06 April 2013

Ishte veç një moment.

E kisha vendosur do harroja me çdo kusht çdo sekondë, çdo moment, çdo çast të atij fundviti të mbrapsht... e kisha vendosur, e dëshiroja me të gjitha forcat e mia… por... me sa duket nuk munda.

Mjaftoi një ngjarje e ngjashme të më rikujtonte gjithçka.
Mjaftuan disa fjalë të thëna pa rëndësi, të rihapej një plagë e thellë, që ende më dhemb... shumë... shumë.
Mendova e kisha harruar.
Mendoja se e kisha hedhur pas krahëve.
Mendoja se ishte e shkuar tashmë.
Mendoja se nuk do ndjeja më dhimbje, nuk do derdhja më lot.

Mendoja.

Ndjeva të njëjtën dhimbje.
Ndjeva të njëjtën frikë.
Ndjeva të njëjtën pasiguri.
Ndjeva të njëjtin tmerr.
Ndjeva të njëjtën nevojë për të mos qenë vetëm.
Derdha të njëjtët lot, që për shumë kohë i kisha fshehur brenda meje.
U ndjeva kaq e brishtë... kaq e dobët... a thua do thyhesha në çdo çast.

Kisha frikë... Frikë nga frika!!!
Kur mendon se e ke mbyllur fort kapakun e kutisë së kujtimeve, mjafton një vrimë e vockel, diku në një cep... dhe gjithçka rinis sërish... ndoshta jo me ngjarje reale... por si një film me imazhe përpara syve të tu.
Të rishfaqet gjithçka.
Të njëjtat fytyra.
Të njëjtët njerëz që të qëndruan pranë... dhe imazhet e atyre që doje të kishe pranë...por...?!
Të njëjtat momente që deshe t'i harroje.
Të njëjtat dhimbje që s'doje t'i kishje më.
Të njëjtat mure që veshtrove me sy plot ankth, për muaj me radhë. 

E njëjta bardhësi mbytëse.
E njëjta ditë që të merrte frymën.
E njëjta gri në qiell çdo ditë.
E njëjta dridhje trupi nga frika dhe pasiguria.
E njëjta vuajtje shpirtërore.
E njëjta dridhje buze, kur ndaloje lotët të dilnin nga syë... askush nuk duhet të shihte me lot.
Por…?!

Ishte veç një moment...!
Sa shumë më dhembi.
Sa shumë me dhemb ende, kur e mendoj.
Sa pak i kurseva lotët... sa pak e kontrollova veten të mos mbytem në lot e frikë.
Sa frikë pata qe isha vetem.
Sa lot...prapë. 

Ishte veç nje moment...!
Nje moment... asgjë më shumë... asgjë më shumë...!
Sado të përpiqesh të harrosh të shkuaren dhe çastet që të kanë bërë të derdhësh lot... me shumë vështirësi do mundesh.
Kujtimet kanë nje fuqi te mbinatyrshme të bëjnë gërvishtje të thella në zemër dhe shpirt.
Mjafton një fjalë e vogel dhe plaga fillon të djege e të përvelojë.
Mjafton nje veprim i vogel dhe nga plaga e kujtimeve del gjak. 
Sa i dobët ndihesh atë moment... kur mendon se je Zot i veprimeve dhe ngjarjeve që do pasojnë ditët pas Asaj dite.
Kujtimet dhe ngjarjet e së shkuarës... duhet të të kthehen në forcë dhe në shtysë të ecesh përpara.
Duhet të jenë guximi yt... dhe buzëqeshja e triumfit qëndisur mbi buzë.
Më mirë që janë kujtimet... nuk harrojmë... nuk harrojmë që ia kemi dalë mbanë... nuk harrojmë që e kemi kaluar atë ditë, për të rinisur një ditë tjetër.
Me dhimbje në shpirt... me kurajë në zemër... me një buzëqeshje force mbi buzë.... por e ndjejmë, e dimë… që dolëm fitimtarë... e mposhtëm frikën, vuajtjen dhe dhimbjen.
Jetojmë të tashmen, me kujtimet e së shkuarës, me shikimin e drejtuar drejt së ardhmes, plot shpresë.
Ishte veç një moment.... një çast... një sekondë.... dhe prapë vazhdova si më parë…. si çdo herë, si përgjithmonë :

''Te Buzëqesh...!!!''

