28 April 2013

Mikes ...

Oh sa re gri e kanë mbuluar ditën tënde sot!
E shoh, që ngjyrat e tjera në orët e sotme vend nuk kanë gjetur.
Mike, e di që fjalët ngelen,

E di që jo të gjitha fjalët era i merr përherë?

A thua më dëgjon kur të flas?

Unë nuk dua të të ngushëlloj apo të them vazhdo e qaj!
Unë dua që ne të dyja të rifillojmë të qeshim.

E di, e kuptoj sa e mërzitur je.

Nuk ka rëndësi sesa larg jam.

Nuk ka rëndësi se nuk të shoh në sy e zërin nuk po ta dëgjoj.
Mike unë e ndjej, që ke nevojë për një buzëqeshje.

E ndjej që dëshiron të ngjyrosësh mbrëmjen tënde

me ngjyrat që i munguan ditës.
E dashur mike, nuk jam këtu që të të fshij lotët.

Do të qajmë bashkë, do të qëndroj pranë,
të dëgjoj dhe më beso, më beso mike, do fillojmë të buzëqeshim.

A e di sa e bukur është jeta?
A e di sa njerëz ke pranë që të duan
dhe janë të gatshëm të ri-ecin me ty,
rrugëve të vjeshtës me një melodi të re, plot qetësi e mirësi.

Mike unë të jam pranë, të jam në krahë, ndaj më lejo të buzëqeshim.
Mike, më fal një buzëqeshje!
Ti nuk je vetëm! 
Ti ke miq!
Ngjyrose mbrëmjen tënde mike, unë do të të ndihmoj.

Është koha të buzëqeshim... 
Stop grisë, ne duam ngjyra!

© Erjola Kola


Fotografia nga: Lori Photography

25 April 2013

Tërmet kujtimesh.

Kur mendon se te shkuaren e ke hedhur pas kraheve dhe supeve ke fshire pluhurin qe te ka lene pas ajo... e rigjen aty te ulur kembekryq ne mesin e te perditshmes, qe te trazoje te tashmen tende.

Nje grumbull ndjenjash,perjetimesh,kujtimesh,nje mall qe te djeg fillojne e marrin serish jete sot...kur ti mendoje qe e kishe mbyllur dikur... atehere... kaq larg ndoshta dhe kaq afer, shume afer..?!

Trazime te se shkuares per te krijuar termete ne te tashmen tende dhe per t'i tundur themelet se ardhmes qe po ngre avash-avash tullë pas tulle, ndjenje pas ndjenje,kujtim pas kujtimi, enderr pas endrre, deshire pas deshire.

Termet kujtimesh qe te krijon carje ne tabanin e forte ku mbaheshe keto kohe...

Lekundje te se shkuares, pasiguri e se tashmes.

Ringjallje e se shkuares, gjendje kome e se tashmes.

Deshira qe te mblidhen ne fyt, kujtime qe te valezohen si gjarper ne lekure dhe kthehesh ne skllav te ndjenjave te dikurshme.

Epo sikur kishe harruar?!

Ky eshte momenti i duhur per te treguar forcen dhe dashurine per zgjedhjet e tua te sotme....!

Vijne perhere momentet qe mendon i ke hedhur pas kraheve dhe jane kaq te gjalle sot, para syve te tu.
Aq te gjalla sa te duket nuk ke hequr dore vertete prej tyre.
Aq sa do te mjaftonte nje fjale e mire nga ata per t'i vene shkelmin gjithckaje ke ndertuar ne mungesen e tyre vetem, qe ajo e shkuar te jete edhe njehere realitet... vetem qe ate enderr ta jetosh.
Aq sa per nje enderr te vjeter, te hidhje poshte nje jete te ndertuar me lot e vuajtje, me grrisjet e kujtimeve por me deshiren per te ecur para,e vetme.
Aq te gjalla behen keto momente sa per nje cast, harron se ku dhe cfare po jeton.
Aq te gjalla jane keto caste sa je e gatshme te prishesh gjithcka vetem per nje hap gjigand pas.

A ia vlen?!

A ia vlen te kthehesh pas e te braktisesh gjithcka ti besoje ne kete moment?
A ia vlen te kthehesh pas kur duan te tjeret te kthehen dhe atehere kur doje ti,askush nuk u kthye per ty?
A ia vlen te harrosh dhe falesh, dhe te shkelesh mbi lotet dhe dhimbjen tende?
A ia vlen te jetosh ne te shkuaren?
A ia vlen te degjosh gjithmone zemren?
A ia vlen te shkaterrosh te tashmen e qete,per nje stuhi te shkuares qe ringjallet sot?

Ne lekundjet e termeteve qofte atyre natyrore,qofte atyre shpirterore, rralle here e merr vesh se kush dhe si dhe sa mbijetojne.
Magnituda e dridhjeve ne te tashmen te le perhere krisje te dukshme ne shpirt.
Epiqendra e cdo termeti eshte perhere zemra.
Qe aty lindin dridhjet dhe shperndahen te shkaktojne deme ne gjithe sistemin.
A ia vlen te besh kaq shume deme?

Po te mesosh te ndertosh ditet e tua me shume dashuri, optimizem, deshire, emocione dhe perpjekje, te shoqeruara nga personazhet e zgjedhur dhe ngjarjet e tua te preferuara, ky film do te pelqeje me shume.
Ky film i se tashmes, ku regjizorin e luan ti, e sigurt per forcen tende dhe fuqite e tua, e dashuruar me optimizmin dhe deshiren per jete.
E sigurt qe e meriton nje te tashme dhe e forte per t'i bere balle cdo lloj termeti kujtimesh qe do sulmoje themelet e dites tende.
Jeto SOT...!
Sepse cdokush e meriton nje te tashme te bukur dhe te nje ardhme te qeshur...!!! ((^_^))

© Erjola Kola [11 Prill 2011]

24 April 2013

Për një fillim të ri.

Je lodhur së menduari që asnjë gjë nuk të shkon ashtu siç duhet?
Të bën pesimiste ideja që asnjëherë nuk do arrish të shkosh atje ku dëshiron?
Ke frikë të nisësh të ecësh në një rrugë të re, sepse të tmerron ideja e së panjohurës?
Të tremb rruga e re, edhe pa e ditur se mund të jetë më e mirë sesa e vjetra?

