27 November 2012

Letër Shqipërisë, për 100 vjetorin e shpalljes së saj shtet i pavarur

E dashura ime Shqipëri,
Sa shumë të kanë kënduar në vite, sa shumë të kanë nderuar në vargje e tregime, vend legjendash, vend trimash e grash të bukura.
-”Zonjë e madhe, Zonjë e rëndë” – thoshte Vasa.

Po sot, ku je moj Shqipëri?

Çfarë të ka ngelur nga shkëlqimi ndër vite?
Drita jote është më e dobët se një qiri që tretet.
Të shoh kokëulur, aspak krenare, të lodhur nga prerjet në lëkurë, të zhgënjyer nga bijtë e tu, të tradhëtuar nga të gjithë, të braktisur.
Çfarë po ndodh me ty, a i ke humbur vërtetë edhe ti shpresat apo jam unë ajo që i kam humbur shpresat për ty?
Feston 100 vjetorin e Pavarësisë këtë vit.
100 vjet shtet i lirë dhe i pavarur.
100 vjet shtet sovran.
Por, a je vërtetë e tillë, e lirë, e pavarur, Zonjë e Madhe?!
Je peng e bijve të tu, që veç për ty s’mendojnë.
Je lënë në mes të katër rrugëve, atje ku s'di nga të shkosh, kë të ndjekësh e si të veprosh.
Mbi ty u bënë vite që janë drejtuar sytë skeptik e dyshues të Europës plakë.
Si ndihesh moj e mjerë që për çdo hap që hedh kërkon lejen e të mëdhenjve?
Si ndihesh moj e shkretë, kur të gjithë të kanë kthyer krahët dhe në trupin tënd kanë ngulur karriget e pushtetit dhe në to rrotullohen?
Si ndihesh kur shikon gjakun që derdhet në tokën tënde dhe ti s'mund të bësh gjë?
Si ndihesh kur lotët e nënave të lajnë e të përmbysin si shirat e vjeshtës?

Si ndihesh vetëm?

Je braktisur nga shumë të rinj që kërkojnë fatin e tyre jashtë kufijve të tu.
Je braktisur nga shumë të rinj të tjerë që mendojnë se shkolla jashtë shtetit është një mundësi më e mirë për një të ardhme më të qetë dhe sigurt.

Unë jam një prej tyre!

Jam larguar prej shumë vitesh, të studioj jashtë shtetit, gjithmonë me idenë se do të kthehem një ditë.
Madje shumë nuk më besonin kur thoja:'' Unë do të kthehem''.
E megjithatë unë doja... shpresoja, dëshiroja.
E bindur plotësisht se me diplomën në xhep do të kthehesha aty dhe do ndihmoja në rindërtimin tënd.
Do isha në krye të ndryshimeve të tua dhe do gëzohesha e krenohesha që edhe unë dhashë një pjesë timen.
E bindur se me vlerat që do merrja në dhe të huaj, do isha ndër të parët, që do vija të “të jepja një dorë”, të të shtyja të ecje para… se duhet të ecësh, të dalësh nga ngërçi ku ke ngecur tani.

Po, këto kanë qenë ëndrrat e mia.

