04 October 2012

Vjeshta...


Gjethëza e vjeshtës vallzon me retë përqafuar.
Një tango ndjenjash të arta, të ngjyera me bojëra vjeshte e aromë pranvere në shpirt.
Shikime të ëmbla qiellore më dhuron, e unë me ëndje të kundroj....unë sytë nuk t'i ndaj, gjethëz.


Melodinë ia dëgjoj. Këngën e heshtur ia ndjej.
Telat e kitarës të ç'akorduara, një piano e vjetër dhe një violinë cigane drejtojnë orkestrën e ndjenjave sot.

Të mos ishte ky shi... me ty do të vallëzoja gjethëz.... një vallëzim të qetë, me muzikën e shpirtit, me nota të thyera nga era e egërsuar e kësaj nate.

E ndërkohë jam ulur e të shoh ty...tek përdridhesh e rrotullohesh e lirë në krahët e flladit të buzëmbrëmjes. E lirë... e lirë... e gatshme të ngrihesh në fluturim, sapo era të të rrëmbejë.

Pikla shiu të ngrohta faqeve më përkëdhelen e malli shall për fyti më është mbledhur, ndaj ftohtin e kësaj nate vjeshtuke jo më nuk e ndjej.

Do vazhdoj e ulur në karrigen time, të të ndjek në vallzimin tënd.

Sot vjeshta ka ardhur me gjithë orkestrën e ndjenjave të më sjellë simfoninë e saj përpara syve të mi.
Vjeshta do të luajë melodinë e saj për mua.


Sot vjeshta është e imja.


Erjola Kola ©


No comments:

Post a Comment