Ke frikë nga frika?

Dua të të tregoj diçka.
Për çdo njeri, një fillim i ri, nuk është aspak i lehtë.
Përkundrazi fillimet e reja duam t'i shmangim mesa të mundemi, të përpiqemi t'i largojmë nga vetja dhe të mos lodhemi asnjëherë të ecim me hapa të sigurt në rrugën e vjetër por të njohur për ne.

E reja është burim frike.
E vjetra dhe e njohura është shpesh siguri dhe dëshirë për vazhdimin e së njëjtës rrugë .
Çdonjëri nga ne tmerrohet kur i duhet të rinisë gjithçka nga e para, kur i duhet të kërkojë në zemrën e tij të gjitha forcat dhe kurajon e mjaftueshme, për të hedhur këtë të bekuarin hap.
Nuk ka njeri që i pëlqen të rikthejë faqen në jetën e tij dhe me grimcat e mbetura të fillojë të kërkojë një rrugë të re me dëshirë.
Përherë ka frikë, madje do çuditesha nëse nuk kemi frikë të rifillojmë.

E rëndësishmja është të jemi ne më të fortë se frika jonë.

Të zgjohemi çdo mëngjes me dëshirën e madhe për të pushtuar botën.
Të ecim në rrugët e jetës të shoqëruar më ëndrrat tona.
Të flemë në darke, duke falenderuar që ishim dhe një ditë më shumë, e duke buzëqeshur, të urojmë që do të ndjekim të njëjtin ritual si çdo ditë.....edhe nesër.

Pavarësisht herëve që do jemi të detyruar, të rifillojmë, na duhet të jemi çdo herë të lumtur, që po na falet një NESËR.
Jeta të falet vetëm njëherë, merr ngjyrat më të bukura dhe bëje një kryevepër....nuk ka asnjë rëndësi sesa faqe do kthesh e do grisësh...
Nje libër perfekt nuk ekziston, bëje një libër origjinal! :)

© Erjola Kola (qershor 2011)

22 April 2013

Unë dhe vetja ime...

(E heshtur perpara pasqyres... Une pa ze... por mendimet ulerasin....!)

-Sot nuk me pelqen..!
Ne fakt nuk me ke pelqyer ndonjehere...!
Te them sinqerisht..
Ti nuk me pelqen!!!
(Nje shikim me me vemendje nga Une... i asaj Vetes sime...!)

-S'me pelqen fytyra jote..!
S'me pelqejne syte e tu te vegjel...!
S'me pelqejne buzet e tua dhe as faqet bufe...!
Ne fakt nuk me pelqen ky rregull i crregullt ne fytyren tende..!
Nuk me pelqejne floket e tu te pabindur...!
Nuk me pelqen hunda jote e vogel pipiruqe...!
Nuk me pelqejne vetullat e rrudhura a thua se mezi po pret te me shash..!
Nuk me pelqejne supet e tu te ngushte, dukesh e brishte...! ...
Nuk me pelqen..!

Ndrysho...! Me siguri as te tjereve nuk iu pelqen...!!!!

*****************************
Kushedi sa here e kemi bere kete dialog perpara pasqyres... kushedi sa here nuk na ka pelqyer imazhi qe kemi pare atje..
Kushedi sa here kemi dashur te marrim nje penel dhe nje dalte ne duar e te fillojme te pikturojme dhe gdhendim perfekten per syte tane..

Po a jane vertete syte tane ata qe shohin?
E shohim ne veten atje, apo kemi veshur syzet sipas standartit te vaket te shoqerise...
Te asaj shoqerie qe na gdhend e zvogelon cdo dite te drejten per te qene 'UNE' ... duke na detyruar te kthehemi ne kopje te njeri-tjetrit..!
Ne jemi shume...! Te ndryshem dhe te gjithe te bukur sipas menyres sone..!

********************************
(Nje shikim per tu siguruar qe VERTETE... nuk e pelqej imazhin e asaj qe shfaqet ne pasqyren time...!)

Ne fakt po te shikosh me kujdes, syte i ke te qeshur...!
Te shkelqejne syte dhe fytyra te merr nje shkelqim te mrekullueshem kur buzeqesh...!
I ke te vendosura me kujdes ne menyre perfekte pjeset jo perfekte..!
Jane rregulluar me kujdes, gjithcka ne vendin e duhur...!
Nuk ke pse ndryshon jo... Nuk ke pse ndryshon...
Ah po Buzeqesh... Te shkon!!!

***********

(diku kam lexuar) - ''Kur te numerosh mrekullite e botes, mos harro asnjehere te llogarisesh edhe veten nder to...!!!''

Te gjithe jemi te bukur!
Te gjithe jemi nje mrekulli!
Ne cdo njeri fshihet nje magji brenda vetes... duhet vetem ta zbulojme ate...!
Ta zbulojme,duke lene paragjykimet, duke hequr menjane dhe injoruar standartet e shoqerise dhe te jemi''NE''.
Te duam dhe vleresojme ne me shume veten tone dhe te leme paragjykimet, kur flasim per te tjeret...
Te ndjehemi mire me lekuren tone dhe te kenaqemi me ate qe ne eshte falur..

Gjithcka e ka nje arsye perse ndodh.!!
E vetmja gje qe duhet te ndryshojme, te rrisim vetbesimin dhe dashurine per veten...!
Ah po....buzeqeshni...! Dukeni me bukur kur buzeqeshni!!! ((^____^))


© Erjola Kola (diku nga mes marsi 2011)

21 April 2013

Miq...

Shpeshherë mendohet që titullin MIK e meritojnë vetëm ata që janë dy hapa larg nesh, që i shohim përditë që kemi kaluar shumë kohë përkrah tyre.

Po a është vërtetë kështu???

Po ata që nuk i njohim prej një jete por prej shumë pak kohësh, javësh, ndoshta vite... që asnjëherë nuk kemi qënë ballë për ballë... që të kuptojnë me një shikim, me një ndryshim të tingullit të zërit, me një pengesë në kthim përgjigje se çfarë je duke menduar apo çfarë humori ke. Miqësi është të ndjesh mall dhe ta shprehësh atë.

