16 October 2012

Poezi... :)

-''Po ti çfarë po bën?'' - u dëgjua një zë i mbushur me kureshtje që e bëri të ngrinte kokën menjëherë të shihte kush i ndërpreu ëndrrën me sy hapur.
Një vogëlush sy bojëqielli qëndronte mbështetur pas stolit të saj dhe buzëqeshi me të gjithë dhëmbët sapo e pa atë.
-''Çfarë po bën?- pyeti sërisht me padurim djaloshi.

I buzëqeshi syve kureshtar.
Vendosi lapsin në faqen ku po shkruante, e mbylli bllokun dhe i bëri shenjë djaloshit të ulej pranë saj.
Djaloshi nuk e bëri dy fjalën, hop kërceu e u ul në stol dhe i ktheu sytë asaj si për t'i drejtuar në heshtje të njëjtën pyetje.
I buzëqeshi prapë me ëmbëlsi dhe filloi të tregonte:

-''Stina e vjeshtës është e preferuara ime. Më pëlqen sesi bota vendos kurorën e artë dhe duket si princeshëz e bukur. E adhuroj këtë park, e shikon sa i bukur bëhet. Tapeti i gjetheve, cicërimat e zogjve para se të shtegtojnë në vendet e ngrohta. Kërcitjet dhe zhurma e ëmbël kur dikush kalon mbi qilimin e artë vjeshtuk. Unë qëndroj këtu në këndin tim të ëndrrave, në stolin tim me bllokun tim dhe fantazoj. Shkruaj dhe mbyll sytë dhe fluturoj...''
-''Unë nuk e di... ti... ti fluturon...:'' - belbëzon djaloshi.

Qeshi.

-''E shikon këtë bllokun këtu?'' ... djaloshi pohon me kokë, edhe pse asnjë gjë nuk po kuptonte.
-''Në këtë bllok unë shkruaj. Shkruaj poezi, proza, tregime, apo thjeshtë përshkrime. Ja qëndroj ulur këtu dhe shoh atë pemën atje. Shikoj sesi gjethet kërcejnë...''

-''Gjethet nuk kërcejnë, unë e kam mësuar në shkollë që gjethet bien në vjeshtë. Ato vyshken, se do të lindin të reja e të bukura prapë në pranverë.''

E zënë ngushtë me fjalët e mëdha që po përdorte vendos të ndryshoj stil dhe të fliste edhe ajo si ai.

-''Ke mësuar ndonjë poezi në shkollë?''

-''Po kam mësuar edhe përmendësh unë.'' ... përgjigjet djaloshi krenar dhe ende pa bërë pyetjen tjetër ajo, ai fillon të cicërojë një poezi të cilën ajo nuk e mbante më as mend.

-''Ja pra, edhe unë poezi shkruaj.'' - i thotë ajo djalit kur ai mbaron së recituari dhe i kthehet asaj fitimtar që nuk bëri asnjë gabim.

Vogëlushi e shikonte në sy dhe priste që ajo t'i tregonte më shumë.

-''Ky kënd është kaq i qetë, shumë pak njerëz kalojnë këtej. Unë ulem dhe sodis natyrën. Shikoj gjithçka. Mbyll sytë dhe ëndërroj sikur jam zog dhe fluturoj. Ëndërroj sikur jam gjethe. Ëndërroj sikur jam zambak uji dhe notoj në atë liqenin atje tej. Ja duke menduar kështu, unë marrë lapsin edhe shkruaj. Ndonjëherë bëj poezi, ndonjëherë bëj ndonjë tregim të gjatë, e ndonjëherë nuk shkruaj fare, vetëm rri... rri e shikoj njerëzit në park. Kam shkruar poezi për liqenin, për gjethet, për zogjtë... ndoshta shkruaj edhe një tregim për një djalosh sy bojëqielli.''

Djali qeshi me turp dhe faqkat ju skuqën. Ajo i përkëdheli flokët dhe bëri të fillonte të tregonte prapë e prapë... kur një zë u dëgjua që thërriste nga stoli tjetër. Prindërit e djalit ishin ngritur për t'u larguar. Djali u hodh me nxitim nga stoli e përshëndeti me dorë e duke u larguar i foli më zë të lartë:

-''Kur të rritem do bëj edhe unë poezi.''


© Erjola Kola 15/10/2012

(Fotografia nga Andi Goxhaj ©)

No comments:

Post a Comment