31 January 2013

Përralla ime e ''Pemës së jetës.''

Atje në tokën e largët, në atë kopshtin me lule, diku atje në mesin e tij, qëndronte ajo krenare , kryelartë dhe e pamposhtur ''Pema e Jetës''.
Gjethet e çelura, i jepnin hijeshi, një pranverë e begatë dukej këtë vit, plot gjelbërim dhe sythe të freskët që të shihnin dritën e jetës prisnin.
Nën rrezet e diellit zgjaste pema gjethet e saj dhe me hijeshi e mbushte këtë kopsht të braktisur nga çdo frymë njeriu.

Dikur tregon gojëdhëna në këtë kopësht të bukur, një kuçedër e tmerrshme kishte mbërritur dhe për muaj të tërë kishte mbretëruar nën kurrizin e pemës, e luleve, e gjelbërimit.
Për muaj të tërë luftonte pema me çdo grimcë të saj të mbijetonte... të mos dorëzohej, të mos mposhtej ajo kishte rrënjët e forta.
Muaj të tërë kaluar betejash, grrisjesh, thonjsh, gjaku e lotësh derisa një ditë, në tokën e largët dielli nisi të ndriçojë sërisht.
Një ditë papritur, vendosi edhe kuçedra të largohej dhe jeta u rikthye në kopësht më e gjallë se më parë.

Kuçedra e dinte rrugën dhe mund të kthehej prapë, ajo gjithmonë kthehej atje ku kishte qenë njëherë!

Pema e lumtur sa nuk fluturonte në shkëlqimin e saj, tundej e shkundej me çdo përkëdhelje të erës.
Tundej e përqafonte flladin e çdo mëngjesi, tundej dhe ju tregonte zogjve sesi ajo arriti të mposhte kuçedrën.
Tregonte e tregonte, sa e donte jetën, e sa fort i kishte ngulur rrënjët në zemrën e tokës.
Zogjtë qëndronin, e dëgjonin dhe në degët e saj i gjente nata e i pushtonin ëndrrat.
Sikur të mundte të kërcente me to, për to, por pema nuk mundej, ajo nuk lëvizte dot, vetëm krahët e saj degë drejt qiellit shpërndante e lumturohej kur zogjtë e prisnin me hare.

Kaloi kohë, e pema me zogjtë ende gëzohej për jetën e falur, ajo ishte mirënjohëse, që dielli i lindi prapë në jetën e saj, gëzohej me çdo cicërim e melodi të ëmbël që i dedikohej, e luante e bëhej pjesë e lojrave duke buzëqeshur e përqafuar dashurinë dhe mirësinë.
Pema kishte plot dashuri në zemër, në gjethet vishej me hare e gjelbërim dhe dhurontë lule kujtdo që çelësin magjik të zemrës së saj gjente.

Thonë që kuçedra nuk u duk më asaj ane... për shumë kohë...
Pema as nuk e priste më, i gëzohej miqësisë së saj me zogjtë... por … pranvera mbaroi shpejt... e po aq shpejt erdhi dimri.... e akoma më shpejt zogjtë e braktisën pemën.

Ajo ngeli vetëm!

Thonë që atë vit shumë stuhi pati.
Thonë që atë vit pemës shumë degë ju thyen.
Thonë që ate vit dikush vaje dëgjonte çdo natë nga toka e largët.
Thonë që atë vit edhe dimri nuk zgjati shumë.

Pranvera i hapi sytë shpejt dhe nisi me mall pemën të puthte... I pa ''dëmet'' që dimri kishte lënë dhe me dashurinë e një nëne çdo plagë ja shëroi.

Pema u kthye në jetë!

Në degët e saj të tjerë miq qëndronin dhe të tjera melodi dëgjonte ajo.
Ajo vazhdoi si gjithmonë të falte dashuri e mirësi, vazhdoi t'i buzëqeshte plot optimizëm çdo rrezeje... ajo vazhdoi të jetonte.

Gojëdhëna thotë që e quajnë ''Pema e Jetës'' sepse ajo e do jetën, i ka ngulur fort rrënjët në tokë dhe me apo pa zogj, me apo pa pranverë do të qëndrojë aty.... në kopshtin me lule të tokës së largët.