Miqësia nuk njeh distanca, as rregulla kohore.

Të kesh një mik do të thotë që ata të kuptojnë çfarë fshihet pas çdo buzëqeshje, pas çdo heshtje, pas çdo pushimi kur shkruan.


Kjo është miqësia e vërtetë...! :)


© Erjola Kola

(Fotografi shumë e veçantë për mua, dedikim nga miku im më i mirë Andi Goxhaj Photography)

20 April 2013

Përtej fasadës

Të ndalësh vështrimin në fasadë?
Apo të shkosh më tej, përtej fasadës?
Të dashurosh vezullimin e ngjyrave?
Apo të rrëmbehesh nga buzëqeshjet e ngjyrosura me sinqeritet?
Më pak bojëra i jep një ndriçim mrekullues, ngjyra marramëndëse, shkëlqim verbues e bukuri dehëse fasadës

... por vetëm KAQ!

Më dorën e një piktori në një telajo të zbrazët pa ngjyra arrin të krijosh një kryevepër, një mrekulli, një pamje dehëse, një trup ndjellës

... por jo një SHPIRT.

Ç'më duhet fasada, kur më mungon dëshira të hap atë derë, e të ngjis ato shkallë?
Ç'më duhet shkëlqimi i jashtëm, kur në shpirt nuk ka drita të gjesh rrugën për në zemër?
Ç'më duhet bukuria, kur kufizohet në katër muret e jashtëm, kur është thjeshtë dukje?
Të ngelen sytë atje, por a do dojë të ngelej shpirti atje?
Do doje të burgosje zemrën tënde në murët e lyer bukur, më mjeshtërinë e një piktori?

Duhen hequr syzet rozë.

Realiteti është më i bukur më ngjyrat natyrale.
Realiteti është më i bukur, kur është thjesht realitet.
Realiteti është më i bukur kur shihet... përtej fasadës.


© Erjola Kola (dikur në 2010)

16 April 2013

Jam me fat në këtë botë....

Jam me fat se jam e rrethuar gjithandej nga dashuria
dhe përkujdesjet e kaq shumë njerëzve të mirë....

Jam me fat se më dhurohen buzëqeshje çdo ditë
nga njerëz që me duan për këtë që jam...
Jam me fat se kam një familje të mrekullueshme,
që e dua mbi gjithçka në këtë botë...

Jam me fat se kam një vëlla që është motivi i jetës sime...

Jam me fat se kam shokë e shoqe të mrekullueshme
që bëhen pjesë e çmendurive të mia përditë...

Jam me fat se kam njohur njerëz me shpirt të madh
që mbushin me buzeqeshje dhe dashuri çdo ditë timen...

Jam me fat që çdo ditë të jetës sime e filloj me një buzëqeshje.
Jam me fat se dhurata më e çmuar për mua është :'' Një Buzëqeshje...''

Jam me fat se nuk jam kurrë vetëm,
se ju kam përherë pranë në zemër, në mendime...

Jam shumë me fat, e di, ndaj kam filluar ta përkëdhel fatin.

Edhe kur nuk besoj në fat, unë prapë e besoj që jam me fat.
Jam me fat që JU jeni pjesë e jetës sime.


© Erjola Kola (diku nga fundviti 2010) ~ Redaktoi Th. Goga. :)

14 April 2013

Pse?

Lemshe mendimesh, ndjenjash, perjetimesh qe permblidhen ne nje pyetje te vetme... Pse?
Ne fyt ndjen shtrengimin e pergjigjeve te tua qe fillojne me ... Sepse... nderkohe qe ne mendje te rrotullohen mijera mundesi te ndryshme situatash e shpjegimesh me dhe pa kuptim, qe rendin te pergjigjen me dhe pa radhe.

E prape gjendesh aty dhe pyet : Pse mua?

Me kot lodhesh e vrapon kujtimeve per te gjetur, ate copezen e duhur,qe ka lidhje me pergjigjen.

Nuk do e gjesh!
Ndoshta kjo pyetje nuk ka pergjigje.
Ndoshta ti nuk do t'i japesh pergjigje.
Me siguri qe nuk do te pelqeje edhe nese e gjen si pergjigje.

E prape gjendesh aty, me te njejtat pyetje:
Pse une nuk e meritoj pak qetesi?
Pse une nuk e meritoj te jem e lumtur?
Pse une nuk e meritoj te me falet nje buzeqeshje dhe pak dashuri?
Pse une nuk e meritoj nje perqafim te sinqerte dhe nje shpatull ku te mbeshtetem, sa here qe dua te qaj?

Pse une nuk e meritoj nje fytyre-pasqyre tjeter, qe te buzeqeshi, te qaje, te gezohet dhe lumturohet me mua?

Kam gabuar?
Pse jo, njeri jam.
Jam nxituar?
Ndoshta.
Kam falur?
Gjithmone.
Kam kerkuar te falur?
Edhe nje kokeforte si une kerkon te falur.
Po atehere ..Pse?
Une jam lodhur se beri kete pyetje vetes.
Jam lodhur se ndjekuri nje pergjigje, qe e di nuk do me mbushi zemren me lumturi.
Une nuk pyes me.
Jam lodhur se vrapuari ne gjetje te sepse-ve.
Kam gjetur nje recete te re.
Une ulem e pres.
Nuk i shmangem asnje sfide qe me sjell jeta.
Mbaj perhere nje cader per ditet me shi, qe te mos lagem shume.
Kam perhere syzet e diellit qe te mos me vriten syte nga rrezet e diellit.

