19 January 2013

E si mund të qesh?!

Çfarëdo që të të them sot, e paske vendosur të jesh e mërzitur apo jo?
Çfarëdo leksion morali dhe optimizmi të të mbaj, prapë nuk do ndryshosh mendje?
Çfarëdo thënie me buzëqeshje dhe forcë të të diktoj, sërish do varësh buzët?
Edhe sikur të bëj kllounin e palaçon, prapë nuk do qeshësh?

-E si mund të qesh kur zemra vuan?!

Veshja e nje buzëqeshje nuk do të thotë që je njeriu më i lumtur në botë, që gjithçka të ecën për mrekulli dhe nuk ka njeri më fatlum sesa ti.
Veshja me një buzëqeshje nuk do të thotë qe je njeriu më moskokëçares që ekziston në këtë botë dhe gjithçka të ndodh ti prapë vazhdon e qesh.
Veshja me nje buzëqeshje asnjëherë nuk do të thotë që edhe zemra jote qesh.
Veshja me një buzëqeshje nuk do të thotë që je përherë e plotësuar shpirtërisht, që ke gjithçka dhe gjithkënd që ke dëshiruar të kishe afër.

Sikur të ishte vërtetë kështu!

Shumicën e rasteve kur buzëqesh ti fsheh një zemër që qan,
një zemër që ka mall,
një zemër që ndjen dhimbje,
një zemër që vuan,
një zemër që kërkon e pret një zemër tjetër,
një zemër të thyer,
një zemër të zhgënjyer.

Shumicën e rasteve kur ti buzëqesh, ti fsheh një shpirt të dorëzuar.

... por nuk është gjithmonë kështu ...

Jeta jonë është një mozaik i përbërë nga shumë copëza të vogla shumëngjyrëshe.
Ne punojmë çdo ditë në të, çdo ditë shtojmë një figurë, një ngjarje.
Ne çdo ditë ndertojmë jetën tonë.
Ne çdo ditë jemi artistët që përpunojmë dhe përmirësojmë të ardhmen e mozaikut tonë.
Në rastet kur copëza të mozaikut na humbasin rrugës;
na largohen ata... i harrojmë diku... i largojmë ne...
na harrojne ata... na braktisin për një tjetër mozaik.

...atëherë...

Po pra pikërisht atëherë... na duket sikur e ndalojmë punën në mozaik...

Atëherë na duket sikur humbëm gjithçka... atëherë na duket se mungon pjesa më e rëndësishme e mozaikut.

NUK MUND TË VAZHDOHET MË!!! (Vërtetë?)

E kush e tha këtë?!
Ulu një moment dhe mendo.
Si ka qenë më përpara?
A ke pasur përherë atë pjesë në ndërtimin e mozaikut?
A ka qenë ajo pjesë përherë prezente, në pikturën tënde të bukur shumëngjyreshe?
Sa bukur ka qenë pjesa kur ajo copëz bënte pjeseë në mozaik?!

Bukur apo jo?

Tani nuk është më!

Ç'ke ndërmend të bësh?
Do rrish të qash mbi qumështin e derdhur?
Ke durim ta mbledhësh sërish... më kot e ke...

Ndoshta e mbledh... por a mund ta pish sërish?!
A ia vlen? Sigurisht që nuk ia vlen.

Të duash veten tënde... aty fillon sfida më e vështirë, që të ofron jeta.

Të dashurosh dhe t'i duash të mirën vetes, kjo është dashuria më e madhe!

Pa shiko përreth... ke ende njerëz që të duan... dhe DUAN të jenë me ty.


Mendoje në qetësi.
Vështro mozaikun tënd të jetës.
Përgatit rrotullimin e radhës me karuzel.
Mos harro të bësh apelin.
Derdh një lot për ata që të kanë braktisur.
Shiko njëherë me inat për ata që të kanë lënë.
Buzëqesh njëherë fuqishëm për ata që të rrethojnë...
Dhe nisu... jeta të pret...

Shijoje... çdo cast... çdo moment...!

Ti nuk je asnjëherë vetëm... ështe gjithmonë dikush që mendon për ty... gjithmonë.



©Erjola Kola

2 comments:

  1. ti moj vajze je zeri ne mendjen time ,ti me lexon mendimet vetem me nje ndryshim se ti i jep vetes mjaft kurajo te cilen un nuk e kam :( ...te perqafoj kacurrelse (E)

    ReplyDelete
  2. Vertet nje shkrim i bukur. Respekt per ju

    ReplyDelete