© Erjola Kola

Piktura nga Marjorie @Devianart.com

28 January 2013

Buzëqeshje, mike e dashur!

Ku je?
Më mungon!!!

Rrezja e dritës në grinë që botën ka pushtuar.
Rrezja e shpresës që ende në zemrat tona qëndron e ndezur.
Rrezja e pranverës që dimrit i bën ballë.

Ti je aty, edhe kur ne nuk të shohim.
Ti je aty, ne të ndjejmë, ndjejmë fuqinë tënde.
E ndjejmë dritën tënde, edhe përtej, larg në errësirë.

Ah moj mike, nuk është se të kam humbur, thjeshtë si një kamaleon i bindur, jam bërë pjesë e natyrës edhe unë.
Gri ajo, gri edhe unë.

Vjeshta e artë po dorëzohet, në krahët e dimrit të egër.
Pa fuqi ka rënë në gjumin letargjik, me ëndrrat përqafuar.

Natyra e mbylli siparin e gëzueshëm, heshtja e thellë gri na pushtoi.

Po ti buzëqeshje, ku ke përfunduar?
Po pushon edhe ti? Sigurisht të kam lodhur apo jo?
U bë një vit, që për ty shkruaj e flas, me siguri s'më duron dot më.
Por ti mos u mërzit, fjalë të mira kam thënë.
Madje, madje besomë, ka më shumë njerëz që të duan tani.

E dashur buzëqeshje!
Kemi ende shumë fjalë për të thënë e shumë rreshta për të shkruar.
Kemi ende shumë miq për të bindur t'i buzëqeshin jetës.
Nuk të lejohet të marrësh pushime.

Kthehu! :)


© Erjola Kola

26 January 2013

Askush nuk ikën përgjithmonë...

Ka përherë copëza që ngelen pas...
një tingull...
një këngë...
një melodi...
një emër këngëtari...
një poster që e mbante në dhomë...
një zile celulari....
një bluzë e preferuar...
një varg i fiksuar që përsëritej pa mbarim...
një batutë e thënë shumë shpesh...
një film i preferuar...
një aktor i preferuar...
një çmenduri e bërë...
një buzëqeshje e dhuruar...
një e qeshur karakteristike...
një vështrim tipik...
një mimikë e veçantë...
një mori kujtimesh...
të prerash...
të gërvishurash në lëkurë..
që nuk harrohen...

..dhe sa herë rimbledh këto copëza...
je TI...
aty ku ke qenë përherë...
nga ku s'do ikësh asnjëherë...
...në zemrën time...


© Erjola Kola

24 January 2013

Kur shkruhej...një fund...

Me piklat e fundit të bojës përpara se të thahej stilografi (përpara se dhe ai të kalonte në agoni si ajo në këto muajt e fundit) shkruajti e bindur me dorën që i dridhej nga malli: FUND.
Lexoi edhe njëherë, për të fundit herë fjalitë e fundit edhe lotët i mbuluan faqet e vrullshëm u shtruan mbi fletën e bardhë.
U njollos boja, u shpërhap; fleta u ç'ngjyros e vetëm fjala FUND qëndronte e gdhendur pa u trembur aspak nga rrjedha e lotëve që kullonte papushim.
Përmbyti gjithçka vetëm vendimin e saj jo!
Qenka vërtetë fundi.
Kishte mall, mall të tmerrshëm.
Ai shkoi pa e kthyer kokën më pas, kurrë më.
E goditi atje ku i dhembi më shumë edhe ndërtoi lumturinë e tij duke ecur vrazhdaz mbi lotët e saj, ngriti dashurinë mbi copat e vrerta të zhgënjimit të saj, buzëqeshi kur dëgjoi zërin e saj që dridhej dhe mallin e saj të brishtë e shpërfilli.

Ai mungon, por...
Sot i dha lamtumirën, e qau drithshëm, ashtu siç i ka hije lamtumirave përgjithmonë.
Vuajti dhe shuajti zjarrin që vrullshëm ndizej nga shikimi i syve të tij.
E qau, lotët ende i njomin faqet, por kujtimi i tij nuk djeg më.