Nuk vrapoj me.
Nuk dua te ndryshoj me boten.
Bota ia arriti te me ndryshoje mua.
Me beri me te forte dhe me dha mundesine te dashuroje cdo grimce jete, dashurie, buzeqeshje, optimizmi qe me rrethon.
Me dha mundesine te shijoj rrezet e embla te diellit qe me qerpiket e mi ne mengjes perkedhelen.
Me dha mundesi qe hena te ndricoje ne dritaren time, nderkohe qe une mendoj... se dite me te mira do te vijne.
Nuk ka sesi te ndodhe ndryshe.!
Une e shoh goten gjysem-plote.
Une nuk pyes me Pse?
Une jetoj SOT... me deshiren e madhe per te ripare diellin e se ardhmes te me therrase emrin ne dritare... e une me buzeqeshje t'i pergjigjem:

Miresevjen Dite e Re! :)

©  Erjola Kola (Maj 2011)

12 April 2013

Më ka harruar lumturia.

S'di çfarë shije ka, nuk mbaj mend me çfarë ngjyrash vishej e çfarë arome përhapte në ajër.
Nuk e di më si t'i shkëlqente sytë dhe buzët flakësh t'i ndizte.
Lumturia?
Ajo shtrohej në sofrën time gjatë e gjerë dhe më përkëdhelte krahët me mirësi. E shikoja dhe falenderoja për gjithçka që më rrethonte.
E falenderoja për rrezen e parë të mëngjesit që më puthte qerpikët e përgjumur dhe për shigjetën e parë të hënës, që çante qiellin e zymtë të natës.
E falenderoja për kafenë e mëngjesit e për çajin e darkës.
Isha mirënjohëse për njerëzit që kisha pranë dhe për ata që kisha në mendime.
E falenderoja për vetminë dhe për shoqërinë.
Unë e përkëdhelura e fatit.... e po atij fati që herë pas here adhuronte të tundte themelet e të më rrëzonte në shkallët e fillimit.
E unë që e urrej dorëzimin, kapesha me thonj në çdo rreze shprese e me të njëjtën buzëqeshje force rikthehesha atje sipër... atje prej ku u rrëzova.
Me një buzëqeshje 32 dhëmbëshe i ngërdheshesha fatit: Urdhëro ja ka jam sërisht.
Më tundte e më shkundte e prapë qëndroja në këmbë ose e gjunjëzuar përpara tij dhe me lotët e buzëqeshur vazhdoja monologun tim: ''Unë nuk heq dorë!''.

Më ka harruar lumturia.

Jam zhytyr në betejat e mia të çdo dite, në vendimet e lehta dhe të vështira që duhen marrë, në pyetjet me dhe pa përgjigje, me gjërat madhore e me vogëlsirat e kam lënë pas dore gëzimet e vogla të çdo dite, të çdo çasti, të çdo sekondi.
Kam harruar të hap dritaren, të marrë frymë e të ndjej kraharorin tek shpërthen nga paqja e bardhësia e çdo agimi.
Kam harruar në vrapin tim të përditshëm të shikoj njerëzit dhe dëgjoj bisedat rrugëve. Kam menduar shumë për vete e kam folur veç me mendimet e mia.
E mërzitshme, bëhen monotone!

Kam harruar të vlerësoj gjithë gurët e çmuar që më ka dhuruar jeta.

Një këngë, dy vargje, një dialog, disa shaka kanë kaluar pa u ndjerë sepse në mendje bluhej diçka tjetër, diçka më e madhe, por jo më e rëndësishme!
Duke u marrë me kapësen e gjerdanit tim harrova që çdo gur i tij është po aq i vlefshëm dhe po aq burim lumturie për mua.
Duke u përpjekur që ta mbaj fort gjerdanin, harrova që çdo gur i tij shkëlqen po njësoj, qoftë i varur në qafën time, apo qoftë i vendosur mbi tavolinë.

Nuk më ka harruar lumturia, as buzëqeshja, e as fjalët.
Jam unë që i kam harruar ato!
Unë nuk dua të hap sytë e të shoh sa plot jam!
Unë nuk dua ta besoj sa me fat që jam.
Unë kapem pas grimcave që shkojnë keq dhe harroj sa gjëra kanë shkuar për mrekulli.

Jam unë që e kam harruar lumturinë... dhe më duhet ta rigjej, e të pajtohem me të.
Jam unë që duhet të shoh ngjyrat, njerëzit dhe momentet, e të mos kapem pas grimcave që në ajër avullojnë, grimcave që siç kanë ardhur dinë vetëm të shkojnë.

Nesër një ditë e re... do zgjohet e bardhë!


© Erjola Kola (e paredaktuar 15/01/2013)

08 April 2013

Ajo… mes dy botëve...

