06 October 2012

"Makiazh."




Alarmi i orës më lajmëron qe dita e re më pret.
Mundimshëm e me përtesë ngrihem, e instiktivisht vendos dorën mbi jastëk.
Ende i njomë, kushedi kur kam pushuar së lotuari mbrëmë apo do kem qarë edhe në ëndërr?!
Një tjetër natë që qaja sa zgjuar, sa në gjumë.
Një tjetër natë pa gjumë.
Një tjetër natë me mendime e ëndrra të këqia.
Me hapat përgjumesh drejtohem në pasqyrë... e prisja sytë e ënjtur dhe një fytyrë që të tremb.
Duhet makiazhi i rasteve të mërzitjes.
Me dëshirën më të madhe, si përherë kur humori im është në dysheme... hap kutinë e tualetit dhe mendoj... sot do të bëj makiazh, do të lyej fasadën për të tërhequr vëmendjen nga sytë e ënjtur.
I zgjedh e kombinoj ngjyrat me kujdes, lehtë shumë lehtë, nuk më pelqen tualeti i rëndë por me një dëshirë aq të madhe për të fshehur çdo gjurmë.
Në fillim njërin sy, e mbaroj... e shikoj... e kënaqur me rezultatin... filloj me syrin tjetër... e vazhdoj derisa edhe qerpiku i fundit të jetë gëlltitur nga një masë rimeli.
I nxij sytë me një lapës të zi, krijon idenë e syve të mëdhenj e humbasin nën lapës të ënjturat e lotëve.
Pudra në fytyrë, pak rouge në faqe... edhe buzëkuqi i preferuar nuk duhet të mungojë.
Një shikim i fundit në pasqyrë...''perfekte''.... arrite si gjithmonë të fshehësh gjithçka.
Asnje gjurme nga pagjumesia e mbremshme.
Asnjë gjurmë nga plagët e shpirtit.
Makiazhi ka një fuqi magjike, arrin të bëj të humbasësh çdo gjurmë... në fytyrë veç.. ato të shpirtit t'i rëndon më shumë. Në korridor përpara se të dal me çantën në krahë, hedh një sy në pasqyrë rivesh buzëqeshjen më të bukur që kam, e dal t'i paraqitem shkëlqyeshëm botës, qe nuk e di dhe nuk do e di asnjëherë, që unë kalova një tjetër natë pa gjumë.
Rrugës nuk i shmang dot shikimet e kalimtarëve e ndoshta e të njerëzve që më njohin dhe me siguri mendojnë... do jetë e lumtur... shumë e lumtur që është zbukuruar kështu.
(po pra po fluturoj nga kënaqësia e një nate pa gjumë, e një dhimbje koke e syve të
ënjtur... mrekulli)
.................................................

Gjatë ditës nuk mundem të mendoj veçse për plagët që më djegin në zemër.
Ah sa e urrej të jem e dobët dhe e pafuqishme për të ndryshuar këtë dreq bote që më rrethon.
Sa inat e kam të fshihem pas buzëqeshjes dhe humorit, ndërkohë që kafshoj gjuhën, të mos i lejoj vetes të shpërthejë në lot në sytë e të tjerëve.
E në do mendosh që është vuajtje dashurie... je gabim... je kryekeput gabim.
Të mblidhen ndonjëherë në fyt të gjitha dhe fryma nuk të ngop.Të duket sikur ajri nuk të mjafton dhe rrezet e diellit, që kaq shumë të kanë gëzuar.. tani vetëm të rëndojnë.
E përballon me sukses një tjetër ditë mes njerëzve dhe askush nuk e di, që zemra po pëlcet të qajë... e dhëmbët kërcasin të mos lejojnë lotët të shpërthejnë.

.................................................

Mbyll derën e një dite gri.
Këtu brenda në mbretërinë time, mund të qaj prapë.
Duke i mbajtur gjithë ditën lotët, ata jane tharë... nuk dalin më... Plagët e zakonshme aty janë ende... ato nuk fshihen aq lehtë sa tualeti në fytyrë.
Buzëqesh hidhur dhe largoj copëzat e fundit të pudrës në fytyrë. Ah marrë frymë lirisht... me gjithë poret e mia.
Marrë filxhanin e kafesë dhe ulem në këndin e mendimeve të mia. Duke u mbështetur në xham...përpiqem të shoh botën nga dritarja ime.
Sa e qetë dukesh o botë.
Kushedi si do jesh pas një xhami të fortë si ky i imi.
Ndoshta do kesh edhe ti të njëjtin mendim, të bluash në mendje një vendim....
''E di që duhet të iki, por nuk dua të iki.. ''


© Erjola Kola

Fotografia nga Lauren Bekteshi : Lori Photography

No comments:

Post a Comment