E fshiu.
Lamtumirë!
(Ndjeji lotët e saj, ndjeji!
Të të dhembin ty në shpirt tani, siç i dhembën asaj... për muaj me radhë.)

FUND.


© Erjola Kola

23 January 2013

Ty më të shtrenjtit mall.

Të gjesh fjalët të shkruash për ty, ah është e vështirë.
Të përpiqem të të përshkruaj, pse a përshkruhesh ti?
A ka fjalë që tregojnë atë që ndjen shpirti përmalluar?

Ti ndjehesh, ndonjëherë aq fort, aq dhimbshëm sa nëpër ëndrra, fillon e i jep jetë mungesave të jetës.
Në ëndrra ti krijon realitete e më tepër të ndjejmë, më shumë të përjetojme...e shumë më shumë e vuajmë praninë tënde.

Pse duhet të jesh ti që na përqafon dhe jo të dashurit tanë?
Pse duhet të ndjejmë ty gur mbi zemër, lot në sy e dridhje në shpirt?
Çfarë mund të thuash për ty, përveçse je dridhje shpirti, të bën të pafuqishëm kur të pushton … dhe sa më e largët të jetë distanca aq më shumë të mbështjellë ti.

Ti je ai guri që i vë zemrës, që largësinë të mos e vuash shumë... por shkrihesh sa sheh lotët në sytë e njerëzve që do.
Shkrihesh në një përqafim, tretesh mes puthjeve dhe bëhesh buqetë lumturie e ritakimeve.
… në pritje të përqafimeve, të ritakimeve, pushtomë mall... le të të ndjejë, fundja të ëmbëlsojnë edhe kujtimet... ndonjëherë.
... e ndërkohë, mes kujtimesh me buzëqeshje mallin fort do e përqafoj, të ndjejë dhe ai si shkrihet zemra e përmalluar ... :)

© Erjola Kola

21 January 2013

Rastësi... fat... intuitë... apo thjesht në momentin e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur...!

E dashur ''Unë'' dhe i dashur ''Ti'' ...!!!
Hmmm... do vendosur kjo punë?!
Çfarë emri t'i vëmë?
Do ta quajmë diçka, apo jo?

Si thua për...

Rastësi? - Jo, nuk besoj.
Fat? - Jo, unë nuk besoj në fat.
Intuitë? - Jo, ti nuk beson tek intuita ime.
apo thjesht:
Ishte... është... të jesh... në momentin e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur...!
Jeta është treguar gjithmonë e dashur dhe bujare me mua, në momente të ndryshme ka vendosur në rrugën time njerëz me zemër të madhe dhe me një dashuri të madhe për optimizmin dhe pozitiven.
Njerëz që më kanë frymëzuar çdo moment dhe më kanë falur përditë nga një grimcëz buzëqeshje.
Njerez që më kanë mbushur me mendime kaq pozitive...
Njerëz të gatshëm të më bëjnë surpriza atëherë kur unë nuk i pres, ose kur harroj që ka diçka për të kujtuar... po, po harroj dhe fytyra ime e turpëruar apo e gëzuar, nuk arrij ta percaktoj më, se cilën pamje merr. :P
Njerëz që i kam përherë në krahë dhe në zemër, në cdo moment, me mendimet e tyre, me fjalët dhe sidomos me veprat, me detajet e tyre të përsosura...
Njerëz që jam e lumtur që i kam njohur, se më kanë mbushur dhe mbushin çdo ditë të jetës sime me buzeqëshje, ëmbëlsi dhe mirësi …


E dashur ''Unë''... e more vendimin tënd... si e quajte : ''Miqësi shpirtërore, të fortë, të çeliktë... përgjithmonë...!''
I dashur ''Ti''... e more vendimin tënd??
Shttttttttttttt mos fol... u vendos ...''Unë kam të drejtë...!''


© Erjola Kola (8 mars 2011)

19 January 2013

E si mund të qesh?!