Nje veshtrim i fundit i shpejt ne pasqyre, ndreqja e nje buzeqeshje te madhe mbi buze… marrja e nje pamje te qete dhe te lumtur, duke hedhur canten ne krahe mbyll deren e shtepise…dhe nxiton te dale ne bulevard..!
Dite feste… rruges kishte shume njerez… familje qe kishin dale te gjithe sebashku te shijonin rrezet e ngrohta dhe te shndritshme te diellit,qe ndriconin ditet e fundit te dhjetorit….!
Vendosi te levizte me autobus per ne qytetin fqinj… nuk i pelqente kjo levizje marrese mendje dhe fryme ne kete qytet te vogel… nuk I pelqenin te degjonte bisedat kur levizte mes turmes..dhe te degjonte emrat e njohur,per te cilet flitej apo perflitej…qytet I vogel mendonte, mentaliteti, zakonet, mendimet prapanike….
Ndoshta…!
Me keto mendime kokes I afrohet stacionit te autobuseve… shikon oren dhe me nje shtremberim buzesh duke pare qe sapo e kishte humbur nje autobus dhe I duhej te priste nje cerek ore,qe te vinte tjetri, I hedh syte pa interes atje ne qoshe... ne kryqezimin e rrugeve… poshte atij eukalipsit shume-vjecar….atje ishte ulur dikush sot…?!
Pamje e re kjo..askush nuk ulej atje… rreze asaj peme gjigande…. prej vitesh tashme…!
Ne largesi e dalloi, ishte ndryshe nga ajo… te pakten ne ngjyren e lekures…!
Nga larg filloi te krijonte ne koke me mijera histori, mendime, ngjarje, perjetime te sajat dhe te huazuara…interesi rritej…. kureshtja ishte me e madhe…!
Interesi I ngjallet me shume dhe kthehet te shohi me mire, kete vizitor te rralle… te ri qe ishte strukur ne cepin e atij ekualipsit te pluhurosur… menyre e mire kjo per tu marre me dicka… sa te vinte autobusi…Fundja I duhej te priste 15 minuta, pse te mos merrej me kete visitor te ri?!
Me hapa te ngadalta,sikur ruhej nga perplasja e takave te saja ne trotuar, sikur nuk donte te terhiqte vemendjen e asaj krijese te cuditshme, qe ai te mos trembej… afrohet dhe plot kureshtje zgjat koken ta shohe me mire…!
Afrohet paqesisht… jane perballe…. e shikon…. ndal se marri fryme… harron te flase… humbin mendimet, perjetimet, paragjykimet… ajo hesht !?
(Heshtje?!)
Oh krijese e mjere?!... eshte i vetmi togefjalesh qe mund te shqiptoje ne ate cast…
Atje ngjitur me trungun e madh te pemes…. nje djale…. shtrenguar fort pas saj,aq fort sa nuk e kuptoje a po e mbante ai apo e mbante pema ate.
Nje djale i dobet,shume i dobet… (aq i dobet sa ajo ishte e sigurt, mund t'i numeronte cdo brinje e cdo kocke?!)… me lekure te rreshkur, te plakur, te mavijosur… me buze te nxira nga te ftohtet… qe dridheshin…. syte e ngrire sklepash… shikonin te perhumbur diku… syte te medhenj te zinj… pa jete, pa shprese, pa drite, te lodhur.
Cdo detaj te tij e pikturonte me shikim… kishte floke kacurrela… te pakrehura… te ngaterruara… me duar kishte kapur pemen fort… e perqafonte. Arriti te dallonte duart e tij ngjanin te mplakura, te vyshkura, lekure e rrudhur e nje femije 6-7 vjecar… thonjte e nxire e ngulur ne trungun e pemes… dhe kembet e zbathura te kryqezuara si nje plak i mocem, e te ngulura fort ne dheun e ngrire dimeror, i duhej nje baze e forte e qendrueshme.
Atij nuk i beri pershtypje ajo… madje as nuk e prishi terezine nga vemendja e saj nga ky kuriozitet qe e shoqeronte perdite ishte mesuar?!
Qendroi per pak minuta e heshtur perpara tij… nuk mund te shqiptonte asnje fjale… ajo e interesuar per ate… ai indiferent ndaj shikimit kureshtar te saj…!
Ai theu heshtjen me togfjaleshin e vetem qe shqiptonte me kureshtaret… a do ti jepnin ata dicka… nje monedhe 20-lekeshe apo nje dicka per te ngrene…
Ajo u bllokua…?!
Deja – Vu ?!…. E kishte pare shpesh kete skene… se fundmi dje… kur duke zbritur nga shkallet e spitalit ne cepin e tij nje nene me dy femije te vegjel, kerkonin tu falej dicka. Ajo nene e pafuqishme sebashku me krijesat e saja te pafajshme, uleshin ne token e ngrire dhe lypnin, kerkonin lemoshe, klithnin per ndihme, pa ze, me shikim te akullte dhe duar qe dridheshin…
Edhe ai foshnje e ulur aty… kerkonte jete… kerkonte mundesi… kerkonte shprese…!
Me nje 50-lekesh ne dore i afrohet, e shikon ne sy… i thote me ze te heshtur..:
- Te lutem me fal nje buzeqeshje!
Ai shtrengon fort 50-lekeshin, e shikon ngultazi ne sy… i jep nje buzeqeshje te madhe…Ohhhhh sa e madhe ajo buzeqeshje…aq e pafajshme,e bukur dhe e lumtur….ia mbushi shpirtin ..!
Ai dinte te buzeqeshte…pavarsisht gjithckaje dhe gjithkujt…
Kthehet te shkoje drejt autobusit (vajti ora,kaq zgjati ky piknik)…i kthen shpinen vogelushit, sic benin shume te tjere.. duke e lene prape atje… edhe Ajo largohet… tani ne drejtim te botes se saj… duke braktisur boten e tij te vogel..

Kthen edhe njehere kohen ta shoh… ai ishte ende atje… i humbur me shikimin e tij diku larg…
I gjori vogelush… aq i varfer… dhe aq i pasur ….  me nje buzeqeshje te madhe plot shprese te cilen se gjeje me ne syte e tij….
Ajo largohet, duke rivendosur buzeqeshjen mbi buze,marrjen e pamjes se qete per boten e saj… dhe ne mendje I vijne:
O’ si nuk kam nji grusht te forte
t’i bije mu ne zemre malit qe s’bezane,
ta dij edhe ai se c’do me thane i dobet -
n’agoni te perdridhet si vigan i vrame….!!!!!

Ajo…. mes dy boteve !!!!


© Erjola Kola

Fotografia nga: Andi Goxhaj ©

06 April 2013

Ishte veç një moment.

E kisha vendosur do harroja me çdo kusht çdo sekondë, çdo moment, çdo çast të atij fundviti të mbrapsht... e kisha vendosur, e dëshiroja me të gjitha forcat e mia… por... me sa duket nuk munda.

Mjaftoi një ngjarje e ngjashme të më rikujtonte gjithçka.
Mjaftuan disa fjalë të thëna pa rëndësi, të rihapej një plagë e thellë, që ende më dhemb... shumë... shumë.
Mendova e kisha harruar.
Mendoja se e kisha hedhur pas krahëve.
Mendoja se ishte e shkuar tashmë.
Mendoja se nuk do ndjeja më dhimbje, nuk do derdhja më lot.

Mendoja.

Ndjeva të njëjtën dhimbje.
Ndjeva të njëjtën frikë.
Ndjeva të njëjtën pasiguri.
Ndjeva të njëjtin tmerr.
Ndjeva të njëjtën nevojë për të mos qenë vetëm.
Derdha të njëjtët lot, që për shumë kohë i kisha fshehur brenda meje.
U ndjeva kaq e brishtë... kaq e dobët... a thua do thyhesha në çdo çast.