Une e di, që dielli do të dalë gjithmonë, edhe pas stuhisë më të fuqishme... Unë kam durim të ulem e të pres…
Dielli do të ndriçojë… herët a vonë, edhe për mua…!!! 

© Erjola Kola

Fotografia nga: Eda Petuqi Photography

05 April 2013

Kur buzëqeshja humb ... dhe... ringjallet...!

Edhe buzëqeshja humb... kur e harrojmë diku rrugëve të jetës dhe ikim vazhdojmë pa atë.
Edhe buzëqeshja humb... kur ia falim dikujt dhe harrojmë ta marrim prapë... kur ikim ne... ose kur largohen ata.
Edhe buzëqeshja humb... kur ajo ikën me lotët e lamtumirës për dikë.
Edhe buzëqeshja humb... kur shpresa kthehet në nje fjalë të huaj për ditën tonë...
Edhe buzëqeshja humb... kur lotët bëhen ''zot'' në fytyrën tonë...
Edhe buzëqeshja humb... kur ngjyra gri, fillon e dominon në ylberin e jetës...

Buzëqeshja humb... kur ne harrojmë që duhet të buzëqeshim...!!!

E braktisim shpeshherë si një mall pa rëndesi.
E flakim pa mëshirë.
E hedhim poshtë.
E shtypim.
E thyejmë.
E grrisim.
E shajmë.
E lëndojmë.
E harrojmë... diku... buzëqeshjen tonë.

Tregohemi të dobët në betejat e jetës dhe lëmë dëshmor në to buzëqeshjen tonë.
Lodhemi së luftuari dhe dorëzojmë ''rob lufte'' buzëqeshjen.

Pesimizmi kur fiton mbi optimizmin flak tej, buzeqeshjen.
Kur i themi hyr trishtimit ne deren e dites sone, ai hedh perjashta nga dritarja buzeqeshjen tone.
Zhgenjimi behet mbret dhe i tund kembet princeshes buzeqeshje.
Tradhetia e mashtron buzeqeshjen dhe i tregon rrugen e gabuar per ne jeten tone.
Genjeshtra e genjen buzeqeshjen se ne nuk kemi me nevoje per ate...
Mosbesimi na mbush mendjen se buzeqeshjes nuk i duhet besuar...
Dhe ne harrojme te buzeqeshim...!
Dhe...buzeqeshja...iken...largohet...humb...!

Buzeqeshja ka nje veti te mire, ajo nuk na braktis teresisht... thjeshte qendron e fshehur thelle-thelle ne shpirtin tone.
Si nje feniks qe ngjallet nga hiri i tij, edhe buzeqeshja sado qe ta zhdukim e vervitim tutje larg jetes sone... rrenjet i ka te ngulura thelle neper zemrat tona... dhe ringjallet... prape... gjithmone...
Mjafton nje shkendije... dhe ajo ndizet... merr flake... shperthen... rrezet e saj pozitive mbi fytyren tone...!
Mjafton nje deshire e vogel, e fshehur, e menduar e pashprehur... qe hija gri te zevendesohet nga rrezet e dobeta te buzeqeshjes...!
Mjafton nje shtyse e vogel nga dikush, te na zgjoje, qe te reagojme nga grija qe na ka zymtuar shpirtin dhe diten... qe drita e optimizmit te shpertheje ne fishekzjarre buzeqeshjesh...!
Mjafton deshira e mire, per te rifilluar dhe buzeqeshja do jete bashkeudhetarja jone ne sfidat e reja qe na presin...!
Mjafton guximi per te ecur edhe nje hap...
Mjafton nje rrahje zemre...
Mjafton nje shtrengim dore...
Mjafton nje perqafim...
Mjafton nje buzeqeshje tjeter per tu infektuar!