Çfarëdo që të të them sot, e paske vendosur të jesh e mërzitur apo jo?
Çfarëdo leksion morali dhe optimizmi të të mbaj, prapë nuk do ndryshosh mendje?
Çfarëdo thënie me buzëqeshje dhe forcë të të diktoj, sërish do varësh buzët?
Edhe sikur të bëj kllounin e palaçon, prapë nuk do qeshësh?

-E si mund të qesh kur zemra vuan?!

Veshja e nje buzëqeshje nuk do të thotë që je njeriu më i lumtur në botë, që gjithçka të ecën për mrekulli dhe nuk ka njeri më fatlum sesa ti.
Veshja me një buzëqeshje nuk do të thotë qe je njeriu më moskokëçares që ekziston në këtë botë dhe gjithçka të ndodh ti prapë vazhdon e qesh.
Veshja me nje buzëqeshje asnjëherë nuk do të thotë që edhe zemra jote qesh.
Veshja me një buzëqeshje nuk do të thotë që je përherë e plotësuar shpirtërisht, që ke gjithçka dhe gjithkënd që ke dëshiruar të kishe afër.

Sikur të ishte vërtetë kështu!

Shumicën e rasteve kur buzëqesh ti fsheh një zemër që qan,
një zemër që ka mall,
një zemër që ndjen dhimbje,
një zemër që vuan,
një zemër që kërkon e pret një zemër tjetër,
një zemër të thyer,
një zemër të zhgënjyer.

Shumicën e rasteve kur ti buzëqesh, ti fsheh një shpirt të dorëzuar.

... por nuk është gjithmonë kështu ...

Jeta jonë është një mozaik i përbërë nga shumë copëza të vogla shumëngjyrëshe.
Ne punojmë çdo ditë në të, çdo ditë shtojmë një figurë, një ngjarje.
Ne çdo ditë ndertojmë jetën tonë.
Ne çdo ditë jemi artistët që përpunojmë dhe përmirësojmë të ardhmen e mozaikut tonë.
Në rastet kur copëza të mozaikut na humbasin rrugës;
na largohen ata... i harrojmë diku... i largojmë ne...
na harrojne ata... na braktisin për një tjetër mozaik.

...atëherë...

Po pra pikërisht atëherë... na duket sikur e ndalojmë punën në mozaik...

Atëherë na duket sikur humbëm gjithçka... atëherë na duket se mungon pjesa më e rëndësishme e mozaikut.

NUK MUND TË VAZHDOHET MË!!! (Vërtetë?)

E kush e tha këtë?!
Ulu një moment dhe mendo.
Si ka qenë më përpara?
A ke pasur përherë atë pjesë në ndërtimin e mozaikut?
A ka qenë ajo pjesë përherë prezente, në pikturën tënde të bukur shumëngjyreshe?
Sa bukur ka qenë pjesa kur ajo copëz bënte pjeseë në mozaik?!

Bukur apo jo?

Tani nuk është më!

Ç'ke ndërmend të bësh?
Do rrish të qash mbi qumështin e derdhur?
Ke durim ta mbledhësh sërish... më kot e ke...

Ndoshta e mbledh... por a mund ta pish sërish?!
A ia vlen? Sigurisht që nuk ia vlen.

Të duash veten tënde... aty fillon sfida më e vështirë, që të ofron jeta.

Të dashurosh dhe t'i duash të mirën vetes, kjo është dashuria më e madhe!

Pa shiko përreth... ke ende njerëz që të duan... dhe DUAN të jenë me ty.


Mendoje në qetësi.
Vështro mozaikun tënd të jetës.
Përgatit rrotullimin e radhës me karuzel.
Mos harro të bësh apelin.
Derdh një lot për ata që të kanë braktisur.
Shiko njëherë me inat për ata që të kanë lënë.
Buzëqesh njëherë fuqishëm për ata që të rrethojnë...
Dhe nisu... jeta të pret...

Shijoje... çdo cast... çdo moment...!

Ti nuk je asnjëherë vetëm... ështe gjithmonë dikush që mendon për ty... gjithmonë.



©Erjola Kola

18 January 2013

Mos thuaj lamtumirë...!