Kisha frikë... Frikë nga frika!!!
Kur mendon se e ke mbyllur fort kapakun e kutisë së kujtimeve, mjafton një vrimë e vockel, diku në një cep... dhe gjithçka rinis sërish... ndoshta jo me ngjarje reale... por si një film me imazhe përpara syve të tu.
Të rishfaqet gjithçka.
Të njëjtat fytyra.
Të njëjtët njerëz që të qëndruan pranë... dhe imazhet e atyre që doje të kishe pranë...por...?!
Të njëjtat momente që deshe t'i harroje.
Të njëjtat dhimbje që s'doje t'i kishje më.
Të njëjtat mure që veshtrove me sy plot ankth, për muaj me radhë. 

E njëjta bardhësi mbytëse.
E njëjta ditë që të merrte frymën.
E njëjta gri në qiell çdo ditë.
E njëjta dridhje trupi nga frika dhe pasiguria.
E njëjta vuajtje shpirtërore.
E njëjta dridhje buze, kur ndaloje lotët të dilnin nga syë... askush nuk duhet të shihte me lot.
Por…?!

Ishte veç një moment...!
Sa shumë më dhembi.
Sa shumë me dhemb ende, kur e mendoj.
Sa pak i kurseva lotët... sa pak e kontrollova veten të mos mbytem në lot e frikë.
Sa frikë pata qe isha vetem.
Sa lot...prapë. 

Ishte veç nje moment...!
Nje moment... asgjë më shumë... asgjë më shumë...!
Sado të përpiqesh të harrosh të shkuaren dhe çastet që të kanë bërë të derdhësh lot... me shumë vështirësi do mundesh.
Kujtimet kanë nje fuqi te mbinatyrshme të bëjnë gërvishtje të thella në zemër dhe shpirt.
Mjafton një fjalë e vogel dhe plaga fillon të djege e të përvelojë.
Mjafton nje veprim i vogel dhe nga plaga e kujtimeve del gjak. 
Sa i dobët ndihesh atë moment... kur mendon se je Zot i veprimeve dhe ngjarjeve që do pasojnë ditët pas Asaj dite.
Kujtimet dhe ngjarjet e së shkuarës... duhet të të kthehen në forcë dhe në shtysë të ecesh përpara.
Duhet të jenë guximi yt... dhe buzëqeshja e triumfit qëndisur mbi buzë.
Më mirë që janë kujtimet... nuk harrojmë... nuk harrojmë që ia kemi dalë mbanë... nuk harrojmë që e kemi kaluar atë ditë, për të rinisur një ditë tjetër.
Me dhimbje në shpirt... me kurajë në zemër... me një buzëqeshje force mbi buzë.... por e ndjejmë, e dimë… që dolëm fitimtarë... e mposhtëm frikën, vuajtjen dhe dhimbjen.
Jetojmë të tashmen, me kujtimet e së shkuarës, me shikimin e drejtuar drejt së ardhmes, plot shpresë.
Ishte veç një moment.... një çast... një sekondë.... dhe prapë vazhdova si më parë…. si çdo herë, si përgjithmonë :

''Te Buzëqesh...!!!''

Une e di, që dielli do të dalë gjithmonë, edhe pas stuhisë më të fuqishme... Unë kam durim të ulem e të pres…
Dielli do të ndriçojë… herët a vonë, edhe për mua…!!! 

© Erjola Kola

Fotografia nga: Eda Petuqi Photography

05 April 2013

Kur buzëqeshja humb ... dhe... ringjallet...!

Edhe buzëqeshja humb... kur e harrojmë diku rrugëve të jetës dhe ikim vazhdojmë pa atë.
Edhe buzëqeshja humb... kur ia falim dikujt dhe harrojmë ta marrim prapë... kur ikim ne... ose kur largohen ata.
Edhe buzëqeshja humb... kur ajo ikën me lotët e lamtumirës për dikë.
Edhe buzëqeshja humb... kur shpresa kthehet në nje fjalë të huaj për ditën tonë...
Edhe buzëqeshja humb... kur lotët bëhen ''zot'' në fytyrën tonë...
Edhe buzëqeshja humb... kur ngjyra gri, fillon e dominon në ylberin e jetës...

Buzëqeshja humb... kur ne harrojmë që duhet të buzëqeshim...!!!

E braktisim shpeshherë si një mall pa rëndesi.
E flakim pa mëshirë.
E hedhim poshtë.
E shtypim.
E thyejmë.
E grrisim.
E shajmë.
E lëndojmë.
E harrojmë... diku... buzëqeshjen tonë.

Tregohemi të dobët në betejat e jetës dhe lëmë dëshmor në to buzëqeshjen tonë.
Lodhemi së luftuari dhe dorëzojmë ''rob lufte'' buzëqeshjen.

Pesimizmi kur fiton mbi optimizmin flak tej, buzeqeshjen.
Kur i themi hyr trishtimit ne deren e dites sone, ai hedh perjashta nga dritarja buzeqeshjen tone.
Zhgenjimi behet mbret dhe i tund kembet princeshes buzeqeshje.
Tradhetia e mashtron buzeqeshjen dhe i tregon rrugen e gabuar per ne jeten tone.
Genjeshtra e genjen buzeqeshjen se ne nuk kemi me nevoje per ate...
Mosbesimi na mbush mendjen se buzeqeshjes nuk i duhet besuar...
Dhe ne harrojme te buzeqeshim...!
Dhe...buzeqeshja...iken...largohet...humb...!

Buzeqeshja ka nje veti te mire, ajo nuk na braktis teresisht... thjeshte qendron e fshehur thelle-thelle ne shpirtin tone.
Si nje feniks qe ngjallet nga hiri i tij, edhe buzeqeshja sado qe ta zhdukim e vervitim tutje larg jetes sone... rrenjet i ka te ngulura thelle neper zemrat tona... dhe ringjallet... prape... gjithmone...
Mjafton nje shkendije... dhe ajo ndizet... merr flake... shperthen... rrezet e saj pozitive mbi fytyren tone...!
Mjafton nje deshire e vogel, e fshehur, e menduar e pashprehur... qe hija gri te zevendesohet nga rrezet e dobeta te buzeqeshjes...!
Mjafton nje shtyse e vogel nga dikush, te na zgjoje, qe te reagojme nga grija qe na ka zymtuar shpirtin dhe diten... qe drita e optimizmit te shpertheje ne fishekzjarre buzeqeshjesh...!
Mjafton deshira e mire, per te rifilluar dhe buzeqeshja do jete bashkeudhetarja jone ne sfidat e reja qe na presin...!
Mjafton guximi per te ecur edhe nje hap...
Mjafton nje rrahje zemre...
Mjafton nje shtrengim dore...
Mjafton nje perqafim...
Mjafton nje buzeqeshje tjeter per tu infektuar!