Mos e harroni : ''Ju nuk e keni humbur buzeqeshjen tuaj,ajo eshte nen hunden tuaj. Thjesht e kishit harruar qe ishte atje...!''

© Erjola Kola

03 April 2013

Përshtypjet e para nga atdheu...


Tirana Airport - getting to/from city centre, bus Rinas ...Çuditërisht çdo vit pres të ndodhë mrekullia: të zbres nga aeroplani dhe të mos arrij të njoh vendin tim. Dëshiroj të çuditem dhe të mahnitem, të më duket vetja si jashtë shtetit. Përveç ajrit që është ndryshe, dua të shoh edhe diçka tjetër ndryshe. E meritojmë në fund të fundit. Më kenaq ideja që të hyj në aeroport, të mos pres gjysëm ore në radhë, të jenë hapur shumë sportele për të përballuar fluksin e të ardhurve, por edhe të respektohet ajo e shkretë radhë, e jo të më thonë prit pak se ky djali do hyj pak përpara teje se ashtu e ka hallin, e unë të mos detyrohem të hedh ndonjë vështrim të shtrembër, përherë më idenë… prapë këta. 
Sa më pëlqen ideja që në radhën për të marrë valixhet, të mos kaloj edhe një tjetër gjysëm orësh të këndshëm, me dridhjen e çuditshme, po sikur të ma kenë lënë valixhen andej nga erdha. (Ka ndodhur edhe kjo punë, unë këtu valixhja në hënë, u bashkuam përmallshëm pas 4 ditësh.) Prit e s’ka e numëro valixhet, e rrjedhimisht fillon me mendje atë lojën, kujt t’i bjerë 51-shi, kësaj apo asaj valixhe. Të jetë kjo imja, ndërkohë telefoni bie, se kuptohet aeroplani ka kohë ulur, e shenjë timen ende nuk ka në horizont, në derën që hapet e mbyllet e dalin fatlumët që gjetën valixhet. Unë jam bërë e durueshme tashmë. Thjesht pyes me zë pakëz më të lartë, ndonjë punëtor të aeroportit, ose më saktë cdo njeri që shoh me tabelë emir: “Ka më valixhe?” Qetësohem sa dëgjoj: “Ka, mos u bëni merak se ka edhe të tjera.” Ndjesi e mrekullueshme të shohësh ngjyrën e valixhes që tundet në atë gjënë e rrumbullakët e thua “Shpëtova! Mund të dalë tani.” E tërheq mundimshëm dhe të shkon mendja të marrësh një karrocë, si jashtë shtetit demek. U dashka një 50 lekëshe për karrocën ose 50 cent. “S’kam të holla.” – thua (edhe të trasha s’ka por bie fjala) dhe me mendje përsërit atë, e tërheq vetë valixhen, më kanë ngelur dhe aq forca, do duroj!


Mundimshëm por me forca të shtuara nga ideja që më në fund pas kaq muajsh do takosh familjarët e tu (të lodhur edhe ata sepse tashmë nuk paska më stola në aeroport, qenke i detyruar të ulesh në lokalet që janë aty brënda. I bukur aeroporti. I paskan hequr edhe stolat e pritjes; duhet të shkosh të ulesh në lokal ku një shishe uji e vogël bën 150 lekë, të reja kuptohet.) të bën të shpejtosh hapat dhe të dalësh sa më parë në derën jeshile. Diku në mes të gjithë ata njerëzve që presin dikë, sheh një fytyrë të njohur, dy sy të dashur dhe pa e kuptuar nuk ndjen më lodhje, ndjen vec atë, tani jam në shtëpi, erdha. Ky është moment më i bukur i ditës, e vetmja gjë që nuk ndryshon asnjëherë dhe e vetmja gjë që nuk do të ndryshoja asnjëherë nga Shqipëria. Nuk ka si përqafimi i familjes, lodhja harrohet dhe ke forca të flasësh e tregosh aventurën e re të këtij udhëtimi.


