20 December 2014

''Një ëngjëll për Sofinë.''

Flakët e zjarrit bubulak kërcenin në oxhakun e veshur me rroba festive. Degëza bredhi, drita shumëngjyrëshe dhe çorapet e kuqe të varura i jepnin hijeshi e një pamje të ngrohtë dhomës. Mbi oxhak, në parmakun e tij kishte korniza fotografish. Edhe mbi to ishin ngjitur fjongo dhe xixa të denja për të përfaqësuar festat e fundvitit. Përbri oxhakut qëndronte një kolltuk lëkundës. Ishte ulur aty, mbuluar këmbët me një kuvertë të kuqe, ndër krye mbante shaminë e saj të bardhë dhe në buzë i ishte pikturuar buzëqeshja më e ëmbël e mundshme. E përqëndruar në punën e saj i shkëpuste herë pas here sytë e i gëzohej zjarrit që dridhej e përdridhej në vatër a thua sikur të donte pakëz vëmendje e ndonjë buzëqeshje nga ajo.
Në duar mbante pesë shtiza të vogla edhe ishte duke thurrur një palë çorape me kujdesin më të madh. I kishte stolisur me fjongo, me dredhka e lulka. Ishin të kuqe ndaj me siguri ishin për një vajzë. Në krahun e kolltukut kishte mbështetur një palë çorapka të tjera blu të përfunduara.

Sa shumë dashuri kishte në sytë e saj. Sa shumë ëmbëlsi e sa shumë durim. Këto e shumë të tjera po mendoja kur e pashë. Ajo nuk më shihte mua.

Ajo nuk e dinte që në atë dhomë isha edhe unë. Në netët e Krishtlindjeve shkoja gjithmonë mysafire në ndonjë familje. E shijoja kaq shumë darkën e Krishtlindjes, por më shumë shijoja dashurinë e mirësinë që pushtonte çdo sofër. Duke parë e admiruar gjyshen e ulur në kolltuk u ndjeva më afër kësaj familjeje.

A thua se kisha qënë këtu më parë?

U tremba kur dëgjova derën të hapej furishëm e dy vogëlushë të hidheshin duke e mbuluar në puthje e përqafime atë. E dëgjoja sesi zemra i gufonte nga gëzimi. Ishte kaq e lumtur.
Diçka e fuqishme më shtyu që të ulesha këmbëkryq pikërisht në sofrën e kësaj familje sot në Natën e Shenjtë. E kisha zakon të përvitshëm, doja edhe unë të kaloja të paktën Krishtlindjen në familje. Më besoni jeta e një Zane nuk është dhe aq e lehtë.

- ''Nëna, o nëna erdhëm ne. Duam përrallën. Duam vazhdimin.'' - u dëgjuan të thonin në kor vogëlushët. Ishin një djalë edhe një vajzë, binjakë të dy. Ngjanin shumë dhe mbanin veshur të njëjtën bluzë edhe pse me ngjyra të ndryshme. U ulën në këmbët e gjyshes, e as që i vunë re prindërit që shkuan në kuzhinë të mbaronin përgatitjet për darkën e madhe të festës. Gjyshja pasi e ndjeu shpirtin t'i mbushej me kaq shumë jetë iu puthi doçkat dhe nisi të tregojë përrallën.

Gjyshja ua tregoi nipërve e unë miq po ua tregoj juve, ju tregojani miqve tuaj...

- ''Do t'iu tregojë për Natën e Shenjtë të Sofisë... dhe nisi...
- Mundimshëm i hapi syçkat e kaltër atë mëngjes Sofia. U drodh e përdrodh disa herë në krevat, u rrotullua llastueshëm dhe ngriti duart të përqafonte mamin që ishte ulur në cepin e krevatit të saj.

Sofia ishte një vajzë pesë vjeçare me flokët e arta e sytë e kaltër. Rrezet e arta të diellit i përkëdhelnin sytë e vogëlushja ende nuk ishte zgjuar plotësisht.

U bë viti i pestë që Sofia priste Babagjyshin e Vitit te Ri në dhomën e një spitali. Një dhomë me mure të bardhë, çarçafë të bardhë, një batanije rozë dhe në një cep karrigia jeshile ku ulej nëna e saj. Sa herë e frikësonte kjo dhomë e akullt i hidhte sytë andej nga cepi ku ulej nëna e saj, merrte gjithmonë një buzëqeshje dhe nuk kishte më frikë. Kur nëna buzëqesh, nuk ke më frikë. Kur nëna të buzëqesh, ti e di që gjithçka do të shkojë mirë.
Nëna thurrte çorape që vogëlushja t'i vishte në dimër dhe të mos ndjente ftohtë. I kishte premtuar që do t'ia mësonte edhe asaj sesi thurreshin çorapkat ashtu me pesë shtiza me shumë durim, me shumë dashuri dhe dilnin aq të bukura.

Sofia i donte shumë përrallat dhe nëna i tregonte çdo ditë një përrallë të re. Një herë me një princ, një herë me një princeshë e shumë herë të tjera me Babagjysh të Vitit të Ri. Këto ditë i tregonte ëndrra me një ëngjëll që do të vinte nga larg për t'i sjellë asaj një dhuratë të mrekullueshme.

