17 January 2013

Besomë!


Mos e lësho kurrë dorën time. 
Do të jem me ty.
Unë i mbaj premtimet gjithmonë.
Nuk të lë, asnjeherë vetëm, besomë.

Besomë, nuk humbi shpresa.
Ndonjëherë është e vetmja dorë që na zgjatet në errësirë, ndonjëherë është i vetmi shteg që ndeshim në rrugën tonë.
Ndonjëherë thjeshtë nuk e dimë që ajo, shpresa është aty, në ty, në zemrën tënde, në shpirtin tënd.
Ndonjëherë e humbim, e ndonjëherë na humb ajo.
Mos ja shuaj dritën, mos e mbyt, me dashuri ndize dhe besomë.

Besomë, jeta ka edhe humbje.
Madje më shumë ka humbje sesa fitore.
Një humbje, nuk është arsyeja për të hequr dorë.
Humbja është arsyeja për të luftuar, të mos ndalesh por edhe zvarrë, edhe me gjunj dhe shpirt të gjakosur me thonj në jetë të mbërthehesh dhe sërisht të ngrihesh.
Humbja nuk është asnjeherë fundi, është arsyeja për të rifilluar sërisht, besomë.

Besomë jeta ka edhe shi.
Pas çdo stuhie, dielli ringjallet fuqishëm dhe ndriçon më fortë se më parë.
Do të bjerë shi, do të trembin vetëtimat, do ndihesh i frikësuar, do ndihesh i dorëzuar, por do ngrihesh.
Do të ndriçosh me buzëqeshjen tënde më të bukur, më të ëmbël.

Besomë, jeta ka edhe diell.
Jeta ka katër stinë, ashtu sikundër viti.
Do kalosh në stinën e rrebesheve, do rrëshkasësh nga acari, ngrica dhe do marrësh frymë me ringjalljen e luleve.
Do kalosh në çdo stacion dhe do e gjesh dritën, diellin, rilindjen.
Mos u dorëzo, stina e shirave do kalojë, dielli do të ndriçojë përsëri, besomë.

Besomë jeta ka edhe dashuri.
Jeta është dashuri.
Në çdo shpirt mund të gjesh grimcën që të plotëson.
Shumë njerët do të vijnë dhë do të ikin në jetën tënde, vetëm ata më të lidhurit me ty do të qëndrojnë.
Ti dhe dashuria do të jeni bashkë në një formë apo në një tjeter.
Beso tek dashuria dhe ajo do e gjejë rrugën tek ti.
Besomë, jeta është buzëqeshje!

Hapi sytë.
Shikoje!
Ajo po të buzëqesh.
Buzëqeshi edhe ti, sot e përgjithmonë.

© Erjola Kola

2 comments:

  1. FALEMINDERIT esht pak per te te then ty per mesazhin e bukur qe jep ne cdo shkrim <3 (E)

    ReplyDelete
  2. Faleminderit ty qe me ndjek gjithmone, gjithandej :)

    ReplyDelete