Udhëtimi im nuk mbaron me kaq, janë edhe disa orë me makinë. Sigurisht që për një shofer të vjetër si im atë, nuk është problem, por për një frikacake si unë, gjithcka më bën te hap sytë. “Uaaa si kaloi ai, uaaa po ky ku vete kështu, uaaa po kjo ishte kundravajtje” – e kam edhe unë patentën prej shumë vitesh, megjithëse nga trimëria e madhe, në Shqipëri asnjëherë s’e kam marrë makinën – uaaaa e uaaa gjithë kohës. Të rrojë kodi rrugor, se secili ecën dhe futet në parakalim sipas qejfit. Të rrojnë ligjet e shkruara, se ligjet e shoferëve janë shikimet me sy dhe bërjet me dorë, për shenjën, kalo e ktheu. Të rrojnë edhe shoferët e furgonave që të frenojnë pikërisht mu përpara makinës, sepse panë një pasagjer të mundshëm. Apo shoferët e autobusave që mendojnë se kanë një Fiat bebe Punto dhe ndalojnë kur ju do qejfi e si ju do qejfi.
E gjithë kohës ai që është në timon është në presion të madh psikologjik, aq sa edhe kthimi i përgjigjeve sa vjen e rrallohet, sidomos në rrugët që kalojnë në mes të qyteteve. Do mësohem edhe me këtë është normale, është thjeshtë tronditja e orëve të para në mëmëdhe. Me gjithcka mësohesh këtu, me gjithcka, sa kur iki nuk më bën më përshtypje asnjë gjë. Mësohesh të kalosh rrugën ke vijat e bardha, duke parë në sy shoferët, a do të lënë të kalosh (e di pretendoj shumë duke e quajtur zonë këmbësorësh, pretendoj shumë) Mësohesh edhe të bësh një sprint për në anën tjetër të rrugës, se nuk ka vija të bardha. Mëson të dëgjosh se sa aksidente u bënë, se sa persona fatkeqësisht humbën jetën, e sa e sa të tjerë u plagosën. Mësohesh edhe të mbyllësh stacionet e radios apo të ndërrosh kanalin e TV sa herë fillojnë lajmet.
U bënë vite që përrallat janë të njëjtat dhe personazhet po ata. U bënë vite që nuk do më të dëgjosh, por të hapësh sytë e të shohësh. Unë mbaj syze dielli, se më vriten sytë, por asnjë gjë nuk shoh përvec diellit, që gjithmonë nuk harron ta ndricojë Shqipërinë. Me një tufë mendimesh në kokë, me një mori ëndrrash, dëshirash edhe pritjesh, sheh detin Adriatik që shpaloset përpara syve. Sa i bukur është, një gjë e ka ky vendi im, është pafundësisht i bukur dhe merr frymë lirisht aty.


© Erjola Kola (shtator 2012)

Botuar në Gazetën ''Nacional'': Çdo vit pres të ndodhë mrekullia...

02 April 2013

Unë buzëqesh...

Unë buzëqesh... për t'i dhënë ngjyra jetës sime.
Unë buzëqesh... për te ndriçuar ditën time.
Unë buzëqesh... për të shndritur fytyrën time.
Unë buzëqesh... për të zbukuruar qënien time.
Unë buzëqesh... për të mbushur zemrën time me optimizëm.
Unë buzëqesh... për të shpërndarë lumturi në zemrat e atyre që dua.
Une buzëqesh... për të falur forcë dhe kurajo atyre që adhuroj.
Une buzëqesh... për të marrë forca te eci përpara.
Une buzëqesh... për t'i treguar vështirësive që nuk më thyejnë dot.
Une buzëqesh... për të thënë që nuk kam frikë.
Une buzëqesh... për të dashuruar jetën.
Une buzëqesh... për të ndjerë paqe.
Une buzëqesh... për të mos qarë.
Une buzëqesh... për të harruar.
Une buzëqesh... për të larguar mërzinë.
Une buzëqesh... për të mbajtur larg pesimizmin.
Une buzëqesh... për të trembur ''të këqiat''.
Une buzëqesh... për t'i dhënë ''seriozitetin'' tim të ëmbëlsuar jetës.
Une buzëqesh... për të qënë serioze...(sipas mënyrës sime! )

