07 October 2012

E dielë.


Shikoj orën... duhen edhe 5 minuta derisa të vijë tramvaji në stacion. Kam gjithë kohën e botës mendoj, kësaj here nuk do më ikë (jo jo nuk shkoj unë me vonesë, tramvaji niset para kohe). Shpejtoj hapat ndërkohë që shikoj kthesën e fundit përpara meje, e kaloj edhe atë e tani unë dhe stacioni i tramvajit shikoheshim në sy. Një duel i heshtur, unë që nxitoj hapat dhe stacioni hic, priste mua ose tramvajin.
Nuk do më ikë mendoj (uroj, lutem, shpresoj, shumë pak besoj) kam edhe 4 minuta... me këto mendime optimiste në kokë... shikoj tramvajin që ikën... ikën pa më pritur mua!
Qëndroj në vend dhe me indiferentizëm kthehem pas. ''Ditë e bukur është po dal njëherë xhiro nëpër lagje.''
Kam jetuar në këtë qytezë, 3 vjet më parë dhe kisha shumë kohë që nuk rikthehesha. Sigurisht që i dija edhe shkurtimet, e rrugicat për të dalë në një tjetër stacion më shpejt se tramvaji, por nuk desha... për momentin doja të shëtisja edhe njëherë në rrugët ku kam ecur dikur.
Shikoj majtas dhe djathtas, asnjë makinë në dukje, kështu që e kaloj rrugën direkt dhe futem në mes të rrugicës ku kam jetuar.
Asgjë nuk ka ndryshuar, veç rrugica është mbushur me gjethe, një tapet i artë të kujton që jemi në tetor.
Dielli shkëlqen mrekullueshëm sot, një fllad i lehtë të bën që herë pas here të shtrëngohesh fort pas palltos. Nuk është ftohtë, as vapë... është një ditë perfekte vjeshte.
Në lagjen e vjetër nuk dëgjohet asnjë pipëtimë përveç përplasjes së këpucëve të mia me trotuarin. I shikoj shtëpitë me radhë si për të dalluar ndonjë detaj të ri, detaj që më parë nuk ka qenë. Shtëpia e asaj nënës që adhuronte të bënte torta (që gjithmonë uroja të mos më kapte në rrugë se do më tregonte gjithë veprimtarinë e kohës që nuk më kishte parë) ishte lyer me bojë të bardhë tani, lulet ishin ende në të njëjtin kompozim si në çdo vjeshtë. Përballë ishte shtëpia e çiftit italian, që sapo kthej kokën i shikoj të dalin dhe po diskutonin se cili nga djemtë do ulej përpara në makinë... as kjo nuk ka ndryshuar, ata gjithmonë kishin hallin kush do ulej në sedilen e parë të makinës.
Eci dhe kujtoj se kush ka jetuar në ato shtëpi... aty zonja që kishte qen Husky, që zihej gjithmonë me Çarlin, maçokun e koleksionueses së reçelnave (mbushte depon plot me vazo reçeli edhe pse ishte diabetike dhe jetonte vetëm), e ngjitur me të çifti i apasionuar pas biçikletave... dmth sapo dilte dielli ata nxirrnin biçikletat dhe i vendosnin në oborr (veç të dilnin me to anjëherë nuk i kisha parë). Gjithmonë mban mend gjëra të çuditshme rreth komshinjve, kushedi çfarë mbanin mend ata nga unë... kushedi. Duke ndjekur me sy shtëpitë njera pas tjetrës, kisha mbërritur në stacionin në qendër.
Pa kaluar rrugën shikoj në tabelë që kisha edhe 20 minuta kohë, ndaj ulem në një stol poshtë një peme dhe filloj të shkruaj me telefon e të bëj ndonjë fotografi përreth, duket kaq bukur sot.
Zhurmat e disa fëmijëve që fillojnë të luajnë me top, direkt pas kurrizit tim, më ngrejnë menjëherë nga stoli përpara se të bëhesha shënjestër e ndonjë atentati.
Edhe 15 minuta.
Ulem në stolin e stacionit dhe afër meje dy plaka... goxha të kaluara në moshë.
Unë në njërin cep, ato në cepin tjetër... unë me telefon në dorë, ato me fjalën në gojë.
Unë luaja e heshtur, ato flisnin pareshtur.
Unë mallkoja veten pse nuk kisha marrë kufjet, ato tregonin historitë e kohës së Skënderbeut, dmth të luftës, të luftës.
Unë shtrëngoja dhëmbët nga sikleti, ato tregonin për restorantin ku do të bënin mbledhjen e grave të shoqatës së tyre (diçka me kor këngësh ishte).
Edhe 10 minuta.
Unë shikoja çdo 30 sekonda orën, ato filluan të flisnin për kohën, retë, gjethet, pikturën e natyrës... ato nuk ndalonin asnjë sekondë së foluri.
Shpëtimi im!
Dy vajza adoleshente ulen afër nesh dhe hapin muzikën me zë të lartë, nuk i dëgjoja më... dëgjoja atë tmerrin që kishin gocat në MP3. Oh tmerr ndezën dhe cigaret, i gjithë tymi ke unë!
A ju paça moj vajza nga shiu në breshër. E nervozuar shikoj orën.
Edhe 5 minuta.
Kësaj here po pres unë, nuk do më ikë tramvaji më. Koha kaloi shpejt mes kujtimeve të lagjes së vjetër.
Ndërkohë stacioni qenka mbushur plot me njerëz.
E diel feste sot... feste sepse ka dalë dielli dhe të gjithë kanë thyer zakonin e shenjtë të së dielës pushim!

Të gjithë shëtitje... edhe pse e dielë.
Është ditë me diell.


© Erjola Kola

No comments:

Post a Comment