fundit në flokët e saj të artë, gjithmonë të lidhura me një kordele të kuqe.

*******
Petalka hapi sytë e përgjumur. Kishte fjetur gjatë, një nga dimrat më të gjatë që kishte parë ndonjëherë ndaj ishte koha që të zgjohej e t'i jepte jetë pranverës. Për disa ditë mbërrinte 1 Marsi dhe pranvera duhet t'iu tregonte të gjithëve që ishte rrugës duke ardhur. U ngrit në fluturim dhe iu drejtua parkut të saj të dashur. Me puthje, ledhatime e pluhur magjik filloi të zgjonte pemët, lulet e përgjumura dhe barin e njomë. Kërcente sa andej këtej e i falte jetë e gjallëri parkut. Zogjtë e shoqëronin me këngën e tyre. Cicërimat e një vogëlusheje u dëgjuan dhe Petalka u ndal që ta shikonte vizitorin e parë të parkut në pritje të pranverës. E zënë në turp si ajo zonja e shtëpisë që nuk i patë mbaruar punët e shtëpisë dhe i erdhi miku papritur, ajo ndali gjithçka që ta priste me pranverë vogëlushin që vraponte.
''- Petalka mamit mos vrapo aq shumë se do biesh...''
Këto fjalë dëgjoi zana e luleve dhe u çudit jashtë mase, emrin e saj e mbante tashmë një vogëlushe. E shikon me vëmendje të ëmën e saj, e një buzëqeshje i mbuloi fytyrën vesh më vesh. Ishte Manjola, mikja e saj e lojërave kur ishe ende një vocërrake.
Sa shumë pranvera kishin kaluar që atëherë... Sa shumë kohë, e sa shumë mall.
Manjola u rikthye pas kaq shumë pranverash sërisht në atë park, ku fëmijëria e saj kishte gjetur të tjera ngjyra. Aty ku kishin lindur aq shumë kujtime. Gjithmonë rikthehemi aty ku kemi lënë copëza të fëmijërisë. Manjola ishte rritur, e tashmë s'dinte më ta dallonte a ishin ëndrra apo të vërteta takimet me zanën e luleve, por emrin e mbante mend mirë dhe vogëlushja e saj e parë u quajt Petalkë.
Manjola iu drejtua pemës së manjolës, i puthi sythet e buzëqeshi, ashtu si atëherë kur ishte e vogël dhe në majë gishtash kërkonte të kapte njërën lule. Zana e luleve, Petalka kishte sy veç për Petalkën e vogël, derisa një zë e zgjoi: ''- Mos i këput manushaqet Petalkë, ato lajmërojnë pranverën. Mos i këput lulet, ato janë aq të bukura e na falin aq dashuri. Në lule fle edhe E Bukura e Dheut.''

Zana e luleve buzëqeshi për të disajtën herë. Të gjithë e quanin E Bukura e Dheut, për dashurinë e saj për lulet, për pranverën, për fëmijët e për kujtimet e tyre e sidomos për shpirtin e saj të bukur, si një pranverë në lulëzim.

Atje në parkun në të dalë të qytetit, në çdo pranverë kur shihni lulet të buzëqeshin e nën rrezet e diellit të ndriçojnë, mos harroni të kujtoni Petalkën e bukur. Zana e luleve po i rikthen gjallërinë parkut e bashkë me cicërimat e zogjve pret edhe cicërimat e fëmijëve. Mbyllni sytë, me sytë e shpirtit mund ta shihni zanën e ëmbël të luleve, ajo që sjellë pranverën.

Dhe mos harroni: Mos i këpusni lulet, Petalka pushon në to, gjithmonë.



Erjola Kola © ( 25 – 26 Prill 2014)

Vizatimi Aulona Goxhaj ©

19 March 2014

Bota ime!

E njeh ti boten time...?
Je munduar ndonjehere ta kuptosh?
Po mua a je munduar ndonjehere te me kuptosh?
E ndjen ndonjehere si rreh zemra ime?
E kupton ndonjehere perse rreh zemra ime?
Je perpjekur ndonjehere te kuptosh c'te tregon cdo rrahje e saj?
Je perpjekur ndonjehere te kapesh lotet e zemres?
E ke vene re buzeqeshjen si maske qe mbaj mbi buze?
E ke vene re sa here buzeqesh, per te mos qare?
Kur flet me mua, a degjon me te vertete ate qe te them?

Cdo tundje koke, eshte pohim qe po degjon apo nje ''Kujt iu be vone!'' ?

E njeh ti boten time?

Bota ime eshte e thjeshte.. Jam une ne nje sfere kristali...!

Une nje krijese e brishte, plot ndjenja te pastra....!

Une nje vajze e qeshur, e thjeshte, e dashuruar me jeten...!

Por...?!

Qe ndjehet e mbyllur ne ate sferen e saj te kristalit, si te ishte nje dekor i bukur per cdo shtepi...!

Nje dekor qe cdokush do te donte ta kishte ne shtepine e tij...!

Nje dekor qe nuk flet, nuk ka mendime, nuk ka ndjenja, nuk merzitet, nuk ofendohet, nuk ka inat, nuk ndjehet vetem...!

Nje dekor qe duhet vetem te miratoje dhe pohoje...!



Ke ngaterruar liber... Ky nuk eshte ''Shtepi Kukulle...!''....KJO ESHTE JETA IME...!



E pelqej sferen time te kristalit, ku jam futur...
Jam une, mendimet e mia, ndjenjat e mia, perjetimet e mia, eshte gjithcka kaq e paster dhe e brishte. Jashte saj jeni ju te gjithe qe s'me doni dhe s'me kuptoni!

Me cmend hipokrizia ,me tmerron genjeshtra dhe deshira juaj te vendosni rregull ne jeten e dikujt tjeter... kur ende nuk keni sistemuar tuajen....!

Sa e lehte eshte te flasesh, e te perpiqesh te komandosh nje njeri... sidomos kur nuk perpiqesh ta kuptosh ate...!

Kur nuk deshiron as te degjosh, e as te kuptosh Pse-te e tij?

E di, ndonjehere kam frike qe ato britmat dhe pislleku i botes,do perpiqen te cajne kete sferen time... dhe do me duhet te dal prej saj...!

Do te me duhet te perballem me ty o bote?!

Nuk te kam frike e di.... jam e rrethuar nga shume njerez qe me duan, per kete qe jam, qe me japin force ne cdo moment..!

E kam perhere dike ku mund te mbeshtetem...!

Do jem e lumtur dhe jashte sferes sime...!

Une dua te jem e lumtur...!

Te marre guximin, te shtrengoj zemren fort qe te mos qaje... te detyroj syte te thajne lotet... te kap duart fort me njera-tjetren te mos dridhen... t'i them dhe rithem vetes me ze dhe pa ze, qe une jam e forte.... dhe duke veshur buzeqeshjen me te bukur qe une di te dhuroje....

DO PERBALLEM ME TY O BOTE... per te mbrojtur boten time...!

Edhe do ia dal mbane...! Te premtoj...!!! ((^_____^))

© Erjola Kola (16 mars 2011)