Edhe kur më të mos jem... unë prapë aty do të jem.
Do të jem në çdo rreze dielli që qerpikëve mëgjeseve përdridhen.
Do të jem në ajrin që mbush dhomën sa herë do të hapësh dritaren.
Në çdo grimcë që me ajrin fluturon të zërë vend diku... në tavolinën tënde... në jastëkun tënd... në ballin tënd...
Do të jem drita që retë larg do t'i largojë...
Do të jem në aromën e kafes së mëngjesit...
Do të më ndjesh në ëmbëlsinë e çokollatave...
Do të jem në erën që fryn dhe pallton tënde me vete e merr.
Do të jem me shiun në ditët kur çadrën të kesh harruar.
Do të jem në lule,në ngjyrat e tyre, në aromën e tyre...
Do të jem me pranverën, me verën, vjeshtën e artë dhe dimrin e acartë...

Do të jem në mëngjes.
Do të jem në mbrëmje.
Do të jem netëve.
Do të jem në ëndrra.
Do të jem në zgjime.

Më kërko...!
Jo ... Mos thuaj Lamtumirë...!
Më kërko gjithandej...

Më kërko në detaje, aty do të jem fshehur unë.
Ngrije kokën drejt qiellit, nëse dielli shkëlqen... unë po të buzëqesh...
Ngrije kokën sërish... nëse shi po bie... janë thjeshtë përqafimet që po të nis së largu...jo lot... asnjëherë lot...

E ndjen erën... janë duart e zgjatura që të mbërthejnë pas vetes...
E ndjen fëshfërimën e erës ndër gjethe... kujtohu të ngjan me buzëqeshjen time...
Në notat e këngës së preferuar zërin tim do të dëgjosh...
Në vargjet e poezisë së preferuar, fjalët e mia do të gjesh...
Në filmin e preferuar në sytë e aktoreve, imazhin tim do të shohësh.

Mos thuaj Lamtumirë...!
Do të gjej sërish... do të më gjesh sërish...!
Askush nuk humbet rrugëve të jetës... Gjendesh një ditë...!

Mos thuaj Lamtumirë...!

Ps. Lamtumirat nuk ekzistojnë... rrugët e jetës janë të ngatërruara aq bukur, sa një ditë apo tjetër... kryqëzohen... prapë!


© Erjola Kola

17 January 2013

Besomë!


Mos e lësho kurrë dorën time. 
Do të jem me ty.
Unë i mbaj premtimet gjithmonë.
Nuk të lë, asnjeherë vetëm, besomë.

Besomë, nuk humbi shpresa.
Ndonjëherë është e vetmja dorë që na zgjatet në errësirë, ndonjëherë është i vetmi shteg që ndeshim në rrugën tonë.
Ndonjëherë thjeshtë nuk e dimë që ajo, shpresa është aty, në ty, në zemrën tënde, në shpirtin tënd.
Ndonjëherë e humbim, e ndonjëherë na humb ajo.
Mos ja shuaj dritën, mos e mbyt, me dashuri ndize dhe besomë.

Besomë, jeta ka edhe humbje.
Madje më shumë ka humbje sesa fitore.
Një humbje, nuk është arsyeja për të hequr dorë.
Humbja është arsyeja për të luftuar, të mos ndalesh por edhe zvarrë, edhe me gjunj dhe shpirt të gjakosur me thonj në jetë të mbërthehesh dhe sërisht të ngrihesh.
Humbja nuk është asnjeherë fundi, është arsyeja për të rifilluar sërisht, besomë.

Besomë jeta ka edhe shi.
Pas çdo stuhie, dielli ringjallet fuqishëm dhe ndriçon më fortë se më parë.
Do të bjerë shi, do të trembin vetëtimat, do ndihesh i frikësuar, do ndihesh i dorëzuar, por do ngrihesh.
Do të ndriçosh me buzëqeshjen tënde më të bukur, më të ëmbël.

Besomë, jeta ka edhe diell.
Jeta ka katër stinë, ashtu sikundër viti.
Do kalosh në stinën e rrebesheve, do rrëshkasësh nga acari, ngrica dhe do marrësh frymë me ringjalljen e luleve.
Do kalosh në çdo stacion dhe do e gjesh dritën, diellin, rilindjen.
Mos u dorëzo, stina e shirave do kalojë, dielli do të ndriçojë përsëri, besomë.