Them kanë qenë, se sot unë i trembem kthimit.
Çdo herë që zbres nga aeroplani, e ndjej që jam në Shqipëri, është ajri ndryshe aty.
Nuk është atdhedashuri e marrë kjo e imja është ajër që të hap mushkritë dhe të mbush me jetë.
Çdo herë entuziazmi im që kam ardhur, zgjat deri në kontrollin e pasaportës.
Aty merr fund ëndrra, iluzioni që krijoj çdo herë në brendësinë time, se kësaj here gjithçka do të jetë ndryshe.
Zgjohem rëndë nga ëndrra dhe jam mëse e zgjuar për gjithë javët në vazhdim, për të parë gjithçka.
Zgjohem rëndë dhe përplasem në realitet me sytë e hapur për të vëzhguar gjithçka rreth e rrotull... (ndoshta për të gjetur një arsye të kthehem).
Ka shumë gjëra që nuk arrij t’i pranoj, ka shumë sjellje që nuk mundem t’i kuptoj, ka shumë veprime që më bezdisin, ka shumë njerëz që Shokun Zylo dhe miqtë e tij, më kujtojnë.
E unë sigurisht s’i marr vesh as s’i kuptoj (sipas tyre s’duhet t’i kuptoj, s’kam përse) se jetoj jashtë dhe në Shqipëri, ASHTU zgjidhen gjërat.
Unë nuk e kuptoj pse në Shqipëri ka më shumë Universitete private sesa studentë?!
Nuk e kuptoj pse duhet të kem besim në një diplomë të blerë “nën dorë” dhe t’i jap atij një mundësi punësimi, kur shumë studentë të tjerë të talentuar NUK gjejnë asnjë mundësi punësimi se nuk kanë mik, lekë apo diplomë shkolle private.
Unë nuk e kuptoj pse gjërat janë në dorë të një elite të zgjedhur, jo nga aftësitë, por nga fati i miqësive dhe gjakut.
Sa mundësi kam unë aty Shqipëri të arrij të punoj?
Unë nuk e kuptoj pse nuk i afrojnë të rinjtë të qëndrojnë, por u japin rrugët…largohen jashtë dhe s’punojnë për të, kështuqë dijet e tyre dhe energjitë i gëzon një shtet i huaj.

Megjithatë je me fat Shqipëri, ka ende shumë të rinj me zemër fisnike, që duan të ndryshojnë diçka tek ti.
Unë nuk jam patriote, nuk jam nga ata njerëz që dinë vetëm të mburren e mbyllin sytë, kur diçka nuk shkon. E keqja; e keqe ngelet, me sado lulka patriotizmi t’a veshësh e zbukurosh.
Unë e shaj vesin e keq, ashtu sikur nuk pranoj të mbroj një sjellje të keqe të një bashkëatdhetari timit.

Të keqes, kurrë s’kam ditur t’i vendos fjongo, e ta shes për të mirë!
E keqja ka nevojë për kurë e shërim, jo për atdhetarizëm të pavend.
Kam bërë shumë pyetje këtu, shumicës s’di t’i gjej përgjigje, por e ndjej se duhet t’ia bëjmë vetes të gjitha këto pyetje dhe të përpiqemi të gjejmë më të mirën e përgjigjeve.
Shpesh them që i kam humbur shpresat dhe nuk besoj më se do të bëhet Shqipëria.
Kjo është gjendja që më pushton sa here që vij në Shqipëri dhe i shoh nga afër ”ndryshimet” dhe ngërçet në dukje të pazgjidhshme (kështu shpresoj të paktën në dukje).
Megjithë pesimizmin që më pushton kur vij aty, thellë-thellë edhe unë ende shpresoj se do vijë një ditë kur “dashuria do të të bëjë nuse” (cit. Ernest Koliqi).
Thellë-thellë ende besoj që do kthehem një ditë aty dhe do bëj që zëri im të dëgjohet, sepse secili zë i një të riu që dëshiron të ndryshojë, duhet të dëgjohet.
Një ditë do të kthehem edhe unë në folenë nga ku mora krahë për t’u larguar sa më shumë asaj…
Do vijë një ditë, ku dhe unë do jem përkrah gjithë të tjerëve, që besojnë në ringjalljen tënde.
Thellë-thellë edhe unë si gjithë të tjerët uroj që 100 vjetori do të të gjejë Zonjë të nderuar, kryelartë dhe krenare.
E dashur Shqipëri, uroj që bijtë e tu në ditëlindjen tënde të trokasin gotat gjithë sëbashku dhe me përulje të kujtojnë bijtë e mëdhenj që u përkujdesën për ty.
E dashur, ti qëndro e fortë, ka ende njerëz që të duan... do të ketë gjithmonë.
Ka ende zemra që rrahin fortë mbi tokën tënde dhe ju dhemb çdo kollitje e jotja.
Shqipëri, ki durim... do të vijë dita jote, dita jonë.

Mbahu Shqipëri, ajo ditë s’do jetë e largët… dhe unë do të jem sërisht aty


© Erjola Kola

No comments:

Post a Comment