Mos e harroni : ''Ju nuk e keni humbur buzeqeshjen tuaj,ajo eshte nen hunden tuaj. Thjesht e kishit harruar qe ishte atje...!''

© Erjola Kola

03 April 2013

Përshtypjet e para nga atdheu...


Tirana Airport - getting to/from city centre, bus Rinas ...Çuditërisht çdo vit pres të ndodhë mrekullia: të zbres nga aeroplani dhe të mos arrij të njoh vendin tim. Dëshiroj të çuditem dhe të mahnitem, të më duket vetja si jashtë shtetit. Përveç ajrit që është ndryshe, dua të shoh edhe diçka tjetër ndryshe. E meritojmë në fund të fundit. Më kenaq ideja që të hyj në aeroport, të mos pres gjysëm ore në radhë, të jenë hapur shumë sportele për të përballuar fluksin e të ardhurve, por edhe të respektohet ajo e shkretë radhë, e jo të më thonë prit pak se ky djali do hyj pak përpara teje se ashtu e ka hallin, e unë të mos detyrohem të hedh ndonjë vështrim të shtrembër, përherë më idenë… prapë këta. 
Sa më pëlqen ideja që në radhën për të marrë valixhet, të mos kaloj edhe një tjetër gjysëm orësh të këndshëm, me dridhjen e çuditshme, po sikur të ma kenë lënë valixhen andej nga erdha. (Ka ndodhur edhe kjo punë, unë këtu valixhja në hënë, u bashkuam përmallshëm pas 4 ditësh.) Prit e s’ka e numëro valixhet, e rrjedhimisht fillon me mendje atë lojën, kujt t’i bjerë 51-shi, kësaj apo asaj valixhe. Të jetë kjo imja, ndërkohë telefoni bie, se kuptohet aeroplani ka kohë ulur, e shenjë timen ende nuk ka në horizont, në derën që hapet e mbyllet e dalin fatlumët që gjetën valixhet. Unë jam bërë e durueshme tashmë. Thjesht pyes me zë pakëz më të lartë, ndonjë punëtor të aeroportit, ose më saktë cdo njeri që shoh me tabelë emir: “Ka më valixhe?” Qetësohem sa dëgjoj: “Ka, mos u bëni merak se ka edhe të tjera.” Ndjesi e mrekullueshme të shohësh ngjyrën e valixhes që tundet në atë gjënë e rrumbullakët e thua “Shpëtova! Mund të dalë tani.” E tërheq mundimshëm dhe të shkon mendja të marrësh një karrocë, si jashtë shtetit demek. U dashka një 50 lekëshe për karrocën ose 50 cent. “S’kam të holla.” – thua (edhe të trasha s’ka por bie fjala) dhe me mendje përsërit atë, e tërheq vetë valixhen, më kanë ngelur dhe aq forca, do duroj!


Mundimshëm por me forca të shtuara nga ideja që më në fund pas kaq muajsh do takosh familjarët e tu (të lodhur edhe ata sepse tashmë nuk paska më stola në aeroport, qenke i detyruar të ulesh në lokalet që janë aty brënda. I bukur aeroporti. I paskan hequr edhe stolat e pritjes; duhet të shkosh të ulesh në lokal ku një shishe uji e vogël bën 150 lekë, të reja kuptohet.) të bën të shpejtosh hapat dhe të dalësh sa më parë në derën jeshile. Diku në mes të gjithë ata njerëzve që presin dikë, sheh një fytyrë të njohur, dy sy të dashur dhe pa e kuptuar nuk ndjen më lodhje, ndjen vec atë, tani jam në shtëpi, erdha. Ky është moment më i bukur i ditës, e vetmja gjë që nuk ndryshon asnjëherë dhe e vetmja gjë që nuk do të ndryshoja asnjëherë nga Shqipëria. Nuk ka si përqafimi i familjes, lodhja harrohet dhe ke forca të flasësh e tregosh aventurën e re të këtij udhëtimi.


Udhëtimi im nuk mbaron me kaq, janë edhe disa orë me makinë. Sigurisht që për një shofer të vjetër si im atë, nuk është problem, por për një frikacake si unë, gjithcka më bën te hap sytë. “Uaaa si kaloi ai, uaaa po ky ku vete kështu, uaaa po kjo ishte kundravajtje” – e kam edhe unë patentën prej shumë vitesh, megjithëse nga trimëria e madhe, në Shqipëri asnjëherë s’e kam marrë makinën – uaaaa e uaaa gjithë kohës. Të rrojë kodi rrugor, se secili ecën dhe futet në parakalim sipas qejfit. Të rrojnë ligjet e shkruara, se ligjet e shoferëve janë shikimet me sy dhe bërjet me dorë, për shenjën, kalo e ktheu. Të rrojnë edhe shoferët e furgonave që të frenojnë pikërisht mu përpara makinës, sepse panë një pasagjer të mundshëm. Apo shoferët e autobusave që mendojnë se kanë një Fiat bebe Punto dhe ndalojnë kur ju do qejfi e si ju do qejfi.
E gjithë kohës ai që është në timon është në presion të madh psikologjik, aq sa edhe kthimi i përgjigjeve sa vjen e rrallohet, sidomos në rrugët që kalojnë në mes të qyteteve. Do mësohem edhe me këtë është normale, është thjeshtë tronditja e orëve të para në mëmëdhe. Me gjithcka mësohesh këtu, me gjithcka, sa kur iki nuk më bën më përshtypje asnjë gjë. Mësohesh të kalosh rrugën ke vijat e bardha, duke parë në sy shoferët, a do të lënë të kalosh (e di pretendoj shumë duke e quajtur zonë këmbësorësh, pretendoj shumë) Mësohesh edhe të bësh një sprint për në anën tjetër të rrugës, se nuk ka vija të bardha. Mëson të dëgjosh se sa aksidente u bënë, se sa persona fatkeqësisht humbën jetën, e sa e sa të tjerë u plagosën. Mësohesh edhe të mbyllësh stacionet e radios apo të ndërrosh kanalin e TV sa herë fillojnë lajmet.
U bënë vite që përrallat janë të njëjtat dhe personazhet po ata. U bënë vite që nuk do më të dëgjosh, por të hapësh sytë e të shohësh. Unë mbaj syze dielli, se më vriten sytë, por asnjë gjë nuk shoh përvec diellit, që gjithmonë nuk harron ta ndricojë Shqipërinë. Me një tufë mendimesh në kokë, me një mori ëndrrash, dëshirash edhe pritjesh, sheh detin Adriatik që shpaloset përpara syve. Sa i bukur është, një gjë e ka ky vendi im, është pafundësisht i bukur dhe merr frymë lirisht aty.