Besomë jeta ka edhe dashuri.
Jeta është dashuri.
Në çdo shpirt mund të gjesh grimcën që të plotëson.
Shumë njerët do të vijnë dhë do të ikin në jetën tënde, vetëm ata më të lidhurit me ty do të qëndrojnë.
Ti dhe dashuria do të jeni bashkë në një formë apo në një tjeter.
Beso tek dashuria dhe ajo do e gjejë rrugën tek ti.
Besomë, jeta është buzëqeshje!

Hapi sytë.
Shikoje!
Ajo po të buzëqesh.
Buzëqeshi edhe ti, sot e përgjithmonë.

© Erjola Kola

Me ty...

Afrohem...
Largohem...
Të shtrëngoj...
Të lëshoj...
Të prek...
Të shtyj...
Të buzëqesh...
Më buzëqesh...!!!
Dhe prapë aty, prapë këtu...

Si gjithmonë, jemi prapë ne të dy...!!!

E të ndjej...
Të ndjej...
Në çdo qelizë...
Në çdo frymëmarrje...
Në çdo mbyllje sysh...
Je aty..
Je ti...
Je me mua...
Për mua...
Jam me ty....
Për ty...!!!
Të kam ëndërr!!!...
Realitet, s'mund të kem...!!!
Të tërheq zvarrë nëpër mendime në ditët e mia...

Të mbart në zemër...

Gjatë netëve të mia, të shtrëngoj në ëndërr.
Të kam larg...
Të ndjej afër....
Të largoj...
Më rri pranë...
Të shtyj...
Më shtrëngon...

Ku je???...
Të kërkoj...

Ku je???...
Të thërras...

Të kam...
Nuk të kam....

Je....
Nuk je....
Të ëndërroj...
Nuk të shoh..
Nuk të kam....
Të dëgjoj...

Të flas...
Të buzëqesh...
Të përkëdhelem...
Të shijoj...
Të kam në sy

...dhe...

Përplasem me forcë në realitet... pa ty...!!!
Më qesh...e dëgjoj...
Më buzëqesh....nuk e shoh...
Të ndjek tek largohesh....
Unë të vij nga pas....
Të shoh tek ikën...
Kap hijen tënde me këmbë...
Ndoshta të ndaloj...
Përsëri të thërras!
Ndoshta....

Ndoshta....

Do të kem...!
Sido që të vijë.
Sido që të jetë... me ty do jem!
(në një mënyrë...apo në një tjetër...!!!)

Do të kem, po timin do të kem!

© Erjola Kola

16 January 2013

5...4...3...2...1

5 gishta të mbajnë fort, të kanë kapur dorën,
një grusht pesëgishtësh shtrënguar pas dorës tënde...
4 gishta ende të mbajnë...
3 gishta nuk të lëshojnë...
2 gishta ende qëndrojnë...

Gishti i vetëm dhe i fundit i ndjerë vetëm...
ngadalë shkëputët dhe të lëshon...
Dora nuk shtrëngon më dorën, zemrën...

Dora ka ikur vetëm nga shtrëngimi i dorës dhe zemrës tënde,

Ta dish; Unë jam ende ketu.
Dora udhëton, mbështetet në shpatull..

Dora do jetë forca jote, mbrojtja jote, ëngjëlli yt personal...
do të japi shtysën kur të mos ecësh më,
do të të mbajë mos rrëzohesh asnjëherë,
do të ndihmojë të ngrihesh nëse je penguar diku,
do të jetë aty edhe kur të tjerët ndoshta s'do jenë..

Ajo nuk do të braktisë kurrë...
do të bëj të qeshësh edhe kur i ke varur buzët,
do të mbajë fort në ditët e erës së fuqishme,
do të ndihmojë mos të humbësh drejtimin...

Do të jetë më ty, një copëz e imja... gjithmonë...

1...2...3...4...5...Larg...

© Erjola Kola (nëntor 2010)

Piktura nga: Aulona Goxhaj