A do e durosh?
Do mposhtesh?
Qerpikëve të qiellit piklat e shiut ty nxitimthi të afrohen, e ti endesh në kërkim të çadrës së shpresës, të strehës së shpëtimit, të rrezes së diellit, të së kaltrës së qiellit.
Endesh, vrapon, me çdo forcë që të ka ngelur, për një qëllim të vetëm: Stuhisë dëshiron t'i shmangesh, të gjesh një strehëz të qetë e larg sa më larg vetëtimave therëse të lajmeve stuhi të qëndrosh.
Sado që vrapon, rend e me çdo grimcë të shpirtit kacavirresh të largohesh, ti ngelesh aty, aty në mesin e stuhisë, në mesin e syrit të ciklonit dhe në çdo anë dëgjon veç lajme gri, lot shpirti, lot zemre e klithma të pashpresa.
E lodhur me betejat shumëvjeçare i dorëzohesh pa kushte klithmës më së re, kësaj buqete të rejash të padashëshirura.
E lejon trupin tënd të të grishet, të të çahet me thonj dhe gjurmë të thella, të gjakosura të ngelen shenjë në lëkurë.
E lejon e pafuqishme në kalendarin e këtij viti shkrimin e një të reje të padashur, që erdhi, ashtu papritur, si një rrufe në qiell te hapur.
Nën piklat e shiut zemra të rrënqethet, të rrahurat me heshtjen e frikshme të papërgjigjeve miqësohen, frymëmarrja zbehet dhe shpirti shënon të zezën e radhës.
Mos u dorëzo, jo tani!
Nën piklat e shiut mëso të kërcesh, përqafohu me çdo rreze dritshprese dhe kërko rrugën të dalësh nga stuhia.
Mbërthehu fort me thonj në ëndrrat e tua, mbahu fort me forcën tënde të shpirtit, kudo, pas më te voglës fije shprese.
Qëndro!
Nuk do të jetë ngërdheshja e radhës e qiellit që do të të rrëzojë.
Nuk do të jetë as buqeta e lajmeve të humbjeve që do të nxjerrë nga rruga e shpresës.
Nuk do të jetë as mungesa, e as malli që do të shtypin shpirtin, sa të harrojë të marrë frymë.
Asgjë nuk do mund të të mposhtë, nëse ti nuk e lejon, asgjë!!!
Ishte thjesht e reja e radhës! :)
Përvishi mëngët ta mposhtësh.
Një shpirt luftëtar nuk dorëzohet pa luftuar.
Me armët e tua të fitores, shpresën, buzëqeshjen, optimizmin, dashurinë dhe dëshirën për jetë do t'ia dalësh mbanë.
… e atëherë kur më pak e pret...
Një fllad i ri ndryshimesh i tërheq zvarrë retë lajmprurëse, lotsjellëse.
Një tufe rrezesh dielli kokëforta dhe çapkëne e çajnë syrin e stuhisë dhe drita plot freski e ëndrrave buzëve të tua përkëdhelet.
Ngrohtësia e fitores, zemrës të tjera rrahje i fal.
Një melodi të ëmbël shpirti ka nisur të këndojë, e syve ndriçime të reja plot shpresë valëviten.
Nuk ishte asgjë tjetër veçse një stuhi, stuhia e radhës.
Kishte lot, dhimbje, shumë vuajtje... por unë e di që pas çdo humbjeje, pas çdo stuhie, dielli im do të dalë të ndriçojë sërisht për mua... vetëm për mua.
E do ta ndjej në çdo rreze dëshirën për jetë, për shpresë e pafund do buzëqesh.
Do t'ia dal mbanë, edhe pse e ndjej që qielli im buzët po i rrudh, unë po pres stuhinë, për të pritur lindjen e re, më të re të diellit.
Dielli im do të vij, ai nuk më ka braktisur kurrë, nuk ka harruar kurrë të më falë një buzëqeshje.
© Erjola Kola
eh edhe un e di qe do vi nje dite e bukur e kam degjuar me kan then se njeriu me shpresa jeton ....por vetem se ai moment i bukur zgjat shum pak dhe te duket sikur ke pare nje enderr te bukur dhe shija te ngelet neper kujtime pastaj ,megjithate ne do shpresojme akoma se dite me te mira do vijne ..................
ReplyDelete