© Erjola Kola (shtator 2012)

Botuar në Gazetën ''Nacional'': Çdo vit pres të ndodhë mrekullia...

02 April 2013

Unë buzëqesh...

Unë buzëqesh... për t'i dhënë ngjyra jetës sime.
Unë buzëqesh... për te ndriçuar ditën time.
Unë buzëqesh... për të shndritur fytyrën time.
Unë buzëqesh... për të zbukuruar qënien time.
Unë buzëqesh... për të mbushur zemrën time me optimizëm.
Unë buzëqesh... për të shpërndarë lumturi në zemrat e atyre që dua.
Une buzëqesh... për të falur forcë dhe kurajo atyre që adhuroj.
Une buzëqesh... për të marrë forca te eci përpara.
Une buzëqesh... për t'i treguar vështirësive që nuk më thyejnë dot.
Une buzëqesh... për të thënë që nuk kam frikë.
Une buzëqesh... për të dashuruar jetën.
Une buzëqesh... për të ndjerë paqe.
Une buzëqesh... për të mos qarë.
Une buzëqesh... për të harruar.
Une buzëqesh... për të larguar mërzinë.
Une buzëqesh... për të mbajtur larg pesimizmin.
Une buzëqesh... për të trembur ''të këqiat''.
Une buzëqesh... për t'i dhënë ''seriozitetin'' tim të ëmbëlsuar jetës.
Une buzëqesh... për të qënë serioze...(sipas mënyrës sime! )

Une buzëqesh... sepse është gjëja që di të bëj më mirë.
Une buzëqesh... sepse më bën të ndjehem më mirë.
Une buzëqesh... sepse më shkon.
Une buzëqesh... sepse dukem bukur.

Une buzëqesh... sepse e adhuroj të buzëqesh...!!!!


© Erjola Kola

01 April 2013

Mooos!

Lëre plagën, pse ma ngacmon?
Mos më ngul thikën në eshtër.
Të lutëm ndale dorën, më dhemb!
A nuk e di sa lëndon fjala?
Po zgjimi i kujtimeve, a s'e di çfarë dridhje në shpirt shkakton?

Turbullimë shpirti, ciklon kujtimesh, gri dhe frikë, heshtje dhe lot, e diku aty në mesin e gjithçkaje, sërisht unë, unë dhe lufta ime, mesa duket e përjetshme.
Pse duhet të shohim veç shiun, të ndjejmë veç dhimbje dhe të vuajmë?

Po lufta kujt i ngelet?!

E ndjejmë veten në mesin e asaj stuhie, pa çadër, me rroba dhe shpirt të grisur, vetëm.
Të lodhur, të dorëzuar dhe përreth klithmat e luftëtarëve qe fatit nuk ju dorëzuan.
Unë jam një nga ata, që nuk u dorëzuan!
Unë luftova dhe luftoj!
Dëgjoje klithmën time dhe dridhu!!!

Oh tmerr!
Hesht!
Mos!

Ti që flet e mëshirë kërkon.
Ulëret për fatin e keq që të ra.
Që vuan e bërtet që të gjithë të të dëgjojnë.
Tregon ditë pas dite gjithçka të keqe që po të ndodh!
Qan me lot syri dhe s'ndjen sa lot shpirti kullojnë kur dëgjojnë ''tragjedinë tënde''.
Po ty, ty të them të vuajturin e madh, të pafatin e kohërave, ty që qielli të ra mbi kokë dhe nuk lufton të ecësh para, por nxjerrë dhimbjen të çjerrë ajo fatin për ty.

Të pëlqejnë sytë mbushur me mëshirë?

Ngrihu dhe ec o njeri, mos u ndal kthesave të kërkosh dorën e radhës për të të ngritur.
Nuk ke pse kërkon asnjë, ata që të duan, nuk largohen nga shtrëngimi i dorës tënde.
Ata që të duan nuk të mëshirojnë, nuk të duan sepse..., por të duan dhe kaq!
Ata që të duan, janë me ty, për ty gjithmonë, edhe kur s'i sheh me sy... Ata thjeshtë janë!
Nëse e sheh ditën tënde veç gri e shi, e tillë do të ngelet përherë.
Çdo njeri nga ne ka historinë e tij, e gdhend me gjak e me shpirt, e lezeton me dashuri dhe buzëqeshje.

Zgjohu o njeri!
Mooos!

Nuk ishte fati yt i keq jo, mendo sa të tjerë ka njësoj si ti, ndoshta dhe më keq.
Je me fat o njeri, nuk vuan asnjë kot, vuan sepse e dinë që ti do ja dalësh mbanë.
Resht së kërkuari keqardhje, lëndon shumë të tjerë.
Ngrihu njeri dhe shikoje jetën me ngjyra!
S'je as i pari e as i fundit, je veç njeri nga ata..., por ata nuk u dorëzuan kurrë, ashtu sikurse unë! :)

© Erjola Kola (Korrik 2012)

Piktura nga Elona Çuliq