Une buzëqesh... sepse është gjëja që di të bëj më mirë.
Une buzëqesh... sepse më bën të ndjehem më mirë.
Une buzëqesh... sepse më shkon.
Une buzëqesh... sepse dukem bukur.

Une buzëqesh... sepse e adhuroj të buzëqesh...!!!!


© Erjola Kola

01 April 2013

Mooos!

Lëre plagën, pse ma ngacmon?
Mos më ngul thikën në eshtër.
Të lutëm ndale dorën, më dhemb!
A nuk e di sa lëndon fjala?
Po zgjimi i kujtimeve, a s'e di çfarë dridhje në shpirt shkakton?

Turbullimë shpirti, ciklon kujtimesh, gri dhe frikë, heshtje dhe lot, e diku aty në mesin e gjithçkaje, sërisht unë, unë dhe lufta ime, mesa duket e përjetshme.
Pse duhet të shohim veç shiun, të ndjejmë veç dhimbje dhe të vuajmë?

Po lufta kujt i ngelet?!

E ndjejmë veten në mesin e asaj stuhie, pa çadër, me rroba dhe shpirt të grisur, vetëm.
Të lodhur, të dorëzuar dhe përreth klithmat e luftëtarëve qe fatit nuk ju dorëzuan.
Unë jam një nga ata, që nuk u dorëzuan!
Unë luftova dhe luftoj!
Dëgjoje klithmën time dhe dridhu!!!

Oh tmerr!
Hesht!
Mos!

Ti që flet e mëshirë kërkon.
Ulëret për fatin e keq që të ra.
Që vuan e bërtet që të gjithë të të dëgjojnë.
Tregon ditë pas dite gjithçka të keqe që po të ndodh!
Qan me lot syri dhe s'ndjen sa lot shpirti kullojnë kur dëgjojnë ''tragjedinë tënde''.
Po ty, ty të them të vuajturin e madh, të pafatin e kohërave, ty që qielli të ra mbi kokë dhe nuk lufton të ecësh para, por nxjerrë dhimbjen të çjerrë ajo fatin për ty.

Të pëlqejnë sytë mbushur me mëshirë?

Ngrihu dhe ec o njeri, mos u ndal kthesave të kërkosh dorën e radhës për të të ngritur.
Nuk ke pse kërkon asnjë, ata që të duan, nuk largohen nga shtrëngimi i dorës tënde.
Ata që të duan nuk të mëshirojnë, nuk të duan sepse..., por të duan dhe kaq!
Ata që të duan, janë me ty, për ty gjithmonë, edhe kur s'i sheh me sy... Ata thjeshtë janë!
Nëse e sheh ditën tënde veç gri e shi, e tillë do të ngelet përherë.
Çdo njeri nga ne ka historinë e tij, e gdhend me gjak e me shpirt, e lezeton me dashuri dhe buzëqeshje.

Zgjohu o njeri!
Mooos!

Nuk ishte fati yt i keq jo, mendo sa të tjerë ka njësoj si ti, ndoshta dhe më keq.
Je me fat o njeri, nuk vuan asnjë kot, vuan sepse e dinë që ti do ja dalësh mbanë.
Resht së kërkuari keqardhje, lëndon shumë të tjerë.
Ngrihu njeri dhe shikoje jetën me ngjyra!
S'je as i pari e as i fundit, je veç njeri nga ata..., por ata nuk u dorëzuan kurrë, ashtu sikurse unë! :)

© Erjola Kola (Korrik 2012)

Piktura nga Elona Çuliq