E vogëlushja ëndërronte, ëndërronte pas çdo përralle e jetonte disa orë të bukura në botën e princave e princeshave.
Ishte data 24 dhjetor dhe Sofia e dinte shumë mirë që mëngjesin e ditës tjetër një mal me dhurata do të vendoseshin në fundin e krevatit të saj e ajo duke u mbajtur ke krahu i babit do t'i hapte një nga një. Ishte gjëja që pëlqente më shumë dhe mezi priste mëngjesin. Darka ishte shumë e errët.

Mami i kishte thënë që sot dikush do t'i vinte për vizitë e ajo duhej të bëhej gati. U vesh shpejt e shpejt, nëna i krehu flokët, ia bëri gërshet dhe i vendosi një kordele të madhe, të kuqe. Ndërkohë që pinte gotën e madhe me qumësht dikush trokiti në derën e dhomës së saj.
Nëna mbajti frymën. Më në fund erdhi!

Një ëngjëll i veshur me të bardha hapi derën dhe u afrua i dha dorën vogëlushes, e më pas nënës së saj. Sofia hapi sytë e çuditur që ëngjëlli i ëndrrës, ëngjëlli i përrallës qëndronte tani përpara saj.

Ai u përkul mbi shtratin e vogëlushes dhe i tha:
''Sofi këtë vit dhuratat do t'i hapësh nën pemën e Vitit të Ri në shtëpinë tënde.'' U kthye nga nëna dhe me një fytyrë të qeshur e plot mirësi i thotë : - ''Shpëtoi zonjë. Sofia ia doli mbanë. Quajeni mrekulli apo çfarë të doni, por vogëlushja nuk rrezikon më. Maratona e saj pesë vjeçare mbyllet këtu, sot, tani.''
Nëna u përlot dhe u hodh të përqafonte Sofinë që ende shikonte e çuditur përreth. Ende s'e besonte që do të zgjohej në një tjetër shtrat, në një tjetër dhomë.
Atë pasdite Sofia u kthye në shtëpinë e saj dhe një festë e madhe e priste. Festuan, kënduan, kërcyen të gjithë e vonë shkuan të flenë. Sofia nuk harroi të ulej në krevatin e saj e të falenderonte ëngjëllin e bardhë që i solli lajmin e kthimit në shtëpi. Nëna i tha që e quanin Doktor Arditi.''

Fëmijët dhe unë kishim lotë ndër sy. Sa e bukur, vogëlushja Sofi kishte marrë dhuratën më të madhe në Natën e Shenjtë. Nuk na la kohë as të mendoheshim e gjyshja vazhdoi tregimin:

''Sofia ishte shumë e lumtur bijtë e mi. Ajo qau shumë në vitet e para të jetës. Kaloi shumë vitë në dhomën e bardhë të spitalit e njihte për miq vetëm infermieret e doktorët që e vizitonin. Madje as nga gjilpërat nuk kishte më frikë. Por ja në një natë si sot, shumë vite më parë Sofia u ul me familjen e saj në tavolinë dhe për herë të parë hëngrën darkë bashkë në shtëpinë e tyre. Ndaj është kaq e rëndësishme të jesh bashkë në këtë natë të veçantë. Sofia nuk u sëmurë më asnjëherë. Ëngjëlli e bëri mrekullinë, i solli asaj një jetë të re. Ajo shkoi në shkollë, u bë doktoreshë dhe për vite me radhë shëroi shumë fëmijë e ndihmoi që ata të ktheheshin në familjet e tyre. Sofia u martua e lindi një djalë. Djali i saj i fali një nip e një mbesë. Dy binjakë të bukur që i falnin kaq shumë jetë e dashuri. Ata uleshin në këmbët e saj e prisnin të dëgjonin përrallat e saj... Madje edhe në netë si kjo sot, të veçanta për të... të Shenjta për të tjerët...''

Nuk e lashë gjyshen të mbaronte, por plot mendime dola nga dhoma.

Unë e kuptova, gjyshja e kishte emrin Sofi... e ajo ishte fëmija e mrekullisë. Fëmija që priste për vite me radhë mrekullinë e ëngjëllit të bardhë.

E gjeta mrekullinë që kërkoja këto Krishtlindje,...

A e dini miq, unë besoj në mrekulli... besoj se ne të gjithë çdo ditë mund të bëjmë një mrekulli të vogël.
Le ta nisim duke dhuruar sa më shumë mirësi e buzëqeshje... Ka kaq shumë njerëz atje jashtë që kanë kaq nevojë.
Mos e harroni në Krishtlindje gjithmonë ndodh një mrekulli, ndoshta nesër e ke radhën ti.
Mos resht së shpresuari.
Gëzuar.

© Erjola Kola (14.12.2014)


Ps. Ideja për këtë përrallë ka lindur nga biseda me një miken time, që të kujtohemi të gjithë që në ditët e fundvitit jo të gjithë vogëlushët mund të festojnë e gëzojnë pranë famijeve të tyre.
Ka shumë fëmijë që luftojnë aty jashtë duke pritur ëngjëllin e lajmit të mirë.
Kjo përrallë iu dedikohet të gjithë këtyre luftëtarëve të vegjël.

1 comment: